Ndërlidhjet

INSTITUCIONET E KOSOVËS VLERËSOJNË SI TË DOMOSDOSHËM NDRYSHIMIN E KORNIZËS KUSHTETUESE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Pas kërkesave të qeverisë, legjislacioni i Kosovës e ka filluar nismën për ndryshimin e Kornizës Kushtetuese.
Kjo Kornizë, që përfaqëson aktin më të lartë të brendshëm juridik në Kosovë, pas Rezolutës 1244, me të cilën është vendosur Kosova nën administrimin ndërkombëtar, u miratuar gjatë mandatit të kryeadministratorit ndërkombëtar Hans Hakerup, para zgjedhjeve të përgjithshme. Tani, dy vjet pas funksionimit të institucioneve të zgjedhura qëndrore të Kosovës, qeveria e kohët e fundit dhe Kuvendi, i kanë vlerësur ndryshimet në të si të domosdoshme për procesin aktual të bartjes së kompetencave dhe përgjegjësive nga administrata e UNMIK-ut tek qeveria vendore. Deputeti Fatmir Sejdiu, njëkohësisht anëtar i Kryesisë së Kuvendit, tha se javën e ardhshme Kuvendi do ta ketë në shqyrtim pikërisht çështjen e ndryshimeve në Kornizën Kushtetuese. Ai tha se Kuvendi fillimisht do të mandatojë formimin e një grupi punues të ekspertëve, i cili do të vlerësojë se me cilat ndryshime do të fillohet në këtë fazë:
“Ndryshimet që do të vijnë, do të jenë ndryshime që korrespondojnë praktikisht me proceset e reja; procese që kanë të bëjnë me bartjen e përgjegjësive nga institucionet ndërkombëtare dhe përfaqësuesi special në institucionet e Kosovës. Kjo do të reflektohet pikërisht në adaptimin e ri të atyre dispozitave dhe me rëndësi është të theksohet se është Kuvendi ai që udhëheq procesin për ndryshimet kushtetuese”, tha deputeti Fatmir Sejdiu, duke shtuar se në këtë rrafsh parashihet që Kuvendi të miratojë dhe një ligj sipas kërkesës së qeverisë, për kompletimin e saj me të gjitha ministritë përkatëse:
“Çështja e ministrive të reja do të rregullohet me një ligj të posaçëm. Ndryshimet kanë të bëjnë me frymën e përgjithshme të bartjes së përgjegjësive, sepse Korniza është ajo që parasheh qeverinë dhe parasheh ministritë. Nuk ka diçka tjetër në kuptimin e numrit të ministrive. Numri i ministrive caktohet në proces tjetër, që është krejt normal, por me rëndësi është që të krijohet çelësi i përgjithshëm apo një hapja e përgjithshme për proceset e mëtejme”, tha Sejdiu.
Mirëpo, çështja e ministrive të reja është ende një çështje e paqartësuar me administratën e UNMIK-ut.
Në një kohë që qeveria dhe institucionet vendore kanë mbështetur nismën e kryeministrit Bajram Rexhepi për ngritjen e pesë ministrive të reja, shefi i UNMIK-ut Harri Holkeri ka ofruar shtimin e kapaciteteve të kompetencave të qeverisë në politikën e jashtme dhe në fushën e energjetikës, pa e cekur nëse bëhet fjalë për ministri të reja apo poste këshilldhënëse pranë zyrës së kryeadministratorit. Pavarësisht nga paralajmërimet për këto ndryshime, zyrtarët e UNMIK-ut nuk deshën të prononcohen.
Përndryshe, ndryshimet në Kornizën Kushtetuese përcaktohen në tekstin e saj, ku thuhet se këto ndryshime fillimisht duhet t’i propozojë Kuvendi me votat e dy të tretave të deputetëve, kurse miratimi i ndryshimeve do të jetë i plotfuqishëm vetëm nëse ato i miraton shefi i UNMIK-ut.





XS
SM
MD
LG