Ndërlidhjet

logo-print

RREGULLORJA E UNMIK-UT VËSHTIRËSON NXJERRJEN E DOKUMENTAVE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Misioni i Kombeve të Bashkuara së fundi ka nxjerrë një rregullore, sipas të cilës nëse dikush dëshiron të marrë dokumenta udhëtimi, apo t’ua zgjasë afatin të vjetrave, duhet të dëshmojë se është qytetar i Kosovës, ndërsa kjo mund të dëshmohet vetëm me dokumenta të vjetra të periudhës së paraluftës. Kjo rregullore ka shkaktuar shqetësim te qytetarët dhe të strukturat e pushtetit vendor, pasi një pjesë e madhe e dokumentave të udhëtimit janë djegur, janë humbur ose asgjësuar në ndonjë mënyrë gjatë eksodit masiv në vitin 1999.
Mirëpo, zëdhënësja e Misionit të Kombeve të Bashkuara Izabela Karlovicz, thotë se aktualisht janë të regjistruar mbi një milion e 300 mijë qytetarë të Kosovës të moshës mbi 16 vjeç dhe është e domosdoshme që regjistrimi të jetë i plotë dhe i drejtë për çdo banor të Kosovës. Ajo tha se një regjistrim i tillë në periudhat pas konflikteve është punë e ndërlikuar dhe e gjatë, duke përmendur si shembull Gjermaninë e pasluftës së dytë botërore ku ai ka zgjatur më shumë se 10 vjet. Ky proces në Kosovë ka filluar në vitin 2000 pak muaj para zgjedhjeve të para vendore për hir të regjistrimit të votuesve.
"Njerëzit shpesh kanë dhënë informacione të gabuara apo të pasakta dhe kjo të shumtën nuk është bërë me qëllim të mashtrimit të sistemit, por për shkak të një gjendjeje reale në Kosovë," tha zëdhënësja Karlovicz. Sipas saj në zonat e thella shumë njerëz nuk kanë ditur datën e saktë të lindjes, kryesisht ata të moshave të shtyra. Po ashtu janë shënuar raste kur janë dhënë shënime të gabuara edhe për vendlindjet, apo edhe gabime në mënyrën e të shkruarit të emrave.
Një zëdhënës i komunës së Prishtinës, Muhamet Gashi tha për Evropën e Lirë se komuna e ka kundërshtuar këtë vendim, por nuk ka mundur ta ndryshojë:
"Disa ditë pas miratimit të kësaj rregulloreje të re, asambleja komunale ka nxjerrë një vendim, me të cilin kundërshtohet ky vendim për nxjerrjen dhe vazhdimin e dokumentave të udhëtimit për komunën e Prishtinës dhe kjo është e paarsyeshme, pasi maltratohen qytetarët dhe stafi civil që merret me këto punë në komunën e Prishtinës".
Zoti Gashi tha se si administratë komunale nuk kanë mundësi ta ndryshojnë këtë vendim, pasi ajo është e drejtë e rezervuar për UNMIK-un. Ai thotë se qytetarët sipas kësaj rregulloreje duhet të ofrojnë ndonjë dokument të para 12 qershorit 1999, ndërsa komuna e Prishtinës edhe pse ka një pjesë të kartonave të letërnjoftimeve, nuk i ka të gjitha të dhënat e tjera, ndërsa qytetarët mund të mos kenë dokumentacion nga koha e regjimit të Serbisë:
"Sa i përket komunës së Prishtinës, 90 e diçka për qind ekziston kartoteka, sa u përket komunave të tjera nuk e dimë, por qytetarët nuk e gëzojnë të drejtën e marrjes së shpejtë të dokumentave dhe detyrohen të shkojnë në Graçanicë për të marrë dokumentacion plotësues nga organet paralele që funksionojnë atje."
Pavarësisht nga shqetësimet e qytetarëve se do të detyrohen të shfrytëzojnë shërbimet e strukturave paralele administrative nëpër enklavat serbe, UNMIK-u mendon se procesi i riverifikimit është i domosdoshëm:
"Mendoj se është e kuptueshme se është në interesin e qytetarëve të Kosovës që të përfshihen në këtë proces të vërtetimit, i cili do të bëhet vetëm një herë dhe kurrë më, me qëllim të kompletimit të të dhënave," tha zëdhënësja Karlovicz.
Ndërkohë, zyrtarë të pushtetit vendor që tash e katër vjet i kanë bërë thirrje UNMIK-ut të shuajë strukturat paralele serbe, thonë se dokumentat eventuale që do të lëshoheshin nga zyrat e tilla nëpër enklava, nuk do të mund të jenë valide, pasi nuk ka mënyrë për të verifikuar vërtetësinë e tyre.




XS
SM
MD
LG