Ndërlidhjet

BAJRAMI: " EKUILIBRAT DUHET TË NDRYSHOJNË NË FAVOR TË KOSOVARËVE"


Prof. Dr. Arsim Bajrami, deputet në Parlamentin e Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Bajrami, aktualisht Komisioni Legjislativ të cilin ju e drejtoni, ka marë nismën për ndryshimin e Kornizës Kushtetuese. A mund ta shpjegoni pak më tepër këtë proces të ndryshimeve në këtë akt juridik?

ARSIM BAJRAMI
Procesi i ndryshimit të Kornizës Kushtetuese është një domosdoshmëri e kohës, duke pasur parasysh se rrethanat politike dhe juridike në Kosovë kanë ndryshuar dhe kjo kërkon që të krijohet një bazë e re kushtetuese, e cila do të mundësojë edhe shpejtimin e plotësimit të Rezolutës 1244 dhe të objektivave të saj themelore, si dhe përgatitjen e Kosovës për të kaluar në fazën finale të realizimit të Rezolutës 1244, pra fazës e cila nënkupton zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës. Ky proces synon të arrijë tre qëllime kryesore. E para të krijojë një bazë kushtetuese, që të bëhet një bartje e përgjegjësive nga administrata ndërkombëtare tek institucionet vendore. Kur e them këtë nuk mendoj përgjegjësitë e kreut të pestë, pra ato që janë bartur në momentin kur është miratuar Korniza Kushtetuese, por përgjegjësitë e rezervuara dhe kompletimin e një strukture të plotë qeveritare dhe institucionale të Kosovës. Objektiv i dytë i këtij procesi është përgatitja e Kosovës, apo paisja e Kosovës me kompetencat për t’i përmbushur standardet. Ju e dini se bashkësia ndërkombëtare ka përcaktuar disa standarde për t’i përmbushur, para se të kalohet në zgjidhjen e statusit final. Por plotësimi i këtyre standardeve me kompetencat aktuale të institucioneve të Kosovës është i pamundur dhe se për t’u dhënë mundësi institucioneve të kenë sukses në arritjen e këtyre standardeve, është e domosdoshme që të bëhet procesi i bartjes së kompetencave te qeveria dhe parlamenti i Kosovës dhe pajisja e tyre me përgjegjësi të reja. Ndërsa objektivi i tretë është përgatitja e Kosovës për zgjidhjen përfundimtare të statusit të saj. Unë mendoj se vetë UNMIK-u ka për detyrë që ta aftësojë popullin dhe institucionet e Kosovës me kapacitete qeverisëse. Por, kjo do të bëhet e mundshme, vetëm në qoftë se kemi një proces thelbësor të transferit të kompetencave dhe në qoftë se bëhet i mundur realizimi i vetqeverisjes substanciale që është një nga objektivat e këtij misioni.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë, cilat janë raportet ndërmjet institucioneve të përkohshme dhe UNMIK-ut lidhur me këto ndryshime, aq më tepër kur një zyrtar i administratës ndërkombëtare tha këto ditë se Korniza Kushtetuese ka vënë një balancë mes forcave politike në Kosovë dhe se ndryshimi i saj mund ta prishë këtë balancë?

ARSIM BAJRAMI
Procesi i ndryshimit të Kornizës Kushtetuese, nuk është përpjekje për t’i marrë në mënyrë të njëanshme kompetencat nga UNMIK-u. Mendoj se kjo është një ofertë shumë konstruktive që institucionet e Kosovës i bëjnë UNMIK-ut, për të realizuar me sukses misionin e tij. Kjo ofertë është plotësisht legjitime, pra kërkesa për të marrë kompetenca dhe dëshmuar aftësitë qeverisëse është një kërkesë që është vështirë të refuzohet nga administrata ndërkombëtare, e cila ka për detyrë që të stabilizojë gjendjen në Kosovë. Sa i përket pohimit se Korniza ka vënë ekuilibër, mendoj se është formulë që ka qenë aktuale ndoshta në momentin e miratimit të Kornizës, kur atëherë vërtetë është vënë një balancë midis UNMIK-ut dhe institucioneve të Kosovës, kur një dualizëm i pushtetit që ka qenë i nevojshëm, në kohën kur akoma institucionet e Kosovës nuk kanë qenë të përgatitura. Por tani mendoj se kjo balancë duhet të ndryshojë në favor të institucioneve të Kosovës. Dhe se siç e dini, është kërkesë e të gjitha partive politike që UNMIK-u të ndërrojë rolin dhe të kalojë nga ushtrues i pushtetit në një monitorues apo vëzhgues të pushtetit dhe të ketë një rol ndoshta edhe mbikqyrës në çështjet që do ta prejudikonin statusin final të Kosovës. Prandaj mendoj se çështja e balancave dhe ekuilibrave tani duhet të shikohet dhe interpretohet gjithmonë në favor të Kosovës dhe kjo balancë duhet të ndërrojë në mënyrë që Kosova të përgatitet t’i marrë përgjegjësitë e plota për ta qeverisur vetëveten.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse përqëndrohemi vetëm në ndryshimet që parashihen të bëhen në Kornizën Kushtetuese, atëherë cilat fusha do t’i përfshijnë ato?

ARSIM BAJRAMI
Kemi dy qasje. E para, është realiste dhe tenton të plotësojë Kornizën Kushtetuese me të metat që kishte edhe në momentin e miratimit dhe qasja e dytë që mendoj se është legjitime, por jo realiste, është që të bëjmë një kushtetutë të re. Edhe po të bënim për momentin një kushtetutë të re, kushtetuta e re do të kishte kufizime juridike, të cilat i imponon Rezoluta 1244. Kjo reformë kushtetuese mendoj se përfshin një pako të amendamenteve kushtetuese, të cilat nënkuptojnë ndryshimin e pothuajse të gjithë kaptinave të Kornizës Kushtetuese dhe të cilat de fakto e hapin rrugën e transferit të përgjegjësive. Ne sidomos mendojmë t'i krijojmë kapacitete qeverisë për Kosovën në pesë fusha të reja, sferën e marrëdhënieve ndërkombëtare, sferën e rendit dhe sigurisë, sferën e drejtësisë, sferën e energjetikës dhe sferën e pushtetit lokal. Gjithashtu është një kërkesë që përgjegjësinë për të drejtat e minoriteteve ta marrë vetë Kosova, qeveria dhe parlamenti dhe nuk ka nevojë që përfaqësuesi special të jetë, thënë me një zhargon pak edhe humoristik, të jetë një babadimër për minoritetet dhe gjithmonë ai të paraqitet si person që kujdeset apo që ledhaton minoritetet. Mendoj se kjo do të jetë tani e tutje një përgjegjësi e qeverisë së Kosovës që të mbrojë të gjithë qytetarët e vet. Një nga ndryshimet që mendoj se është e domosdoshme është dhe krijimi i një gjykate të pavarur kushtetuese, meqenëse Kosova tani ka krijuar një infrastrukturë legjislative është e domosdoshme të kemi një autoritet të veçantë që do ta mbrojë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë dhe se një autoritet i tillë mund të jetë vetëm Gjykata Kushtetuese. Dhe do të thoja një varg ndryshimesh të tjera në procesin e miratimit të ligjeve, proces ky që nënkupton që të hiqen veprimet burokratike të cilat e ngadalësojnë procesin e miratimit të ligjeve. Për shembull ne pretendojmë të krijojmë një arbitër eventual në rast të konfliktit midis Përfaqësuesit Special dhe Kuvendit të Kosovës rreth mos nënshkrimit të ligjeve, në mënyrë që ta kemi një arbitër i cili do të mund të zgjidhte konfliktet në këtë relacion që janë krejt të panevojshme. Me një fjalë bëhet fjalë për një pako të amendamenteve kushtetuese, të cilat mendoj se deri në fund të nëntorit do t’i prezantohen Kuvendit.

Intervistoi Zijadin Gashi


XS
SM
MD
LG