Ndërlidhjet

KFOR: NUK DO KETË KTHIM TË FORCAVE SERBO- MALAZEZE NË KOSOVË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Siguria ushtarake e Kosovës garantohet nga forcat paqëruajtëse të NATO-s dhe këtu nuk ka vend për kurrfarë forcash të Serbisë dhe Malit të Zi, kanë deklaruar sot zyrtarë të KFOR-it, duke komentuar paralajmërimet nga Beogradi se Këshilli Suprem i Mbrojtjes i Unionit Serbi-Mali i Zi, ka lënë të hapur mundësinë e ndërhyrjes ushtarake në Kosovë, ndërkohë që zyrtarë vendorë të komisionit parlamentar për emergjencë dhe siguri, thonë se këto kërcënime aktualisht nuk paraqesin ndonjë rrezik për Kosovën.
"Siguria ushtarake në Kosovë bëhet nga KFOR-i dhe vetëm nga KFOR-i, ndërsa Këshilli i NATO-s e ka përsëritur disa herë se kthimi i forcave ushtarake të Serbisë dhe Malit të Zi nuk është as opcion," tha zëdhënësi i KFOR-it, komandanti Chris Thomson, ndërkohë që shefi i grupit parlamentar për emergjencë dhe siguri në parlamentin e Kosovës, zoti Agim Krasniqi, në një prononcim për Evropën e Lirë tha se mendonte që kjo çështje është aktualizuar së tepërmi:
"Sipas akteve kushtetuese të aprovuara nga Serbia dhe gjithnjë duke e konsideruar Kosovën si pjesë integrale të saj, është e kuptueshme që në afërsi të kufirit me Kosovën ta rrisë efektivin ushtarak, mirëpo kthim të forcave ushtarake dhe policore serbe, nuk do të ketë qoftë edhe në formë agresive,"
tha zoti Krasniqi, duke shtuar se këtë deklaratë e mbështet në faktin se Kosova sipas rezolutës 1244 është nën sovranitetin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara:
"Siguria dhe mbrojtja e Kosovës bëhet nga forcat e NATO-s, prandaj një ndërhyrje ushtarake në Kosovë do të ishte konfrontim i armatosur i Serbisë me NATO-n dhe bashkësinë ndërkombëtare. Çështja që tani është aktualizuar nuk është aq serioze dhe mendoj se Serbia këtë e ka parasysh, prandaj edhe Këshilli Suprem i Mbrojtjes i Serbisë dhe Malit të Zi që parashikon mundësinë e ndërhyrjes në Kosovë, tani për tani nuk paraqet ndonjë rrezik për Kosovën.
Edhe zëdhënësi i KFOR-it Thomson tha se KFOR-i nuk ndihet i rrezikuar nga deklarata të tilla nga Beogradi:
"Komandanti i KFOR-it gjenerali Kammerhoff ka thënë pa ekuivoke se forcat ushtarake serbe nuk kanë qasje në Kosovë," tha zëdhënësi Thomson.
Sidoqoftë, shqetësim në Kosovë ka shkaktuar vetë mbetja e agresionit nga Serbia, si opcion i organeve më të larta shtetërore të mbrojtjes të Unionit Serbi e Mali i Zi. Duke iu përgjigjur këtyre shqetësime për politikën e pandryshuar të Beogradit në raport me Kosovën, zëdhënësi i forcës paqëruajtëse KFOR, komandanti Chris Thomson, tha se fakti që nuk ka asnjë ndryshim në politikën e KFOR-it lidhur me këtë çështje edhe shqetësimet e qytetarëve të Kosovës i bën të panevojshme.



XS
SM
MD
LG