Ndërlidhjet

logo-print

KURSPAHIÇ: " DËGJOJMË VETËM VETVETEN"


Kemal Kurspahiç, publicist dhe gazetar i njohur nga Sarajeva

RADIO EVROPA E LIRË
Si mund të rivendoset mirëkuptimi dhe paqja në Ballkan?

KEMAL KURSPAHIÇ
Unë mendoj që mirëkuptimi ose, nëse dëshironi, pajtimi apo paqja mes nesh dhe rreth nesh, mund të ndërtohet vetëm me zbardhjen e së kaluarës së afërt, jo në heshtjen e saj, as në futjen nën kanape. Në këtë këndvështrim kujtoj se rruga e vetme e mirëkuptimit është dënimi i përgjegjësve për krime, që do të thotë se duhet vërtetuar pëgjegjësia morale të atyre që i kanë përkrahur dhe që i kanë ngritur, pra zbardhja e çështjes së viktimave, përulja para viktimave në të gjitha anët dhe vetëm pastaj duhen ndërtuar urat për mirëkuptim. Vetëm në paketin që nënkupton ndriçimin e krimeve dhe përgjegjësitë për to, duke i respektuar viktimat është i mundur ndërtimi i besimit dhe mirëkuptimit.

RADIO EVROPA E LIRË
Nuk ju duket se fenomenin e vënies së mirëkuptimit mund ta reduktojmë nga rajoni në vetë Bosnje Hercegovinë, duke pasur parasysh problemin aktual të interesave të ndryshme nacionale dhe qëndrimeve politike ndaj tyre?

KEMAL KURSPAHIÇ
Absolutisht. Çështja është plotësisht identike. Shikoni instistimin më të ri, atë të bashkësisë ndërkombëtare që të marrë nga Banja Lluka ndonjë qëndrim definitiv ndaj Srebrenicës. E dini, Srebrenica është krimi më i rëndë globalisht i dokumentuar në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Për këtë ekzistojnë libra, ekzistojnë dokumente. Për këtë, për fat të keq, bota di më shumë se ç'dimë ne ose më shumë se ajo që bëjmë se nuk dijmë. Kujtoj që kjo është shumë me rëndësi për Bosnje Hercegovinën.

RADIO EVROPA E LIRË
Ngjashëm është edhe me Serbinë respektivisht me Kosovën?

KEMAL KURSPAHIÇ
Këtë përpjekje e kam parë para disa ditësh në Vjenë, ku ndodhi e njëjta gjë, madje edhe në fushën mediale, nëse doni. Për mua ka qenë zhgënjyese kur në ditarin e mbrëmjes në Televizionin e Beogradit, respektivisht menjëherë pas ditarit, kishin një kronikë pikërisht për përpjekjet për dialog dhe për fat të keq nuk arritën t'a prezantojnë dialogun, sepse janë transmetuar në mënyrë të detajuar, fjalë për fjalë, vetëm fjalimet e Zoran Zhivkoviçit e Dragan Çoviçit, por jo edhe fjalimet e ndonjërit prej përfaqësuesve kosovarë. Kjo ka lënë aq përshtypje të hidhur, pra fakti që ne dëgjojmë vetëm palën tonë dhe kjo është përshtypje e keqe e viteve 90', ndërsa ka dhe hapa pozitivë në mediumet në Serbi, përfshirë edhe Televizionin.

RADIO EVROPA E LIRË
Jeni lauruar me “Çmimin për mirëkuptim” si gazetar dhe publicist. Si e shikoni sot rolin e gazetarit dhe mediumeve në rajon në procesin e ripërtëritjes së besimit dhe mirëkuptimit? Në çfarë niveli është sot gazetaria në rajonin e Ballkanit në krahasim me atë nëpër botë?

KEMAL KURSPAHIÇ
Imazhet janë të ndryshme, situata është kaotike, por mendoj se ka përparim. Ndoshta pikërisht kjo vërehet tek ata që më së paku janë goditur nga lufta, ata e kanë një situatë më pak tragjike lidhur me gazetarinë. Në Kroaci ka përparim, ka pluralizëm, thjesht një përparim interesant në media. Në Serbi gjithashtu ka hapje. Pas epokës së Millosheviçit, çdo mundësi që të flitet edhe në formë neutrale për këtë të kaluar, është një përparim i theksuar. Në Bosnje Hercegovinë kam frikë se diçka që i ka karakterizuar vitet më të rënda në këtë vend, 1992-95, ruajtja e kulturës dhe traditës boshnjake për respektimin e tjetrit dhe mendimit tjetër, për fat të keq pas luftës, në masë të madhe është degraduar dhe mendoj që në situtën aktuale, madje edhe në gazetarinë e Sarajevës, atje ku është një qendër e gazetarisë së Bosnje Hercegovinës, po ndodhin përvoja të pakëndshme dhe dramatike me dominimin e gazetarisë së shkopit, ku bëhen diskualifikime të ulëta, njerëzit ndiqen sistematikisht për shkak se nuk pajtohen me ta.

Intervistoi Mehmed Agoviç


XS
SM
MD
LG