Ndërlidhjet

B. HAXHIU: KA FILLUAR NJË ETAPË E RE E MARRËDHËNIEVE SHQIPTARO-SERBE


Baton Haxhiu, analist nga Prishtina

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haxhiu, si e vlerësoni ju fillimin e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, në fakt, si e vlerësoni takimin e djeshëm në Vjenë?

BATON HAXHIU
Asgjë e re. Domethënë kam pritur që ky takim të jetë simboli dhe të fillojë procesin e komunikimit shqiptaro-serb, për arsye se konsideroj se lufta në Kosovë ka përfunduar, konsideroj se paqja e papërfunduar, me Vjenën shndërrohet në fillimin e procesit paqësor, prandaj ka qenë e rëndësishme prezenca e delegacionit kosovar në Vjenë dhe nuk më kanë bërë përshtypje fare fjalimet e asnjërit lider, domethënë as të zotit Rugova dhe as zotit Zhivkoviç, ashtu si edhe fjalimet e ndërkombëtarëve, por me rëndësi është që ka filluar një etapë e re e marrëdhënieve shqiptaro-serbe. Unë nuk mendoj që nga ky takim dikush ka pritur më shumë se kaq. Ajo që ka pritur ka qenë bashkësia ndërkombëtare, e cila ka pritur së paku një respekt të kosovarëve, që prezenca e tyre në Vjenë të jetë ashtu siç ata kanë menduar. Domethënë të jetë një prezencë institucionale, për arsye se ky ka qenë një lloj vlerësimi i bashkësisë ndërkombëtare se në Kosovë po ndërtohen institucionet. Kjo është arsyeja pse unë personalisht jam i zhgënjyer nga kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi, i cili ka treguar se është kryeministër i vetvetes dhe në njëfarë mënyre nuk ka respektuar dy milionë shqiptarë të Kosovës, shumica e të cilëve, pavarësisht nga dhimbjet, dhe nga të gjitha që kanë ndodhur, kanë dashur që Rexhepi të jetë atje dhe ta thotë atë që është dashur ta thotë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haxhiu, po çfarë prisni ju nga zhvillimet e tanishme, pas fërkimeve, me të cilat janë përballur institucionet e Kosovës para shkuarjes në Vjenë. Cilat janë zhvillimet brenda përbrenda institucioneve të Kosovës?

BATON HAXHIU
Çështja kryesore te ky takim ka qenë që ne të rregullojmë imazhin, apo të rikthejmë imazhin, i cili ka qenë jo vetëm duke u humbur, por edhe duke u shkatërruar dhe ky imazh tani është dëmtuar edhe më shumë. Nuk e di se si mund të dëmtohet imazhi i Kosovës më shumë se nga mosprezenca e kryeministrit të Kosovës apo shkuarja e delegacionit kosovar të përgjysmuar. Ekzistojnë disa grupe në Kosovë që dëshirojnë që përmes tyre ta bëjnë në njëfarë mënyre kontrollimin e pushtetit, apo të jenë në njëfarë mënyre qeveri nën hije, qofshin ato të shoqërisë civile, qofshin të partive politike. Nuk po flas për gabimet strategjike dhe megalomane të një partie politike, por po flas për grupet e NGO-ve (OJQ-ve), të cilat kanë ndikuar shumë për bllokimin dhe frenimin e procesit politik, apo rastin e Vjenës. Nuk guxojmë që kur ekzistojnë institucionet e Kosovës, të ndërtojmë delegacione, të cilat janë jashtë institucionale. Ne mund të organizojmë grupe që ndihmojnë institucionet e Kosovës, por jo që atje të jenë grupet që nuk u takojnë institucioneve. Mendoj se zoti Rugova ka treguar diçka që ne e kemi pritur-loajalitetin maksimal ndaj bashkësisë ndërkombëtare, që për mua personalisht është shumë më i rëndësishëm sesa refuzimi i shkuarjes në Vjenë. Këto të dyja nuk kanë ekuivalencë. Nuk guxojmë të luajmë me imazhin tonë, duke refuzuar gjithë ato shtete dhe gjithë atë prezencë të bashkësisë ndërkombëtare dhe duke i dhënë konotacion politik.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haxhiu, ju i përmendët grupet punuese, ndërkohë kryetari Rugova ka thënë në Vjenë se shpreson që qeveria do të përfshihet në punën e këtyre grupeve, e të njëjtën gjë në një mënyrë e ka thënë edhe kryeministri Rexhepi në prononcimin e tij drejtuar mediave të huaja, por jo në fjalimin publik. Sa besoni ju se mund të gjejë hapësira dhe mundësi qeveria e Kosovës që të përfshihet tani në fazën e dytë të këtij procesi?

BATON HAXHIU
E para e punës, unë nuk shoh mundësi morale që zoti Bajram Rexhepi ta udhëheqë dhe mëtutje qeverinë e Kosovës. Unë mendoj se ai do të jetë i ndërgjegjshëm dhe ndërgjegja duhet të vlerësohet në këtë moment më shumë se gjithçka tjetër. Bajram Rexhepi nuk ka mundësi më që të jetë kryeministër i Kosovës dhe t’i udhëheqë delegacionet apo çështjet teknike. Nuk dua të hy në detaje se kush ka pasur gabime, a ka pasur presion Bajram Rexhepi apo jo, nga kush ka pasur presion, kush qëndron prapa kësaj, por pa marrë parasysh, nuk ka mundësi që një kryeministër siç është Bajram Rexhepi me një deklaratë, të tillë si e ka dhënë, të mbetet kryeministër i Kosovës.
Unë personalisht mendoj se Bajram Rexhepi ka qenë kryeministër i duhur në momentin e duhur, por në momente të tilla dhe sidomos deklarata famoze para opinionit publik kosovar ka qenë e paduhur, frazeologjike dhe e paqëndrueshme, prandaj unë konsideroj se duhet të rishqyrtohet pozicioni i qeverisë dhe institucioneve të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haxhiu, t’u kthehemi edhe një herë vetë bisedimeve. Ju thatë se takimi i Vjenës u mbajt ashtu siç edhe është pritur, si takim simbolik. Mirëpo, sipas jush çfarë do të prodhojë ky takim në kuptimin e rezultateve dhe pasojave të mundshme?

BATON HAXHIU
Pasojat do të jenë për Kosovën, kurse rezultatet e këtij takimi janë vetëm fillimi i një procesi, i cili do të fillojë në vitin 2005 dhe asgjë tjetër. Domethënë, realizimi i fillimit të një standardi, i cili ka qenë i paraparë. Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar “exit-strategjinë”, domethënë strategjinë e daljes nga Kosova dhe e ka filluar me takimin e Vjenës, prandaj unë konsideroj që konsekuencat nuk do të jenë te bashkësia ndërkombëtare, ato nuk do të jenë te pala serbe, por do të jenë në zhvillimin e procesit të Kosovës, sepse gjithkush e di se pavarësia e Kosovës nuk ka alternativë dhe e dinë këtë edhe në Serbi, edhe në Kosovë. Tre muaj më parë e kemi pasur çështjen e statusit, e kemi biseduar me ju – ka qenë dilema, Serbia duhet të përcaktohet ose për Bashkimin Evropian, ose për palestinizimin e rajonit. Me siguri se ata do të përcaktohen për Bashkimin Evropian dhe ky përcaktim ne na e hap rrugën që të jemi kooperues me bashkësinë ndërkombëtare dhe na e hap rrugën se si ta ndërtojmë pavarësinë e Kosovës dhe ekuivoket e tilla të prodhimit të tradhtarëve dhe patriotëve, në situata shumë të rënda për Kosovën karshi bashkësisë ndërkombëtare, më bën të jem skeptik nëse jemi të gatshëm që në një periudhë deri në vitin 2008, kur parashihet të rregullohet statusi i Kosovës, të jemi në gjendje ta vëmë atë vijën e aplikimit të nuancave për ndërtimin e pavarësisë.

Intervistoi Rrahman Paçarizi
XS
SM
MD
LG