Ndërlidhjet

MESIÇ: ASNJË VENDIM PA DËSHIRËN E SHQIPTARËVE


Alma Çupi

Presidenti i Shqipërisë Alfred Mosiu tha sot në Tiranë se çështja e statusit të Kosovës nuk duhet të zgjatet shumë. Këtë deklarim ai e bëri gjatë një konference të përbashkët për shtyp me presidentin e Kroacisë Stipe Mesiç, duke dhënë vlerësim për fillimin e bisedimeve
në Vjenë mes Prishtinës dhe Beogradit.
"Zhvillimi i dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit është vetëm dhe vetëm në të mirë të të ardhmes së të dy vendeve. Nuk duhet zgjatur shumë problemi i statusit, për arsye se krijon hapësira të rrezikshme për ekstremistët e të dy palëve", tha presidenti Moisiu.
Ndërsa presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiç, tha se tashmë mes Prishtinës dhe Beogradit nuk ka përse të mos arrihen bisedimet:
"Kam mendimin se është më mirë të bisedohet se sa të luftohet. Sot Kosova ka parlamentin e saj, presidentin, qeverinë e saj, ka mbështetjen, e sot të njëjtat gjëra ka dhe Beogradi prandaj dhe mund të bisedohet", tha presidenti kroat Mesiç. Më tej ai theksoi se pavarësisht zgjatjes së bisedimeve asnjë vendim nuk duhet marrë pa dëshirën e shqiptarëve të Kosovës:
"Në këto bisedime sigurisht që ndihmë duhet të ofrojë bashkësia ndërkombëtare. Por pa marrë parasysh se sa zgjasin bisedimet, asnjë vendim nuk mund të merret pa dëshirën e shqiptarëve të Kosovës", tha Mesiç.
Presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu dhe presidenti i Kroacisë Stipe Mesiç, u takuan sot në Tiranë për të firmosur dy marrëveshje; atë në fushën e doganave dhe në fushën e shëndetësisë. Presidenti Moisiu vlerësoi si të rëndësishme Marrëveshjen e Tregëtisë së Lirë mes
dy vendeve dhe luftën e përbashkët kundër trafiqeve:
"Lëvizja e lirë e mallrave dhe qytetarëve është domosdoshmëri në kuadrin e krijimit të një tregu unik me marrëveshjen e Tregtisë së Lirë. Gjithashtu është me rëndësi bashkëpunimi jonë në luftën kundër krimit dhe trafikut", tha Moisiu.
I gatshëm në këtë bashkëpunim u tregua edhe presidenti kroat Mesic, por ai vuri në dukje mungesën e infrastrukturës:
"Ne e kemi vullnetin e duhur për të përshpejtuar hapat në këtë drejtim, por na mungon infrastruktura. Për këtë arsye ne duhet të merremi vesh për linja detare dhe ajrore mes dy vendeve tona", u shpreh presidenti kroat.
Presidenti Mesiç zhvilloi takime edhe me kryetarin e Kuvendit Servet Pëllumbi, zëvendëskryeministren dhe Ministren e Integrimit Ermelinda Meksi, kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe kryetarin e
Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Ndërsa gjatë ditës së dytë të qëndrimit të tij në Shqipëri, presidenti Mesiç pritet të zhvillojë një vizitë në Parkun Kombëtar të Butrintit. Vizita e tij është e dyta në Shqipëri pas vizitës që bëri disa muaj më parë në kuadër të
nënshkrimit të Kartës së Adriatikut.

XS
SM
MD
LG