Ndërlidhjet

logo-print

RUGOVA KONFIRMON PJESËMARRJEN NË VJENË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, i është përgjigjur pozitivisht ftesës së kryeadministratorit Harri Holkeri për të marrë pjesë në takimin e Vjenës, të datës 14 tetor 2003, i cili duhet të shënojë fillimin e dialogut Prishtinë-Beograd për çështje praktike, thuhet në fillim të një njoftimi që ka lëshuar zyra e presidentit. Në këtë kumtesë thuhet se presidenti Rugova e ka marrë këtë vendim në bazë të mandatit të tij që ka me Kornizë Kushtetuese, sipas të cilës, në bashkërendim me Përfaqësuesin special të Sekretarit të Përgjithshëm, presidenti e përfaqëson Kosovën dhe i ushtron të drejtat dhe detyrat e veta në pajtim me dispozitat kushtetuese dhe merr veprime në fushë të marrëdhënieve me jashtë.
Këtë vendim e ka përshëndetur kryeadministratori i Kosovës, duke vlerësuar se "unë bashkë me pjesën tjetër të bashkësisë ndërkombëtare e përshëndesim vendimin e presidentit Rugova, që është një akt prej lideri vërtet të përgjegjshëm."
Sidoqoftë, deri tani, presidenti Rugova është i vetmi nga të ftuarit e zotit Holkeri që i është përgjigjur në një mënyrë ftesës së zotit Holkeri për të shkuar në Vjenë në hapjen e bisedave teknike me Beogradin më 14 tetor.
Në të vërtetë, sot paradite, kryetari i Kuvendit Nexhat Daci, deklaroi se po punohet që të shkojnë të gjithë ose askush. Këtë deklaratë zoti Daci e bëri, duke kërkuar nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan që të ndihmojë shkuarjen e delegacionit kosovar në Vjenë, duke e kompletuar qeverinë e Kosovës me të gjitha ministritë e kërkuara, në mënyrë që qeveria e Kosovës të jetë e pajisur me kapacitete të mjaftueshme për të pasur përgjegjësitë për çështjet që diskutohen në Vjenë.
Mirëpo, me gjithë një aktivitet të ngjeshur të diplomacisë ndërkombëtare në Kosovë, nuk është siguruar përgjigje pozitive nga liderët e tjerë. Shefja e zyrës amerikane Marcie Ries dhe shefi i zyrës britanike, Mark Dickinson kanë takuar të gjithë akterët e këtyre zhvillimeve veç e veç, por nuk është arritur ndonjë pajtueshmëri. I vetmi që ka pranuar të prononcohet pas këtyre takimeve ka qenë kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili tha se pozicioni i tij nuk kishte ndryshuar:
"Mendojmë se mënyra se si do të mund të hapej një derë jo vetëm për pjesëmarrje në Vjenë, por edhe për një proces që do të ishte i suksesshëm në Kosovë është nënshkrimi i rregullores nga zoti Holkeri për ndërtimin e ministrive në sferat që ka kërkuar qeveria e Kosovës. Në rast se do të arrihej kjo, ky do të ishte një sukses i madh për bashkësinë ndërkombëtare dhe për institucionet e Kosovës. Në rrethana të tjera, ne nuk mund të kyçim kërkesat që pret populli i Kosovës me kërkesat që na kanë ardhur nga bashkësia ndërkombëtare".
Ndërkohë, është bërë e ditur se aktivitetet diplomatike për të bindur të ftuarit e tjerë që të shkojnë në Vjenë po vazhdojnë edhe në këto orë dhe nuk pritet të reshtin deri në momentin e fundit, por asnjëri nga liderët që nuk është prononcuar sot nuk ka dhënë indikacione, nëse do të shkojë apo jo në Vjenë, ndërkohë që nuk është arritur konsensusi ndërmjet liderëve partiakë.




XS
SM
MD
LG