Ndërlidhjet

BOJKOTOHEN MALLRAT SLLOVENE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Arrestimi i komandantit të TMK-s, gjeneralit Agim Çeku nga autoritetet sllovene dy ditë më parë sipas një aktakuze të lëshuar nga Serbia, ka shkaktuar indinjatë te qytetarët e Kosovës, të cilët ditët e fundit kanë bojkotuar mallrat sllovene, aq shumë të pranishme në Kosovë katër vitet e fundit. Edhe afaristët kosovarë janë të shqetësuar nga këto zhvillime. Hazbi Hasani, drejtor i firmës “Oaza” nga Prishtina që është distributor ekskluziv i prodhimeve të qumështit nga Sllovenia e kohët e fundit edhe i pijeve freskuese “Fructal”, thotë se lajmin për arrestimin e gjeneralit Çeku e kanë pritur me keqardhje dhe pakënaqësinë e tyre e kanë përcjellë zyrtarisht tek autoritetet sllovene përmes një letre që i është drejtuar Odës së atjeshme ekonomike e së shpejti edhe Ministrisë së Tregtisë. E gjithë kjo, thotë zoti Hazbiu ka ndikuar keq në raportet afariste:
"Ne e kemi pritur këtë lajm me shumë keqardhje, Normalisht se ka ndikuar për ftohjen e raporteve afariste me bashkëpunëtorët tanë sllovenë. Pakënaqësinë tonë e kemi shprehur të gjithë së bashku me afaristët kosovarë përmes një letre drejtuar Odës ekonomike sllovene", u shpreh ai.
Edhe nënkryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, zoti Mustafë Ibrahimi mendon se kosovarët janë të shqetësuar nga ajo që ka ndodhur me gjeneralin Çeku dhe kjo, sipas tij, sigurisht se do të ndikojë në marrëdhëniet ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë:
"Në këtë rast, unë jam i bindur se humbje do të pësojnë më shumë sllovenët sesa kosovarët, të cilët mund të gjejnë edhe tregje të tjera ku do të furnizohen. Mendoj se institucionet sllovene duhet të jenë shumë të kujdesshme, pasi Kosova ka qenë një prej blerësve kryesorë të mallrave të tyre, por edhe institucionet e Kosovës dhe afaristët kosovarë duhet të mendojnë edhe për zgjidhje të tjera, kështu që është mirë që t’u bëhete ditur edhe të tjerëve, se edhe me presion ekonomik mund të bëhen zgjidhje politike", tha zoti Ibrahimi.
Ditën e arrestimit të gjeneral Çekut, qindra protestues në Prishtinë kërkuan bojkotimin e mallrave sllovene dhe hodhën përtokë shumë prodhime të atjeshme. Zoti Mustafë Ibrahimi, megjithatë mendon se bojkoti nuk do të ishte zgjidhja më e mirë, kundrejt presionit ekonomik që duhet bërë mbi institucionet sllovene:
"Sllovenia gjendet në vendin e tretë, pas Bashkimit Evropian dhe Maqedonisë. Mendoj se qarkullimi me Slloveninë është mbi dhjetë për qind të qarkullimit bruto të Kosovës dhe mendoj se kjo do të zbresë dhe do të ketë efekte negative. Unë edhe një herë i ftoj afaristët nga Kosovës të jenë të vëmendshëm se me kë bashkëpunojnë dhe përse bashkëpunojnë", tha kryetari i Odës Ekonomike.
Afaristët, si zoti Hasani vlerësojnë se ende është herët të flitet për pasojat eventuale të thirrjeve për bojkotin e mallit slloven, por ai vetë thotë se në shenjë proteste nuk ka futur disa maune me mall nga Sllovenia:
"Menjëherë pas këtij lajmi të hidhur, unë i kisha dy maune në kufirin në Pejë. Vendosa të mos i doganoj atë ditë dhe në shenjë proteste desha t’ju tregoj sllovenëve se edhe ne jemi të mllefosur me këtë veprim".
Një shitës në një nga dyqanet më të furnizuara në qendër të Prishtinës thotë se blerësit po refuzojnë mallrat sllovene:
"Shitja ka rënë dukshëm. Malli i sllovenisë refuzohet. Raste të rralla po merret", thotë shitësi, duke shtuar se madje edhe produktet shumë të popullarizuara si qumështi e jogurti, si dhe lëngjet e Fructal-it aktualisht po refuzohen.
Një konsumatore duket mjaft e mllefosur:
"Po, për mallrat e Sllovenisë, hiç kurrgjë më, hiç, hiç, jo jogurt të Sllovenisë, jo mall të Sllovenisë".
Ndërkaq, një vajzë e re që po dilte nga dyqani tha se kishte vazhduar të blinte prodhimet sllovene, pasi edhe nuk kishte zgjidhje të tjera:
"Kam blerë dhe mendoj se janë mallra të mira. Mes mallit të Sllovenisë dhe të Serbisë, prapë e kisha zgjedhur mallin e Sllovenisë", u shpreh ajo.
Qytetarët potencojnë faktin se qumështi për shembull, ose vjen nga Serbia, plagët e luftës me të cilën ende nuk janë shëruar, ose nga Sllovenia apo Hungaria, të dyja këto vende që zbatuan fletarreste të Serbisë, Hungaria ndaj zotit Hashim Thaçi e Sllovenia ndaj gjeneralit Agim Çeku.
Prandaj, eksperti i ekonomisë, Mustafë Ibrahimi thotë se presioni ekonomik është një mundësi për zgjidhje politike, ndërsa reagimin e qytetarëve ndaj mallrave sllovene e quan të arsyeshëm për momentin.


XS
SM
MD
LG