Ndërlidhjet

NË PREKAZ LËNDOHET NJË USHTAR FRANCEZ


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Së paku një ushtar francez ka marrë plagë të lehta mbrëmë në Prekaz të ulët të Skënderajt, kur një grup prej rreth njëzet banorësh vendorë dhe disa ushtarë të KFOR-it janë përleshur, pas disa incidenteve që kanë ndodhur gjatë ditës së djeshme në pronat e familjes Jashari nga Prekazi.
Incidentin e ka konfirmuar edhe vetë zëdhënësi i forcës paqëruajtëse në Prishtinë, komandanti Chris Thomson:
"Unë mund të konfirmoj se ka pasur një incident, kur rreth 20 burra shqiptarë sulmuan patrullën e KFOR-it e cila u tërhoq, me ç’rast u lëndua lehtë një ushtar francez," tha zëdhënësi Chris Thomson, i cili tha se nuk dinte motivet e sakta të shkuarjes së ushtarëve francezë në fshatin Prekaz i Ulët dhe në familjen Jashari.
Familja Jashari janë pasardhës të komandantit të njohur të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jasharit, të vrarë në një aksion të forcave serbe në mars të vitit 1998, bashkë me 25 anëtarë të kësaj familjeje. Një nga pinjollët e familjes, zoti Murat Jashari deklaroi sot për Evropën e Lirë se ushtarët francezë të KFOR-it disa herë gjatë ditës kishin provokuar këtë familje duke u futur në oborr dhe duke gropuar pa dhënë kurrfarë sqarimesh:
"Provokimi i parë ka ardhur në momentin kur vetëm një vëlla i vogël ka qenë në shtëpi, ata kanë ardhur me kampanjolë në oborrin e shtëpisë, ata më pas kanë kaluar nja 100 metra mbi shtëpinë e re dhe kanë filluar të gropojnë dhe e treta që në orët e mbrëmjes kanë zbritur nga makinat e tyre duke brohoritur e duke qeshur dhe më janë afruar dhe është provokuar masa dhe janë shtyrë me KFOR-in francez," tha zoti Jashari, sipas të cilit edhe në këto momente mbi shtëpitë e familjes Jashari po fluturonin ulët helikopterë të KFOR-it francez.
Fshati Prekaz kohët e fundit disa herë është bastisur në kërkim të armëve, mirëpo asnjëherë familja Jashari. Edhe zëdhënësja e KFOR-it francez në Mitrovicë, lejtënant Grajan, mohoi të ketë qenë fjala për ndonjë bastisje:
"Në fakt nuk ka pasur ndonjë operacion, por ushtarët kanë dashur vetëm të vërtetojnë nëse gjithçka ishte në rregull," tha lejtënant Grajan, pa mund të shpjegojë arsyet e sakta të shkuarjes atje.
Sidoqoftë, familjes Jashari deri më tani nuk i është dhënë ndonjë arsyetim për bastisjen thotë Murat Jashari:
"Sot është marrë linja përmes gjeneralit Çeku dhe ka konfirmuar ardhjen gjenerali i KFOR-it francez dhe në njëzet minutëshin e fundit ai konfirmon se nuk do të vijë në bisedime".
Familja Jashari gëzon një respekt të veçantë në Kosovë, ndërsa dhjetëra vizitorë shkojnë në kompleksin memorial të Adem Jasharit në këtë fshat për të nderuar njeriun që konsiderohet si themelues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.






XS
SM
MD
LG