Ndërlidhjet

logo-print

KUVENDI MIRATON DEKLARATË KUNDËR ARRESTIMIT TË GJENERALIT ÇEKU


Zijadin Gashi

Kuvendi i Kosovës ka reaguar sot më një deklaratë kundër arrestimit të komandantit të Trupave Mbrojtëse të Kosovës, Gjeneral-lejtnant Agim Çekut, në Slloveni. Bashkësisë ndërkombëtare i është bërë thirrje me këtë rast, që të mos i njohë si të vlefshme fletarrestimet e regjimit të Millosheviçit, kurse shefit të UNMIK-ut në Kosovë që t'i shuajë institucionet paralele, të cilat veprojnë në Kosovë, siç është gjykata e qarkut të Prishtinës, e udhëhequr nga Beogradi, pasi sipas kërkesës së kësaj gjykate, zoti Çeku qe arrestuar dhe mbajtur në arrest për disa orë në Slloveni. Deputetët e miratuan këtë deklaratë me shumicë votash, ndërkohë që kolegët e tyre serbë e braktisën mbledhjen gjatë votimit të saj.
Duke i lexuar konkluzionet e kësaj deklarate, teksti i së cilës doli si rezultat i harmonizimit të qëndrimeve ndërmjet grupeve më të mëdha parlamentare shqiptare, LDK, PDK dhe AAK, të përkrahur dhe nga grupi parlamentar joserb, deklaratën e lexoi deputetja Nekibe Kelmendi.
“Kuvendi i Kosovës i konsideron të pavlefshme të gjitha fletarrestet, vendimet gjyqësore dhe ekzekutimet e këtyre vendimeve, që bëhen nga institucionet e Serbisë dhe nga organet paralele serbe, të cilat funksionojnë në territorin e Kosovës e të Serbisë dhe kanë të bëjnë me qytetarët e Kosovës. Kuvendi kërkon nga institucionet ndërkombëtare në Kosovë e jashtë saj, duke përfshirë këtu edhe Interpolin, Europolin, që të mos i njohin këto vendime dhe fletarreste serbe ndaj qytetarëve të Kosovës”, tha Nekibe Kelmendi, për të lexuar më tej deklaratën, ku thuhej se Kosova ndodhet nën juridiksionin e Kombeve të Bashkuara dhe për qytetarët e saj nuk vlejnë fletarrestet e institucioneve të vendeve tjera, përderisa ka institucionet e saj demokratike. Kuvendi ka protestuar edhe ndaj veprimeve të organeve shtetërore të Sllovenisë, duke kërkuar nga ky vend që të mos përsërisë veprime të tilla në të ardhmen.
Përndryshe, miratimi i kësaj deklarate ka hyrë në rend dite aty për aty, pasi sot Kuvendi kishte seancën e rregullt plenare. Me këtë rast, kryeparlamentari Nexhat Daci tha se mosrespektimi i imunitetit të personaliteteve udhëheqëse të Kosovës tashmë është bërë një dukuri, e cila sipas Dacit, e ka tejkaluar durimin e çdo qytetari dhe institucioni në Kosovë. Ai kritikoi me këtë rast edhe komunitetin evropian, duke thënë se shumë shpejt i ka vlerësuar pozitive zhvillimet në Serbi dhe shumë shpejt ia ka hapur dyert këtij vendi, para se ai të dëshmojë se është larguar nga politika e Millosheviçit.
“Ne dëshirojmë që Serbia të jetë në Evropë, siç dëshirojmë që Kosova të jetë si vend, si shtet i pavarur në Evropë, por jo duke i poshtëruar qytetarët e një vendi ose të një vendi tjetër. Dhe kjo e vështirëson tej mase pjesëmarrjen tonë në proceset e çtensionimit të situatës në rajon”, tha kryeparlamentari Daci, i cili përsëriti kërkesën e institucioneve vendore që udhëheqësit kosovarë të pajisen me dokumente valide diplomatike, me të cilat do të mbrohet identiteti dhe imuniteti i tyre. Sidoqoftë, Daci u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që të përmbahen dhe të tregohen të kujdeshëm në sjelljet dhe reagimet e tyre ndaj veprimeve të tilla, siç ishte rasti me gjeneralin Çeku.
Reagime të ashpra ndaj veprimeve të Serbisë dhe autoriteteve sllovene kanë shprehur dhe shefat e grupeve parlamentare të tre partive më të mëdha shqiptare, ndërsa deputetët serbë thanë se organet e Beogradit kanë të drejtë të ndjekin personat e dyshimtë, sipas tyre për krime të ndryshme.

XS
SM
MD
LG