Ndërlidhjet

MOORE: LOJË E MADHE SHAHU NË BALLKAN


"Mendoj se aktualisht po zhvillohet një lojë e madhe e shahut. Trupat e Unionit Serbi – Mali i Zi po dërgohen në Afganistan për të ndërtuar një kapital për negociatat për Bosnjën dhe Kosovën" – thotë analisti i Radios Evropa e Lirë, Patrick Moore.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, diplomati amerikan Richard Holbrooke gjatë qëndrimit në Bosnje dhe Kosovë tha se do të ishte gabim historik, nëse ushtarët amerikanë do të tërhiqeshin nga Ballkani. Kush është duke kërkuar tërheqjen e tyre dhe pse?

PATRICK MOORE
Është diskutuar në media prandaj nuk është qind për qind e sigurt se kush personalisht ka kërkuar tërheqjen, por qartas zërat vijnë nga Pentagoni dhe mendoj se të gjithë duhet të kujtojmë se ka pasur persona të afërt me presidentin Bush, para se ai të fitonte zgjedhjet presidenciale në vitin 2000, të cilët bënë thirrje për tërheqjen e trupave nga Ballkani. Kondoliza Rajs dha një intervistë për Nju Jork Tajms në tetor të vitit 2000, në të cilën e mbështeti këtë ide. Arsyeja është se këta persona e ndjejnë që në një farë mënyre kjo do të ndihmonte pozitën amerikane në Afganistan dhe Irak…pra nëse mund t'i tërheqin disa mijëra ushtarë amerikanë nga Ballkani dhe t'i dërgojnë këtu. Le t'i kthehem pyetjes suaj, kur përmendët gabimin historik, sepse mendoj se ka njëfarë lidhje me historinë. Në kujtimet nga lufta të Vinston Çerçil, shkruan se ai asnjëherë nuk e humbi rrugën drejt qëllimit të tij kryesor, por gjithashtu ishte i aftë që të ndërmerrte shumë veprime në të njëjtën kohë. Çerçili kishte gjithmonë një parim që del në pah në shkrimet e tij, se nëse merr një numër të vogël ushtarësh apo pajisjesh dhe i përdor për një qëllim shumë të rëndësishëm politik, atëherë investimi është i vlefshëm…madje edhe nëse nuk është pjesë e frontit kryesor dhe mendoj që kjo është e rëndësishme këtu. Roli i amerikanëve në Ballkan është shumë i rëndësishëm. Disa mijëra ushtarë është një çmim shumë i vogël që të paguhet.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, Kosovën para disa ditësh e vizituan bashkarisht Richard Holbrooke dhe Bernard Kouchner. A është ky një mesazh se në rastin e Ballkanit, Evropa dhe SHBA-të në planin ushtarak dhe politik janë duke punuar bashkarisht?

PATRICK MOORE
Sigurisht. Ky është mësimi me të cilin u ktheva nga një konferencë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë para disa javësh. Aty u mblodhën një numër personalitetesh nga BE-ja, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara dhe megjithëqë kishte mospajtime, të cilat zoti Kouchner dhe zoti Holbrooke i quajnë mospajtime burokratike, ka projekte të përbashkëta për të cilat të gjithë janë dakort dhe kjo është çështja për të punuar të gjithë së bashku. Sigurisht, e dimë që ka njerëz, veçanërisht në qeverinë aktuale franceze, të cilët do të donin t'i shihnin amerikanët jashtë Evropës. Ne sapo thamë se ka edhe vetë zyrtarë të SHBA-ve që duan një tërheqje amerikane nga Ballkani, por ka një interes strategjik këtu për të punuar së bashku në vazhdimësi. Ish sekretari amerikan i Shtetit, Henri Kisingjer në librin e tij "A i nevojitet Amerikës një politikë e jashtme", i cili u publikua në vitin 2001, shkruan se Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Bashkimit Evropian tash kanë një mundësi shumë të mirë që të ndihmojnë vendosjen e prosperitetit, demokracisë dhe stabilitetit në pjesë të botës të cilat nuk i kanë pasur këto. Kisingjeri thekson se do të jetë një tragjedi për brezat e ardhshëm nëse kjo mundësi nuk do të shfrytëzohet. Mendoj se kjo është ajo që Holbrooke dhe Kouchner duan të na tregojnë. Është e rëndësishme që të punojmë së bashku dhe të mos e humbim këtë mundësi.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, Serbia dhe Mali i Zi, do të dërgojnë në Afganistan rreth 1000 ushtarë. A do të thotë kjo se Beogradi nga ky hap do të përfitojë në planin politik, kur bëhet fjalë për Bosnjen dhe Kosovën?

PATRICK MOORE
Mendoj se pyetja juaj është e saktë. Ne kujtojmë se ish-Jugosllavia së bashku me Bashkimin Sovjetik udhëhiqnin me kryemjeshrit e shahut në botë. Serbët dhe malazezët kanë qenë gjithmonë të njohur si lojtarë të mirë shahu. Mendoj se kjo është ajo që po zhvillohet tash, një lojë e madhe e shahut. Trupat po dërgohen në Afganistan për të ndërtuar një kapital për negociatat për Bosnjen dhe Kosovën, ndoshta mund të ketë edhe një zbutje të pozitës së serbëve në Kosovë, në mënyrë që të kenë më shumë përfitime në Bosnjë. E kam dëgjuar këtë shpjegim më parë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, një gazetar u takua me ushtarë rumunë që luftonin në frontin rus. Kur i pyeti ushtarët se përse po luftonin në Rusi, rumunët u përgjigjën që po luftonin për Transilvaninë. Ata po ndërtonin një kapital politik me vendet e boshtit, për të arritur qëllimet e tyre kundër hungarezëve. Mendoj se e njëjta gjë po ndodh me serbët; ndërtimi i një kapitali politik me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n në mënyrë që të krijojnë simpati për çështje që janë vërtet të rëndësishme për Serbinë. Gjithashtu e dimë se serbët duhet të ndërtojnë një kapital politik, sepse kanë qenë "jashtë loje" për më shumë se një dekadë dhe siç a thashë ka lojtarë mjaft të mirë shahu në Beograd dhe do të shohim më shumë lojëra.

Intervistoi: Melazim KOCI
XS
SM
MD
LG