Ndërlidhjet

RUGOVA: DËSHIROJMË MARRËDHËNIE TË MIRA ME TË GJITHË FQINJËT


Zijadin Gashi Prishtinë

Delegacioni i Kosovës në përbërje me kryetarin Ibrahim Rugova dhe kryeparlamentarin Nexhat Daci, janë nisur sot për në Vjenë, për të marrë pjesë në takimin e nesërm me Beogradin dhe për të shënuar kështu fillimin e bisedimeve teknike të organizuara nga shefi i misionit ndërkombëtar në Kosovë, Harri Holkeri.
Vendimin për të shkuar në Vjenë, tha kryetari Rugova e kam marrë në bazë të kompetencave të përcaktuara me Kornizën Kushtetuese dhe duke u mbështetur në kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare:
“Në bazë të kërkesave të bashkësisë ndërkombëtare, Kosova duhet të marrë pjesë në këto biseda për çështje praktike në Vjenë, prandaj është një rast dhe ne kemi demonstruar që Kosova të mos akuzohet para bashkësisë ndërkombëtare, pra është palë që dëshiron marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët”, tha Rugova.
Rugova tha në vazhdim se përkundër faktit që Kosova përfaqësohet në Vjenë me një delegacion jo të kompletuar, institucionet e Kosovës do të funksionojnë dhe se dallimet ekzistuese, sipas tij do të tejkalohen. Rugova tha gjithashtu se për shkuarjen e tij në Vjenë, beson se e ka edhe mirëkuptimin e qytetarëve të Kosovës.
Ndërsa kryetari i Kuvendit Nexhat Daci, pohoi para nisjes se mungesa e kryeministrit Bajram Rexhepi është hendikep real për përfaqësimin e Kosovës në Vjenë, por shtoi se edhe subjektet tjera politike dhe udhëheqësit kosovarë duhet t’i marrin mbi vete përgjegjësitë që u takojnë. Sidoqoftë tha Daci, Kosova shkon e përgatitur dhe se Vjena sipas tij, do të jetë rasti i parë i përfaqësimit të Kosovës nga vetë kosovarët:
“Jam më i bindur se kurrë që Kosova do të përfaqësohet denjësisht ashtu siç e meriton dhe se nuk kam asnjë frikë dhe asnjë hezitim se nuk do ta përfaqësojmë ashtu siç duhet”, pohoi Daci.
Ndërkohë, shefi i UNMIK-ut Harri Holkeri, i cili ka udhëtuar bashkë me delegacionin kosovar, i ka fajësuar partitë politike për dështimin e tyre në unifikimin e qëndrimeve dhe se delegacioni jo i kompletuar i Kosovës, sipas Holkerit ishte pikërisht rezultat i dallimeve mes partive që e përbëjne qeverinë e Kosovës.
“Mirëpo sinqerisht ne do të përpiqemi që ta përfaqësojmë Kosovën në mënyrë pozitive në Vjenë”, tha Holkeri, i bindur se Rugova dhe Daci, megjithatë janë personalitete që e përfaqësojnë nivelin më të lartë të Prishtinës në këto bisedime.
Pak çaste para nisjes së delegacionit të Prishtinës, për në Vjenë, përfaqësuesit e vendeve të Kuintit edhe sot i kanë vazhduar përpjekjet e tyre për kompozimin e delegacionit kosovar. Kështu, sipas një njoftimi të PDK-së, në selinë e zyrës amerikane, diplomatët perëndimorë në Prishtinë takuan edhe një herë kryetarin e Partisë Demokratike Hashim Thaçin, për ta bindur atë që në mungesë të kryeministrit Rexhepi, ai t’i bashkangjitet delegacionit kosovar. Mirëpo, takimi ka përfunduar pa sukses, ngase sipas njoftimit të Partisë Demokratike, thuhet se “kryetari i PD-së Hashim Thaçi refuzoi ftesën vendeve të Kuintit për pjesmarrje në takimin e Vjenës më 14 tetor”.
Ndërsa në një kumtesë tjetër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, për udhëtimin jo të kompletuar të delegacionit kosovar në Vjenë, fajësohet kryeparlametari Daci. “Protagonisti kryesor i këtij totalitarizmi dhe arbitrariteti në Kuvendin e Kosovës ishte pikërisht kreu i Kuvendit, Nexhat Daci”, thuhet në deklaratën e PDK-së. Në qëndrimin e kësaj partie thuhet po ashtu se Nexhat Daci nuk e ka mandatin e Kuvendit dhe popullit të Kosovës, për ta përfaqësuar Kosovën në Vjenë. Këtë konstatim PDK-ja e mbështet në faktin se Nexhat Daci, nuk e kishte lejuar Kuvendin që të deklarohet lidhur me bisedimet teknike.
Ndërkohë edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, i është drejtuar opinionit përmes një komunikate, në të cilën i quan bisedimet me Beogradin improvizim dhe me pasoja sa i përket rëndimit të situatës politike në Kosovë.
“AAK konsideron se improvizimet e UNMIK-ut rreth bisedimeve Kosovë-Serbi dhe improvizimet e bëra nga vendorët rreth pjesëmarrjes në këto biseda, kanë krijuar një situatë të rënduar në procesin politik nëpër të cilin po kalon Kosova”, thuhet në këtë komunikatë. Për tejkalimin e kësaj gjendjeje, AAK-ja kërkon nga spektri politik dhe institucionet e Kosovës, si dhe nga vendet e Kuintit, që menjëherë të fillohet me kompletimin e Qeverisë së Kosovës me të gjitha ministritë e nevojshme për funksionalizimin e saj të plotë. AAK kërkon gjithashtu dhe ridefinimin e marrëdhënieve të UNMIK-ut me institucionet e Kosovës si dhe pranimin e garancive që statusi final i Kosovës, sipas kësaj partie, të zgjidhet sipas vullnetit të popullit të Kosovës.
Delegacioni kosovar ka udhëtuar për në Vjenë edhe pa përfaqësuesit e pakicave. Në mungesë të kryeministrit Rexhepi, administrata e UNMIK-ut, sipas një zëdhënësi të saj, ka vlerësuar se përfaqësuesi i serbëve si edhe përfaqësuesi i minoriteteve joserbe, kanë qenë pjesë e qeverisë, prandaj pa kryeministrin është vendosur që edhe ata nuk duhej të udhëtonin në Vjenë.



XS
SM
MD
LG