Ndërlidhjet

PËRSE KOSOVA MBANË ÇELËSIN E SË ARDHMES SË BALLKANIT


Financial Times, LONDËR

Serbët insistojnë se Kosova, që prej përfundimit të luftës në vitin 1999 administrohet nga Kombet e Bashkuara, mbetet pjesë e Serbisë. Shumica shqiptare në Kosovë dëshiron pavarësi. Kryeadministori Harri Holkeri synon që në bisedat e Vjenës kjo çështje e ndjeshme as që duhet të përmendet. Ky nuk është Kongres i Vjenës. Por, është fillim i pjesës më të rëndësishme të diplomacisë në hapësirat e ish Jugosllavisë prej se trupat e Natos e detyruan ish liderin serb, Sllobodan Millosheviq, që të tërhiqet nga Kosova para katër vitesh. Këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me statusin e Kosovës, por poashtu edhe me të ardhmen politike dhe ekonomike të këtij rajoni të trazuar.

Me përjashtim të Sllovenisë, vendet e tjera që e përbënin ish Jugosllavinë, në shkallë të ndryshme, u prekën nga konflikti. Sot vështirë se mund të kthehet gjendja e luftës. Por shtyrja e zgjidhjes do ti ndërlikoj përpjekjet për ta kapërcyer stagnimin ekonomik, papunësinë e madhe dhe krimin, përfshirë dhe kontrabandimin e drogës, të armëve dhe të njerëzve brenda Evropës Perëndimore. Në këtë kuadër, Bernar Kushneri, ish kryeadministrator i Kosovës, në fjalimin e tij para disa ditësh në Kosovë tha: "kjo është pika e fundit e rrezikut në zemër të Evropës".

Çështja e Kosovës është çështje tejet e vështirë pasi statusi i saj juridik është i përkohshëm...prandaj atje ekziston një presion i vazhdueshëm për zgjidhjen e statusit përfundimtar. Kosova i ka institucionet e veta por motoja e administratës së Kombeve të Bashkuara "standardet para statusit" nënkupton se shqiptarët duhet të tregojnë se janë të gatshëm për qeveri para transferit të plotë të kompetencave. Kryetari i Kuvendit, Nexhat Daci thotë se "Kombet e Bashkuara po na stërvisin të notojmë por nuk na lejojnë të futemi në ujë".

Për shumë serb Kosova mbetet djep historik i kombit të tyre. Por prej përmbysjes së Sllobodan Millosheviqit, serbët e Beogradit kanë filluar të sillen në mënyrë pragmatike. Nebojsha Çoviq, zëvendës kryeministër i Serbisë, sadoqë e kundërshton pavarësinë e Kosovës, aktualisht ka thënë se statusi final është çështje për negociata. Privatisht, politikanët e Beogradit po e shqyrtojnë ndarjen...sipas së cilës Kosova Veriore, e banuar kryesisht me serbë, do ti bashkohej Serbisë, ndërsa pjesa tjetër do të bëhej e pavarur.

Por ndarja do të ishte e papranushme për shqiptarët dhe, pothuajse me siguri, për bashkësinë ndërkombëtare. Diplomatë të Shteteve të Bashkuara thonë se një ndarje e këtillë do të inkurajonte copëtimin e mëtejmë edhe në hapësirat e tjera, veçanërisht në Bosnjë dhe në Maqedoni. Zyrtarë të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara, refuzojnë që zyrtarisht të diskutojnë për statusin final. Privatisht ata thonë se një zgjidhje e mundshme do të mund të ishte përfshirja e Kosovës autonome në një federatë të butë me Serbinë e Malin e Zi. Nëse kjo gjë, është e papranueshme për shqiptarët, siç është me siguri, përgjigjja e mundshme është pavarësia, e kombinuar me të drejtat për minoritetin serb dhe me një prani afatgjatë ndërkombëtare të sigurisë.

Edhe nëse bisedimet e Vjenës shkojnë shumë mirë, statusi final nuk mund të pritet të diskutohet për të paktën një vit, për shkak të zgjedhjeve parlamentare në Serbi dhe në Kosovë, e të mos përmendin zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara...
XS
SM
MD
LG