Ndërlidhjet

logo-print

DELEGACIONI KOSOVAR SHPREHET I KËNAQUR NGA TAKIMI I VJENËS


Zijadin Gashi, Prishtinë

Fillimin e bisedimeve teknike me Beogradin, Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, e ka cilësuar si një ditë të suksesit që e çon Kosovën drejt pavarësisë së saj. Këto komente, kryetari Rugova i ka bërë pas kthimit nga Vjena, ku ai bashkë me kryetarin e Kuvendit të Kosovës Nexhat Dacin, përfaqësuan Kosovën në fillimin e bisedimeve teknike me Beogradin, të organizuara nga shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë Harri Holkeri.
Edhe zoti Holkeri, e vlerësoi takimin e Vjenës si një ngjarje të rëndësishme. Ai tha se ky takim e nxjerr Kosovën nga status quo-ja ekzistuese.
“Tani ne jemi duke përparuar dhe jemi duke ecur nëpër një rrugë të re”, tha Holkeri, për të shtuar se ende ka shumë gjëra për të bërë edhe pas ngjarjes së Vjenës. Holkeri tha se komuniteti ndërkombëtar i ka dhënë mbështetje të plotë dialogut dhe falënderoi pjesmarrësit e tij të ftuar nga Kosova.
Ndërsa kryetari Rugova vlerësoi se takimi i Vjenës ka filluar me bisedat për çështje praktike, por sipas tij, ky proces do të përmbyllet me pavarësinë e Kosovës.
“Ishte një ditë e suksesit të Kosovës, një ditë në të mirë të pavarësisë. Dhe, shkurt mund të them se ishte një ditë e rëndësishme. Pra, kanë filluar bisedat për çështjet praktike, por është një ditë në të mirë të pavarësisë së Kosovës”, tha Rugova.
Siç dihet në takimin e Vjenës, Kosova u përfaqësua me një delegacion jo të kompletuar, pasi atje nuk udhëtoi kryeministri Bajram Rexhepi, ndërsa më pas për arsye të ndryshme nuk udhëtuan as përfaqësuesit e minoriteteve. Sidoqoftë, takimi i Vjenës, shënoi fillimin e dialogut për çështje praktike Prishtinë - Beograd, katër vjet pas luftës, çka nga komuniteti ndërkombëtar vlerësohet të jetë dhe një prej parakushteve për integrimet evropiane, kurse sa i përket Kosovës, vënia e dialogut me Beogradin paraqet dhe një prej tetë standardeve që Kosova duhet t’i përmbushë para se të mund të shpresojë në zgjidhjen e statusit të saj përfundimtar.



XS
SM
MD
LG