Ndërlidhjet

logo-print

HASANI: "OPERACIONALIZIMI I STANDARDEVE ËSHTË DOMOSDOSHMËRI"


Enver Hasani, ekspert i të drejtës ndërkombëtare

RADIO EVROPA E LIRË
Kohëve të fundit janë shtuar kritikat e ndërsjella ndërmjet pushtetit vendor dhe atij ndërkombëtar, siç ishin fillimisht kritikat e kryeministrit drejtuar UNMIK-ut dhe më pas kritikat e kryeadministratorit ndërkombëtar drejtuar udhëheqësve vendor. Si i shihni ju këto raporte dhe efektet eventuale që mund t’i prodhojnë ato?

ENVER HASANI
Përplasjet që janë në vijim e sipër mendoj se janë pasojë e një gjendje të përgjithshme, e cila është krijuar vitet e fundit, përkatësisht pas formimit të qeverisë dhe raporteve të saj me strukturat ndërkombëtare, si dhe keqkuptimeve që kanë lindur sa i përket të drejtave, detyrave dhe përgjegjësive që kanë njëra palë dhe pala tjetër. Pra këto nuk janë çështje të reja, por pas Vjenës kanë dalë më shumë në shesh.

RADIO EVROPA E LIRE
Sa mund të reflektohen këto raporte në vazhdimin e bisedimeve Prishtinë – Beograd, tani kur komuniteti ndërkombëtar pret formimin e grupeve punuese për bisedimet teknike?

ENVER HASANI
Këtu, raporti aktual që ekziston ndërmjet vendorëve dhe ndërkombëtarëve karakterizohet nga një mosbesim i skajshëm. Pala vendore kosovare çdo veprim të faktorit ndërkombëtar, siç ishte fillimi i dialogut, e sheh si legjitimim të sovranitetit serb dhe kthim të sovranitetit serb këtu dhe rrjedhimisht do të thotë komprometim politik të strukturave vendore. Ndërkohë që pjesa tjetër, pala ndërkombëtare e sheh si pjesë të mandatit dhe misionit të vet. Pra fillimin e dialogut në funksion të stabilizimit të Unionit Serbi e Mali i Zi që është krijuar vite me parë dhe përgjithësisht të trendeve në rajon, në dritën e ndryshimeve të gjeostrategjisë pas rrëzimit të Millosheviçit dhe Sadam Huseinit dhe klimës përgjithësisht më demokratike që është krijuar në rajon. Siç e shohim kemi dy koncepte krejtësisht të kundërta dhe unë nuk them se është jo reale çështja e formimit të komisioneve për dialog, sepse ato janë pjesë e probleme të përditshme, rreth të cilave ka mospajtim në strukturat euroatlantike për sa i përket modalitetit dhe dinamikës, por unë besoj dhe jam shumë i bindur se ajo që këtu është quajtur standarde dhe një pjesë e tyre lidhet dhe me fillimin e dialogut, janë vlera civilizuese universale, rreth të cilave nuk mund të ketë dallim në strukturat euroatllantike, çfarë mendohet këtu në Kosovë. Besoj se ajo që paraqitet si dallim më shumë i përket mënyrës se si të operacionalizohet zbatimi i tyre, sesa është në esencë dallim konceptual.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hasani, pikërisht operacionalizimi i standardeve është një plan i tanishëm i kryeministrit Rexhepi, i cili pret nga Këshilli i Sigurimit miratimin e këtij plani. Si e shihni ju këtë nismë dhe procesin e operacionalizimit eventual të standardeve?

ENVER HASANI
Unë mendoj se ajo që është bërë nga zoti Rexhepi, duhet të ishte bërë më herët dhe duhet të jetë agjendë e të gjitha strukturave politike vendore këtu në Kosovë. Ajo është e vetmja mënyrë, e cila e mban Kosovën dhe procesin politik stabil dhe eventualisht pala kosovare mund të llogarisë në përfitime më të mëdha sa i përket statusit final. Kjo, pasi duke e operacionalizuar një opsion abstrakt siç kanë qenë standardet para statusit, pala kosovare merr avantazh dhe mund eventualisht të udhëheqë ose të bëhet bashkëautore e procesit politik. Prandaj në vijim të kësaj, unë besoj se është e mirë dhe mendoj se zoti Rexhepi ka bërë mirë dhe këtë duhet ta ndjekin të gjitha strukturat institucionale vendore. Përndryshe, po nuk ndodhi kështu, do të thotë se pala kosovare do të mbetet gjithmonë fajtor kujdestar, sepse këtu simptomat, reagimet e faktorit ndërkombëtar-UNMIK-ut, janë shenja të qarta që UNMIK-u e ka humbur idenë për vizion, sensin për vizion dhe kam përshtypjen se nuk di më se çfarë të bëjë. Prandaj vetëm merret me atë se si të zhvendoset faji te kosovarët, për çdo dështim ose për çdo problem që lind këtu. Prandaj mendoj se në vijim të kësaj, pala kosovare duhet të jetë pak më e përgatitur dhe unë e shoh këtë idenë, iniciativën e zotit Rexhepi si të qëlluar.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmbushja e standardeve është një kusht për fillimin e zgjidhjes së statusit të Kosovës. Nëse merret parasysh gjendja e tanishme, sa mendoni se janë plotësuar këto standarde në mënyrë që t’i hapet rruga zgjidhjes së statusit të Kosovës?

ENVER HASANI
Unë nuk besoj që gjendja, e cila është sot për momentin dhe ajo që ju quani standarde, niveli i plotësimit të tyre, as për së afërmi nuk ofron kushte dhe garanci dhe nuk ofron premtime për hapjen e statusit të Kosovës. Unë jam shumë i sigurt që pala ndërkombëtare, e cila është kompetente për fillimin, hapjen e këtij procesi, nuk mendon seriozisht për një gjë të tillë, sepse hapja e çështjes së statusit të Kosovës në rend të parë presupozon një stabilitet dhe siguri, e cila në Kosovë mendoj është shumë shumë larg arritjes. Siguria që sot paraqitet si siguri, është kryesisht siguri fizike, siguri që është këtu si pasojë e prezencës së faktorit ushtarak dhe jo si pasojë e punës politike që është bërë në terren.

Intervistoi Zijadin Gashi


XS
SM
MD
LG