Ndërlidhjet

NË VATIKAN U ZHVILLUA CEREMONIA E LUMTURIMIT TË NËNË TEREZËS


Nën tingujt e këmbanave dhe zërin e Papa Gjon Palit të Dytë u shënua hapja e ceremonisë së lumturimit të Nënë Terezës, hap ky që e afron Nënë Terezën fare pranë shenjtërimit.
"Si nëna e vërtetë e të varfërve ajo vendosi të ishte në shërbim të më të varfërve, të atyre që rreshtoheshin në rradhët më të fundit të shoqërisë."
Këto ishin fjalët e Arqipeshkvit Leonardo Sandri, duke folur në ceremoninë e lumturimit të Nënës Terezë, që u zhvillua sot në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, në prani të mbi 300 mijë pelegrinëve të ardhur nga gjithë bota.
Gonxhe Bojaxhiu, e njohur si Nënë Tereza e Kalkutës, është lindur në një familje shqiptare në Shkup, më 26 gusht 1910.
"Me gjak jam shqiptare, me nënshtetësi indiane. Përsa i përket besimit jam murgeshë katolike. Sipas thirrjes i përkas botës. Por zemra ime i përket plotësisht zemrës së krishtit". Janë këto fjalët e gruas me shtat imcak, që nuk rreshti asnjëherë duke ndihmuar të varfërit, por që nuk harroi asnjëherë dhe origjinën e saj.
"Unë jam t'uj u lut për ju. Zoti kjoftë me ju". Është kjo një nga lutjet që Nënë Tereza i ka bërë në gjuhën shqipe, në nja nga takimet me shqiptarët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pikërisht origjina e nënë Terezës, e pranuar nga ajo vetë, është që në hapje të librezës së vogël, që iu është shpërndarë pjesëmarrësve me këtë rast.
Nga ana tjetër delegacionit të Kosovës dhe të Shqipërisë i është bërë një nder i vecantë, duke u vendosur në rradhët e para të të ftuarve të nderit. Njëherësh 2 fëmijë shqiptarë kanë qenë pranë Papa Gjon Palit të Dytë, të veshur me kostume tradicionale shqiptare, ka sqaruar për programin në gjuhën shqipe të radios "Evropa e Lirë", ipezhkv Mark Sopi, pjesëmarrës në ceremoni.
Në moshën 18 vjecare, në vitin 1928 e shtyrë nga dëshira për t'u bërë misionare Nëna Terezë shkoi në Institutin e së Lumes Zojë, që njihet me emrin "Mortrat e Loretos", në Irlandë.
Më 17 gusht të 1948 Nëna Terezë veshi për herë të parë sarin e bardhë me shirita të kaltër, që u bë simboli i gruas që ndihmoi ata që ishin më në nevojë në mesin e nevojtarëve.
Ka qenë 21 dhjetori i vitit 1948 kur shkeli për herë të parë në lagjet e të varfërve në Kalkuta, ku vizitoi familjet, u lau plagët të sëmurëve dhe atyre që vdisnin në rrugë.
Që nga ajo kohë ajo u shërbeu atyre që janë" më të braktisur, të padashur të papërkujdesur", sic thoshte ajo.
Në vitin 1997 Nënës Terezë iu dha cmimi Nobel për paqe, që ajo e pranoi për "për lavdinë e Zotit e në emër të të varfërve".
Cështja e kanonizimit të Nën Terezës u hap më pak se dy vjet pas vdekjes së saj. Më 20 dhjetor 2002 Vatikani miratoi dekretin mbi virtytet heroike dhe mrekullitë e bëra me ndërmjetësinë e saj.
Megjithatë njerëzit në gjithë botën kanë qenë më të shpejtë se të gjitha procedurat, pasi për ta Gonxhe Bojaxhiu tashmë është shenjtorja Nënë Terezë.

Pergatiti: Iliriana A. BAJO
XS
SM
MD
LG