Ndërlidhjet

logo-print

QEVERIA DO TË KYÇET MË VONË NË GRUPET E PUNËS


Iliriana A. Bajo, Vjenë

Mbërriti në Vjenë, në orët e vona të pasdites së sotme delegacioni i Kosovës që do të marrë pjesë në bisedimet për çështjet praktike që do të fillojnë nesër. Siç është bërë e ditur,kryetari Rugova me ndihmësit e tij dhe kryeparlamentari Nexhat Daci, së bashku me ekipin e këshilltarëve, janë përfaqësuesit e Kosovës në takimin e Vjenës. Njëherësh së bashku me zotin Rugova dhe Dacin ka mbërritur dhe kryeadministratori i UNMIK-ut Harri Holkeri, me një pjesë të ekipit të tij, ndërsa pjesa më e madhe e ekipit të UNMIK-ut që do të jetë i pranishëm në takim ka mbërritur që prej dy ditësh. I pyetur lidhur me rëndësinë e bisedimeve të Vjenës, shefi i UNMIK-ut Harri Holkeri tha:
" Ky është një takim i rëndësishëm se ndodh për herë të parë pas shumë kohësh dhe do të hapet mundësia për të diskutuar. Megjithatë më duhet të them se ky takim do të jetë shumë i shkurtër," pohoi kryeadministratori i Kosovës.
Ndërkaq eksluzivisht për programin e gjuhës shqipe të Radios Evropa e Lirë, lidhur me mospjesëmarrjen e qeverisë së Kosovës dhe faktin se sa i dëmton mungesa e përfaqësuesve të ekzekutivit, bisedimet për çështje praktike, zoti Holkeri theksoi:
" Qeveria do të jetë në lojë pa diskutim, por kjo kur të fillojnë grupet e punës dhe qeveria atëhere do të jetë aktive", tha përfaqësuesi special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë Harri Holkeri. Më tej sërisht për programin tonë, zoti Holkeri sqaroi pamundësinë për të patur një delegacion të plotë kosovar në këto bisedime.
" Duke patur parasysh këtë mosunitet të partive politike të Kosovës, nuk kemi qenë në gjendje që të arrinim përfaqësimin aq të gjerë sa e dëshironim, domethënë me përfaqësues nga të tre institucionet kryesore", tha Holkeri.
Megjithatë kryeadministratori i Kosovës nuk pranoi të jepte arsyet se përse në momentin e fundit nuk erdhën përfaqësuesit e pakicave.
Sipas burimeve pranë delegacionit të UNMIK-ut, thuhet se në një periudhë 6 apo nëntë mujore, do të ketë sërisht takim për të parë se si janë realizuar planet që do të parashihen në takimin e nesërm dhe ecuria e mëtejshme me grupet e punës.


XS
SM
MD
LG