Ndërlidhjet

THAÇI: "KOSOVA DUHET BËRË ME KUSHTETUTË"


Hashim Thaçi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Thaçi, sot një javë u mbajt takimi i Vjenës, në të cilin Prishtina dhe Beogradi biseduan për çështje teknike. Për dallim nga periudha para bisedimeve, aktualisht duket sikur këto bisedime nuk po përmenden shumë. Cili është vlerësimi juaj për to?

HASHIM THAÇI
Ai takim i takon së kaluarës së afërt dhe natyrisht njerëzit sikur po vetëdijësohen që të merren dhe të punojnë më tepër për të ardhmen. Kështu që takimi i Vjenës e ka rëndësinë e vet të simbolikës së një takimi të autoriteteve të Beogradit dhe dy kosovarëve nga Prishtina me ndërmjetësimin ndërkombëtar. Vlerësoj se do të ketë një veprim dhe më të përgjegjshëm të të gjithë faktorit të Prishtinës, Beogradit por edhe të komunitetit ndërkombëtar në avancimin e proceseve të dialogimit dhe procesit më të lartë në këtë çështje mjaft të rëndësishme dhe të domosdoshme për të gjithë popujt dhe vendet e rajonit.

RADIO EVROPA E LIRË
Është folur shumë për mundësinë e një krize qeveritare në Kosovë, pikërisht për shkak të situatës së krijuar para takimit të Vjenës. Aktualisht cilat janë marrëdhëniet ndërmjet partnerëve të koalicionit qeveritar në Kosovë?

HASHIM THAÇI
Në Kosovë nuk ka krizë institucionale, ka keqpërdorim të institucioneve nga individë. Raportet e përbërësve të bashkëqeverisjes janë raporte konstruktive, raporte pozitive të punës vetëm për të mirën e qytetarit dhe vendit, janë raporte të thellimit të bashkëpunimit me komunitetin ndërkombëtar dhe ndërtimit të orientimeve programore të përbashkëta të spektrit të gjerë politik dhe institucional kosovar.

RADIO EVROPA E LIRË
Politikanët kosovarë po kërkojnë transferimin e më shumë kompetencave nga administrata e UNMIK-ut në institucionet kosovare. Në këtë aspekt si e vlerësoni ju rrjedhën e deritanishme të procesit të transferit?

HASHIM THAÇI
Unë vazhdoj të besoj se për këtë çështje më tepër po bëhet zhurmë, sesa është një realitet bartja e kompetencave nga ndërkombëtarët tek vendorët. E kam theksuar dhe e ritheksoj edhe sot: mund të ketë dialog, mund të ketë bisedime mes vendorëve dhe ndërkombëtarëve për kompetenca dhe disa ministri, por bindja ime është se nuk do të ketë bartje të kompetencave dhe as ministri të tjera për vendorët, pa filluar ndryshimi i kornizës kushtetuese të Kosovës, në mënyrë që Kosova të ketë kushtetutë. Kështu që mendoj se është vetëm një harxhim i energjive thjesht nga vendorët dhe një lutje e panevojshme ndaj ndërkombëtarëve.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur mendoni se mund të fillojë një proces i tillë, procesi i ndryshimit të kornizës kushtetuese siç e përmendët?

HASHIM THAÇI
Mendoj se fillimisht duhet të binden ata që e kanë pranuar kornizën kushtetuese nga vendorët, sepse është i domosdoshëm ndryshimi i kornizës dhe bërja e Kosovës me kushtetutë. Duhet ta kuptojnë se kanë gabuar rëndë kur e kanë aprovuar këtë kornizë kushtetuese dhe vlerësoj se edhe komuniteti ndërkombëtar duhet ta kuptojë realitetin në rritje në Kosovë dhe faktin që Kosova nuk mund të ketë progres me korniza ligjore, por mund të ketë progres me kushtetutë, siç kanë të gjitha vendet e tjera në rajon, por natyrisht të kemi një kushtetutë që është në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare.

RADIO EVROPA E LIRË
Lidhur me këtë çështje, administrata ndërkombëtare në Kosovë thotë se për të hapur çështjen e statusit përfundimtar të Kosovës duhet të arrihen standardet e përcaktuara. Si e shihni ju çështjen e kësaj strategjie duke patur parasysh se ka politikanë dhe analistë që preferojnë një proces paralel të standardeve me statusin?

HASHIM THAÇI
Unë që në fillim kam qenë në favor të procesit "Standardet me statusin", në mënyrë që të kemi një proces progresiv paralel të realizimit të standardeve perëndimore në Kosovë, por edhe përshpejtimit të zgjidhjes së statusit politik të Kosovës. Unë vlerësoj se është me mjaft rëndësi që të kemi një afatizim kohor për zgjidhjen e statusit politik, por ndërkohë të vazhdohet me këmbënguljen më të madhe institucionale vendore dhe ndërkombëtare, për plotësimin e standardeve të domosdoshme për integrimin e Kosovës në strukturat euro-atllantike. Ne të gjithë jemi të përcaktuar për realizimin e standardeve dhe vlerësoj se këto standarde në Kosovë, veç po zbatohen në një nivel më të lartë sesa në disa vende të tjera të rajonit që janë të pavarura. Por statusi i Kosovës të jemi të bindur se është duke u përcaktuar çdo ditë e më tepër dhe çdo plotësim i standardeve perëndimore është duke e afruar Kosovën më afër pavarësisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Thatë se statusi i Kosovës po përcaktohet çdo ditë e më tepër. Kur mendoni se do të fillojë procesi i përcaktimit të statusit final të Kosovës dhe kush do ta përcaktojë atë?

HASHIM THAÇI
Thashë se statusi i Kosovës po përcaktohet çdo ditë e më tepër. Statusi i Kosovës do të përcaktohet qartë në kohën e duhur, në përputhje të plotë me përcaktimin e qytetarëve të Kosovës për pavarësi të vendit me mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar.

Intervistoi Fatmir Bujupi

XS
SM
MD
LG