Ndërlidhjet

logo-print

LUMTURIMI I NËNËS TEREZË – DITË HISTORIKE PËR POPULLIN SHQIPTAR


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Ajo që ka ndodhur dje mund të ndodhë njëherë në njëmijë vjet ka deklaruar Kolë Berisha, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas kthimit nga Roma, ku së bashku me 200 anëtarë të delegacionit të Kosovës, në bazë të ftesës së Papa Gjon Palit të Dytë, morën pjesë në ceremoninë e lumturimit të Nënës Terezë.
"Po është evidente që jo vetëm popujt e mëdhenj por edhe popujt e vegjël mund të japin njerëz të mëdhenj dhe kjo është diçka e jashtëzakonshme për shqiptarin siç është për gjithë popujt. Është me rëndësi që kemi patur një përfaqësi shumë të madhe, është treguar një respekt i madh ndaj nesh nga ana e Selisë së Shenjtë. Kjo do të thotë se e kemi dëshmuar dhe ne që dimë të regjistrojmë vlerat".
Ismet Beqiri, kryetar i Komunës së Prishtinës, Lumturimin e Nënë Terezës, e ka vlerësuar si akti historik për popullin shqiptar:
"Mendoj se ishte një akt historik, i rëndësisë historike për kombin shqiptar në përgjithësi, dhe nëse mund të thuhet ishte rrumbullakësim i gjithë figurave të shquara, që ka dhënë kombi shqiptar. Rasti i shenjtërimit, ishte diçka që asnjëherë në historinë e tij, populli shqiptar nuk ka patur rast ta përjetojë."
Zef Morina, Ministër i Transportit dhe Komunikacionit e quan historike ditën e djeshme, pasi siç tha ai kjo dëshmon se populli ynë është i barabartë me gjithë popujt e botës:
"Mund të them se është një ditë e veçantë dhe është jashtëzakonisht me rëndësi sepse ishte Lumturimi i Nënë Terezës dhe ishte një ditë historike për popullin tonë shqiptar dhe unë them lirisht se populli ynë është i njëjtë dhe i njohur me gjithë popujt më të mëdhenj të botës".
Në delegacionin i cili ka marrë pjesë në Lumturimin e Nënës Terezë ishin të pranishëm 200 përfaqësues të jetës politike shkencore dhe kulturore nga Kosova të prirë nga kryetari i Kosovës Ibrahim Rugova, i cili ka vazhduar vizitën në Itali.



XS
SM
MD
LG