Ndërlidhjet

logo-print

ZYRTARËT PRANOJNË SE KISHIN DIJENI PËR 47 PACIENTËT NË NISH


Bekim Bislimi

Zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale në Qeverinë e Kosovës, theksojnë se janë njoftuar me faktin se 47 pacientët shqiptarë të Kosovës gjenden në Spitalin e Psikiatrisë në Toponicën e Epërme në Nish. Sipas tyre, këto dy ministri do të shqyrtojnë të gjitha mundësitë për transferimin e këtyre pacientëve në Kosovë. Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetsisë, Turan Kasap, thekson se kjo ministri tashmë është duke u angazhuar që të mësojë fatin e këtyre pacientëve dhe gjendjen aktuale shëndetësore të tyre.
“Ministria e Shëndetësisë është në dijeni se në spitalin e psikiatrisë në Toponicë të Epërme në Nish janë 47 pacientë shqiptarë nga Kosova. Ne do të kontaktojmë me spitalin në Nish për të kuptuar gjendjen e tyre shëndetësore, natyrisht nëse mund të vemë kontakt. Nëse nuk do të mund të kontaktojmë, atëhere ne do të përpiqemi që të angazhojmë organizatat humanitare ndërkombëtare që do të interesohen për fatin e këtyre pacientëve”, tha zoti Kasap. Ndërkaq, Nuhi Ismaili, këshilltar i Ministrit të Punës dhe të Mirëqenies Sociale, Ahmet Isufi, thekson se kjo ministri edhe më herët është interesuar për fatin e të gjithë pacientëve kosovarë, të cilët aktualisht gjenden në spitalet e Serbisë.
“Përmes stafit të administratës së UNMIK-ut, e cila ka punuar në ministrinë tonë deri tani, kemi pasur edhe kontakte të drejtpërdrejta me qeverinë e Serbisë dhe me organet përkatëse dhe kemi këmbyer edhe pacientë të tillë. Domethënë se kjo nismë te ne ka filluar që më herët dhe jemi të gatshëm, që tu dalim në mbrojtje dhe në shërbim edhe këtyre qytetarëve që momentalisht ndodhen atje. Politika jona është që të gjithë qytetarët e Kosovës që ndodhen në Serbi, pavarësisht nëse janë të sëmurë, të retarduar apo fëmij pa prindër, të cilët momentalisht janë të strehuar atje, t’i kthejmë në Kosovë”, tha zoti Ismaili.
Ngjashëm shpreh mendimin edhe zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë zoti Kasap.
“Ministria jonë dhe Ministria për Mirëqenie Sociale do të koordinohen, që nëse kthehen këta pacientë, ata të kenë kujdesin dhe trajtimin e nevojshëm. Këta pacientë duhet të kthehen në Kosovë, sepse këtu është vendlindja e tyre”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetsisë.
Në rast të kthimit të këtyre pacientëve në Kosovë, përgjegjësinë për trajtimin e tyre do të duhej ta merrnin Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Mirëqenies Sociale, varësisht nga gjendja shëndetsore e pacientëve dhe nevojat e tyre për trajtim adekuat.
Ndërkaq zoti Ismaili thekson se, për akomodimin e këtyre pacientëve nevojitet angazhimi i të gjitha institucioneve qeveritare në mënyrë që të sigurojnë infrastrukturën e nevojshme, e cila sipas tij, mungon.
“Konkretisht, Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale ose të themi Qeverisë së Kosovës në përgjithësi, në këto fusha i mungon infrastruktura. Ju e dini që ne e kemi vetëm një qendër ,apo një shtëpi speciale, siç është Instituti i Shtimes që është për këta njerëz, por ai është i dedikuar për njerëz të retarduar e jo për njerëz të sëmurë psiqikë; por aty ende ka një dyfishim të numrit dhe përzierje të pacientëve. Do të thotë se ka edhe të sëmurë psiqikë dhe të retarduar që nuk e kanë vendin aty, por për shkak të mungesës së institucioneve dhe infrastrukturës, momentalisht ata ndodhen edhe sot aty. Por, fundi i fundit do të gjendet një zgjidhje dhe ata qytetarë nuk do t’i lëmë në rrugë”, tha zoti Ismaili.
Sidoqoftë, zyrtarët e të dy ministrive theksojnë se kthimi i 47 pacientëve shqiptarë nga spitali i Toponicës të Epërme, do të jetë çështje, me të cilët institucionet kosovare do të merren gjatë ditëve të ardhshme ndërkaq që, zyrtarët e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale kanë theksuar se, sipas politikës së kësaj ministrie, kjo çështje do të jetë edhe një nga temat që do të duhej të bisedohej në dialogun eventual të paralajmëruar ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.





XS
SM
MD
LG