Ndërlidhjet

KRYEMINISTRI REXHEPI U NIS PËR NË LONDËR


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Do të kërkojmë përkrahje nga qeveria britanike për ta bërë më efikase qeverinë e Kosovës, ka deklaruar sot në aeroportin e Prishtinës, kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi, para nisjes për në Britaninë e Madhe, ku do të qëndrojë në një vizitë dyditore me ftesë të Ministrisë britanike të Punëve të Jashtme. Ditën e parë të vizitës zyrtare kryeministri Bajram Rexhepi, do të ketë një takim të veçantë me Xhek Strou, Ministër i Punëve të Jashtme të Britanisë dhe Dr. Denis Mekshein, Ministër i Shtetit për Evropën, ka bërë të ditur zyra për informim e kryeministrit Rexhepi, i cili sot bashkë me shefin e zyrës britanike në Kosovë Mark Dikinsën, është nisur për në Londër. Ai tha se kjo vizitë ishte planifikuar më herët dhe nuk kishte të bënte me bisedimet me Serbinë e Malin e Zi që filluan javën e kaluar në Vjenë pa pjesëmarrjen e tij. Kryeministri Rexhepi tha se do të kërkonte nga qeveria britanike përkrahje për ta bërë qeverinë më efikase dhe për ta kompletuar atë.
"Po sigurisht që do të kërkojmë përkrahje që edhe më tutje të na përkrahin në ngritjen e efikasitetit të institucioneve, në realizimin e prioriteteve të qeverisë. E dimë se DFID-i britanik si dhe shumë agjenci të tjera britanike kanë ndihmuar mjaft në rritjen e efikasiteteve në administratën publike, shërbimin civil etj", tha kryeministri Rexhepi.
Vizita në Londër po bëhet në kohën kur kryeministri Rexhepi, në disa deklarime për shtypin londinez ka akuzuar UNMIK-un për korrupsion në shuma të mëdha parash dhe për faktin se sipas tij pjesëtarët e UNMIK-ut shfrytëzojnë shërbimet e femrave të trafikuara në mënyrë të paligjshme në Kosovë. Kryeministri i Kosovës tha se këto shqetësime do t'ua shprehte edhe mikëpritësve të tij në Londër, pasi sipas tij kjo çështje tashmë është bërë një temë e pashmangshme që do zgjidhje.
"Po sigurisht është pjesë e pashmangshme dhe ajo dhe do t'i prezantoj percepsionet tona se si ne i shohim", tha kryeministri Rexhepi, i cili gjatë dy ditëve të qëndrimit në Londër, do të takohet edhe Karen Piërs, drejtoreshë e Departamentit për Adriatikun Lindor, zotin Pol Foks, zëvendësdrejtor dhe Ketrin Kolëms, drejtoreshë e seksionit për Kosovën.
Ditën e dytë të qëndrimit në Londër kryeministri Rexhepi do të takohet me zotin Mathju Rajkrops, sekretar privat për punë të jashtme i kryeministrit Toni Bleir, ndërsa siç tha vetë kryeministri Rexhepi, është joreale të pritet një takim i tij me kryeministrin britanik Toni Bleir.


XS
SM
MD
LG