Ndërlidhjet

DINJITETI I KOSOVARËVE NUK MBROHET VETËM NGA INSTITUCIONET, POR DHE NGA VETË QYTETARËT


Baton Haxhiu, analist

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haxhiu, ju mbrëmë ishit në protestën që kishte një porosi shumë transparente: " jashtë Kosovës mallrat dhe firmat sllovene", vetëm një orë më vonë gjenerali Çeku ishte liruar. Cili është komenti juaj tani në këtë distancë të shkurtër kohore?

BATON HAXHIU
Po nuk ishim ne kundër mallrave sllovene, ajo doli spontanisht mbrëmë, për shkak të gjestit që policia sllovene dhe autoritetet sllovene bënë me njeriun, i cili vërtet ka qenë shumë i rëndësishëm për këtë vend dhe për sigurinë e këtij vendi. Mendoj se gjeste të tilla si ai i autoriteteve sllovene, tregojnë se shtetet përreth janë duke nënçmuar dinjitetin të mos themi, janë duke përçmuar atë që quhet dinjitet elementar i shqiptarëve të Kosovës. Reagimi i mbrëmshëm nuk ka qenë vetëm si reagim për shkak të burgosjes, por për shkak të rrethanave, të cilat janë krijuar dhe pretendohen të krijohen me personalitetet e Kosovës. Domethënë ky ka qenë një reagim i cili ka rezultuar me atë imazhin për mallrat sllovene, që absolutisht besojmë që do të reflektohet dhe në një farë mënyre ka patur reagim edhe nga autoritete sllovene, pasi nuk e di që gjykatat punojnë pas orës 8 në mbrëmje dhe ajo urgjencë e bërë në orën një pas mesnate, tregon se protestat në Prishtinë të organizuara spontanisht nga ne gazetarët dhe sidomos nga Urban FM e Prishtinës, kanë patur impakt në atë që ka ndodhur në Ljubljanë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haxhiu, a mendoni se kjo formë e reagimeve në Kosovë do të marrë formë të institucionalizuar, apo ndoshta udhëheqja kosovare nuk ka guxim, aftësi dhe mjete efikase për ta zbatuar atë?

BATON HAXHIU
Konsideroj se liderët e Kosovës nuk duhen mes veti dhe kjo është e arsyeshme, por së paku pas asaj që ka ndodhur me zotin Hashim Thaçi dhe me zotin Çeku dje në Ljubljanë, atëhere duhet ta respektojnë veten dhe institucionet për arsye se rastësisht zoti Çeku është shef i TMK-së. Ai është para së gjithash shef i një institucioni të Kosovës. Prandaj nëse liderët e Kosovës nuk gjejnë mënyrën për të reaguar, atëhere mendoj se kjo formë e organizimit do na mbetet ne, sepse konsiderojmë që dinjiteti i kosovarit nuk është i bartur vetëm në institucione dhe nuk mbrohet vetëm nga institucionet, por mbrohet edhe nga vetë qytetarët e saj. Reagimet e institucioneve të Kosovës kanë qenë në një farë mënyre pak të vonuara, por megjithatë kanë qenë relevante. Egziston edhe një problem tjetër se ka një armiqësi e panevojshme midis liderëve kosovarë, armiqësi që reflektohet në situata të tilla, domethënë nuk kemi një sondë të reagimit, që do të pamundësonte rënien apo rrënimin e dinjitetit të institucioneve, individëve personaliteteve dhe në këtë mënyrë edhe qytetarëve të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Në letër që Harri Holkeri i ka dërguar mbrëmë Ministrit të Jashtëm Slloven, ndër të tjera thuhet: Kosova nuk është kompetencë e Serbisë. A do të thotë kjo se Ljubljana zyrtare me arrestimin e gjeneral Çekut deshi të dërgojë sinjal se Kosovën e konsideron nën juridiksionin e Serbisë?

BATON HAXHIU
Nuk e di nëse është kjo rastësi apo e qëllimtë, por unë konsideroj që Holkeri ka patur të drejtë dhe e ka bazuar me argumente juridike për arsye se sovranitet i Serbisë është pezulluar më 12 qershor të vitit 1999. Prandaj Harri Holkeri vetëm e ka përshkruar një fakt juridik të cilin e dimë të gjithë. Unë mendoj se autoritetet sllovene duhet ta dinin këtë fakt dhe jam i habitur që këto autoritete kanë burgosur gjeneral Çekun me aktakuzën, e cila është nënshkruar nga Danica Marinkoviç, një gjyqtare e cila duhet ta ketë vendin në Hagë. Nuk do të kishte reagime të tilla në qoftë se një aktakuzë do të vinte nga një institucion ndërkombëtar, por aktakuza e cila vjen nga një shtet, i cili ka bërë gjenocid në Kosovë, është e patolerueshme që qytetarët e Kosovës të heshtin dhe mos dalin në rrugë të protestojnë. Nuk them që Sllovenia me këtë akt, domethënë po kthehem tek pyetja direkte, ajo ka pranuar shtetin e Serbisë, por në një farë mënyre kur hetimi i tyre kaloi në heshtje, që qytetarët e Kosovës të bien pre e marrëdhënieve të reja serbo-sllovene, pa marë parasysh interesat e tyre, pa marë parasysh rrethanat mbi të cilat i ndërtojnë interesat e tyre, nuk guxon të shkelet dinjiteti i personaliteteve kosovare.

Intervistoi Melazim Koci

XS
SM
MD
LG