Ndërlidhjet

DISKRIMINIM APO DEMOKRACI....?


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Pas seancës së fundit të parlamentit të Kosovës, ku u miratua një deklaratë e Kuvendit lidhur me arrestimin e komandantit të TMK-së gjeneral Agim Çekut nga autoritetet sllovene, me ç’rast u kërkua anullimi i të gjitha fletarresteve nga Serbia për qytetarët e Kosovës, deputetët e koalicionit Kthimi që nuk qëndruan në sallë gjatë votimit, i drejtuan një letër kryeadministratorit Holkeri, ku theksohej se ata ndiheshin të diskriminuar nga Kuvendi i Kosovës.
Ata në fakt nuk kanë qenë dakort me qëndrimin e kryetarit të Kuvendit, Nexhat Daci, që e kishte futur këtë çështje në rend dite dhe kishte shprehur qëndrim zyrtar për këtë rast, tha Oliver Ivanoviç, deputet i këtij koalicioni:
"Kemi konsideruar se për të diskutuar për arrestimin e gjeneralit Çeku, që në të vërtetë nuk e kishte vendin ne Kuvend, si dhe për çështje të ngjashme, duhet të respektohet procedura, që do të thotë të konsultohen të gjitha grupet parlamentare," tha Ivanoviç, ndërkohë që zyrtarët e UNMIK-ut, thanë se nuk kishin informacione se çfarë ka ndodhur me letrën e koalicionit Kthimi, pasi dita e nesërme e dërgimit të letrës ishte festë e Kombeve të Bashkuara, ndërsa e shtuna dhe e diela ditë pushimi.
Mirëpo, Bajram Kosumi, anëtar i kryesisë së Kuvendit dhe anëtar i kryesisë së punës në seancën e fundit, tha se nuk kishte diskriminim të serbëve, por moskuptim të demokracisë:
"Ata nuk kanë asnjë të drejtë të akuzojnë për diskriminim. Ç’është e vërteta, serbët janë mësuar që si pakicë absolute për 100 vjet të sundojnë në mënyrë absolute mbi shqiptarët dhe ai që është parimi elemntar i demokracisë, shumica e votave në Kuvendin e Kosovës, atyre u duket diskriminim," tha zoti Kosumi duke porositur kolegët e tij nga koalicioni Kthimi, të mësojnë se shumica e votave nuk është diskriminim, por rregull elementar i demokracisë.
Përfqësuesi i koalicionit Kthimi, Ivanoviç tha për Evropën e Lirë se koalicioni Kthimi, edhe pse i treti për nga numri i deputetëve, nuk ishte konsultuar fare për futjen e çështjes Çeku në rend dite:
"Kryetari Daci shprehu qëndrimin që sipas tij ishte qëndrimi i të gjitha grupeve parlamentare, që nuk është e vërtetë, pasi koalicioni Kthimi ishte krejtësisht kundër futjes së diskutimeve për këtë temë në rendin e ditës," tha Ivanoviç, duke e arsyetuar letrën e koalicionit të serbëve drejtuar zotit Holkeri.
Në anën tjetër, Bajram Kosumi mohon që koalicioni Kthimi të jetë anashkaluar, pasi për këtë çështje nuk është konsultuar asnjë grup parlamentar:
"Asnjë grup parlamentar nuk është konsultuar paraprakisht, por kjo ka ndodhur drejtpërdrejt në seancë dhe grupet që formojnë qeverinë e koalicionit janë pajtuar dhe kanë harmonizuar qëndrimet, kanë propozuar dhe miratuar një deklaratë," tha zoti Kosumi, sipas të cilit ankesat e koalicionit Kthimit nuk kanë të bëjnë me ankesat për të mbrojtur interesat e tyre, por pikërisht për të mbrojtur interesat e përfaqësuesit special të Sekretarit të Përgjithshëm në Kosovës, gjë që sipas tij do të thotë se ata nuk e ndiejnë veten të diskriminuar, por duan ta pengojnë punën e Kuvendit dhe procesin e miratimit të ligjeve në Kosovë.





XS
SM
MD
LG