Ndërlidhjet

IBRAHIM RUGOVA BËN THIRRJE SHBA-së DHE BE-së TË NJOHIN PAVARËSINË E KOSOVËS


Iliriana Bajo, Vjenë

"Këtë mëngjes ne vendosëm të nisemi në një rrugë të rëndësishme. Sa i gjatë dhe i vështirë do të jetë ky proces, varet nga palët e përfshira nga këto bisedime," tha kryeadministratori i Kosovës Harri Holkeri, në konferencën për shtyp që u mbajt pasditen e sotme në përfundim të takimit të parë për çështje praktike mes Prishtinës dhe Beogradit. Holkeri bëri të ditur se deri në nëntor do të fillojnë aktivitetin grupet e punës në katër fusha: transport, energji, personat e zhdukur dhe kthimi i refugjatëve. I pyetur nga ne rreth faktit se a do të thotë kjo se deri në nëntor do të transferohen kompetencat në këto fusha tek institucionet vendore, shefi i UNMIK-ut tha se ka ende disa probleme ligjore lidhur me kalimin e pushtetit, por shtoi megjithatë se qeveria e Kosovës dhe UNMIK-u janë partnerë dhe do të punojnë së bashku. Ndërkaq shefi i diplomacisë evropiane Havier Solana, u shpreh optimist për takimin e sotëm dhe e vlerësoi atë si tepër të rëndësishëm.
"Ju duhet të konkludoni se sot është ditë e rëndësishme për rajonin, dhe Ballkanin në përgjithësi," tha Solana.
Nga ana tjetër Komisioneri Evropian për Marrëdhëniet me jashtë Kris Patten, i cili mori pjesë në bisedime, nuk ndante të njëjtin optimizëm si zoti Solana dhe tha se sot nuk kishte dialog, por thjesht ishte fillimi dhe e rëndësishme që palët u takuan.
"Çfarë është e rëndësishme është të sigurojmë se ky nuk ishte një hap i vetëm, por duhet të vazhdohet më tej. Megjithatë ne e bëmë hapin e parë," tha Patten, për të vazhduar se Bashkimi Evropian do të mbështeste fuqimisht këtë proces, në mënyrë që bisedimet teknike të ishin të suksesshme. Pas përfaqësuesve ndërkombëtarë, në dy konferenca të ndara për shtyp dolën delegacioni i Prishtinës dhe ai i Beogradit. Në fjalën e tij, Kryetari i Kosovës Ibrahim Rugova, mes të tjerash tha:
" Dhe siç e dini objektivi ynë është Kosova e pavarur, demokratike, e integruar në Bashkimin Evropian, në NATO, me miqësi të përhershme me SHBA-të". Më tej Rugova vazhdoi:" Ne e theksojmë se njohja formale e pavarësisë së Kosovës, sa më shpejt të jetë e mundur, do t'i shpejtojë proceset e brendshme demokratike, ekonomike dhe integruese të Kosovës dhe do t'a qetësonte rajonin e Evropës Juglindore", tha kryetari Rugova.
Nga ana tjetër kryeministri serb, Zoran Zhivkoviç, që ishte drejtues i delegacionit serb, deklaroi:
"Ajo që ishte e mirë rreth këtij takimi ishte fakti se u ulëm së bashku në një tryezë të njëjtë dhe biseduam një kohë të gjatë", tha Zhivkoviç. Por zëvendëskryeministri serb Çoviç, ndonëse i vlerësoi bisedimet tha se kishte dhe shenja negative.
" Sot nuk kishte dialog. Ne vetëm u takuam dhe kishte shenja pozitive se mund të ulemi dhe mund të bisedojmë. Megjithatë ka dhe shenja negative siç është mospjesëmarrja e serbëve në delegacionin e Kosovës", pohoi Çoviç. Por ka qenë nga ana tjetër kryeparlamentari Nexhat Daci, i cili ka përsëritur qëndrimin se pavarësia e Kosovës është proces pa kthim.
" Pavarësia e Kosovës është proces i padiskutueshëm, proces i pakthyeshëm dhe për të mbrojtur pavarësinë kosovarët do të përdorin të gjitha rrugët demokratike," tha Daci.
"Kosova dhe kosovarët janë të përgatitur të paguajnë çdo çmim dhe ne vlerësojmë demokratik për këtë rrugë," përfundoi kryeparlamentari Nexhat Daci.




XS
SM
MD
LG