Ndërlidhjet

logo-print

ZBEHET IMAZHI I ELITËS AKTUALE POLITIKE


Melazim Krasniqi

Pavarësisht përbërjes që do të ketë delegacioni i Kosovës në këto bisedime, ajo që mbetet si shije e hidhur e parapërgatitjeve, ka të bëjë me faktin se u rikthye paaftësia e partnerëve të koalicionit qeveritar, që të bashkëpunojnë dhe të formësojnë qëndrime unike lidhur me çështjet thelbësore të fateve të vendit. Këndvështrimet e ndryshme nuk arritën t'i sheshojnë, as darkat e begatshme të përfaqësuesit special Harri Holkeri, as takimet e shumta të diplomatëve të akredituar në Prishtinë dhe madje as ardhja speciale dhe prezantimet spektakolare të Holbrookut dhe të Kouchnerit. E vërtetë është se mungesa e unitetit ka qenë karakteristikë e këtij koalicioni që nga themelimi i tij, por deri tani është vënë re më pak. Përderisa ka qenë prioritet sigurimi i stabilitetit politik në Kosovë, ky koalicion ka funksionuar me njëfarë inercioni, gjithsesi brenda kontekstit të administrimit civil ndërkombëtar. Por edhe brenda këtij konteksti, secili nga partnerët ka ndjekur politikat e veta në resortet përkatës dhe ashtu është krijuar një qeverisje parciale.
Është e habitshme, por vërtet për dy vjet, nuk ka ndodhur asnjë takim formal i liderëve të partive shqiptare që përbëjnë koalicionin. Po të krahasohet kjo gjë me sjelljet e koalicionit qeveritar të Serbisë, pra palës që i pret në takimin e Vjenës, shihet një trend krejt i kundërt. Megjithë mjaft kundërshtime që shpërthejnë për çështje të caktuara, DOS-i i formëson të gjitha platformat dhe qëndrimet politike, të cilat pastaj shndërrohen në politika qeveritare. Kështu ka ndodhur edhe me deklaratën e qeverisë së Serbisë për Kosovën, por edhe me marrjen e qëndrimit për bisedimet e Vjenës.
Mirëpo udhëheqja e Kosovës, nuk ka marrë mësim as nga këto praktika tek fqinjët dhe në momentin që është dashur që koalicioni të formësojë një politikë të konsensusit për çështje të rëndësishme, si ajo e fillimit të bisedimeve me Beogradin, ka dalë në sipërfaqe pasoja e mosbashkëpunimit të gjatë.
Me javë të tjera është humbur kohë duke luajtur ping pong me përgjegjësinë se kush do të marrë vendimin politik lidhur me pranimin e ofertës për këto bisedime. Në mungesë të vullnetit që liderët partiakë të merren vesh, njëra nga adresat më të përfolura, ka qenë ajo e Kuvendit të Kosovës. Mirëpo, për të satën herë, u dëshmua se Kuvendi nuk është instancë që formëson vendimet politike, por vetëm instancë ku ato vendime shndërrohen në dokumente, nëse egziston qëndrimi unik i partive politike që përbëjnë shumicën parlamentare. Ngjarjet e ardhshme do të tregojnë se kush ka patur më shumë të drejtë në kalkulimet e veta, por ajo që dihet që tani, është se imazhi i kësaj elite politike është zbehur ndjeshëm, si para faktorëve ndërkombëtarë, ashtu dhe para qytetarëve të Kosovës.
Dhe tjetra hyrja në këtë proces të ndërlikuar pa një platformë të qartë, pa unitet politik, mund të ndikojë në dobësimin e pozitës negociatore të Kosovës dhe përgjithësisht të identitetit të saj politik.
XS
SM
MD
LG