Ndërlidhjet

4 GJENERALË TË ISH-USHTRISË DHE POLICISË SERBE AKUZOHEN PËR KRIME TË LUFTËS NË KOSOVË


Augustin Palokaj, Hagë

Tribunali i Hagës për Krimet e Luftës në teritorin e ish- Jugosllavisë, ka hequr sot në orët e hershme të mbrëmjes sekretin nga një aktakuzë kundër eprorëve më të lartë serbë, për krimet e bëra kundër popullatës shqiptare në Kosovë në vitin 1999. Në këtë aktakuzë janë akuzuar katër gjeneralë serbë: ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave Nebojsha Pavkoviç, komandanti i Korpusit të Prishtinës Vlladimir Llazareviç, shefi i Policisë Serbe për Kosovën Sreten Llukiç dhe ndihmësi i Ministrit të Brendshëm serb Vllastimir Gjorgjeviç. Aktakuza e Tribunalit të Hagës i akuzon këta për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve të luftës kundër popullatës shqiptare në Kosovë. Të katër këta gjeneralë të lartë serbë janë akuzuar për të ashtuquajturën ndërmarrje e bashkuar kriminale, e cila vepronte në bashkëpunim me zyrtarët e tjerë të lartë Sllobodan Millosheviç, Milan Millutinoviç, Dragolub Ojdaniç dhe Nikola Shahinoviç, kundër popullatës shumicë shqiptare në Kosovë duke deportuar dhe vrarë civilë, me qëllim të mbajtjes së kontrollit serb mbi Kosovën.
Aktakuza i ngarkon gjeneralët Pavkoviç, Llazareviç, Llukiç, Gjorgjeviç, për përgjegjësi superiore komanduese, për deportime, vrasje masive dhe akte johumane ndaj shqiptarëve të Kosovës. Në aktakuzën e bërë publike nga Tribunali, përmenden edhe vendet ku janë kryer krimet në Kosovë, për të cilat janë dyshuar këta katër gjeneralë serbë. Të njëjtat krime përmenden edhe në aktakuzën kundër ish shefit të tyre Sllobodan Millosheviç, i cili tashmë gjendet në Hagë dhe është duke u përgjigjur në procesin kundër tij.
Ndër krimet që u ngarkohen janë ato të Krushës së Vogël, Krushës së Madhe, masakra në fshatin Reçak, krimi në burgun e Dubravës, rasti i Padalishtës, masakra kundër familjes Berisha në Suharekë, pastaj rasti i Izbicës, si dhe shumë raste të tjera të njohura që më parë për krimet e tmerrshme të forcave serbe kundër popullatës shqiptare në vitin 1999.
Tribunali i Hagës tani pret që autoritetet e Serbisë dhe Malit të Zi, në bazë të detyrimeve të tyre, sa më parë të arrestojnë dhe t'i dorëzojnë në Hagë të gjithë këta të akuzuar. Tribunali i Hagës ka bërë të ditur se do të përshpejtojë punën për shkak të ashtuquajturës strategji përmbyllëse dhe deri në fund të vitit të ardhshëm, do të përfundojë të gjitha hetimet që janë në vazhdim e sipër dhe të lëshojë të gjitha aktakuzat. Kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës ka thënë se ka nevojë për mbështetje më të madhe të bashkësisë ndërkombëtare, nëse dëshirohet të kompletohet puna e Tribunalit të Hagës sipas planit, e sidomos ka kërkuar ndihmë nga vendet perëndimore, nga organizata si janë BE-ja dhe NATO-ja për të bërë presion shteteve që nuk bashkëpunojnë me Tribunalin e Hagës, posaçërisht ato që nuk pranojnë të arrestojnë dhe të dorëzojnë të akuzuarit, duke nënvizuar këtu Serbinë dhe Malin e Zi.
Akuza e bërë publike sot është e treta në radhë për krimet në Kosovë. Dy akuza janë lëshuar kundër zyrtarëve të lartë serbë, të cilat përfshijnë nga katër persona në secilën, ndërsa një aktakuzë ishte lëshuar kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së.


XS
SM
MD
LG