Ndërlidhjet

KUVENDI I KOSOVËS SHPEJTON DISKUTIMIN PËR NDRYSHIMIN E KORNIZËS KUSHTETUESE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Kuvendi i Kosovës në seancën e nesërme do të shqyrtojë propozimin për krijimin e grupit punues për përgatitjen e propozimeve lidhur me ndryshimin e Kornizës Kushtetuese, që është hapi i parë i inicuar nga komisioni parlamentar për legjislacionin.
Kryeministri Bajram Rexhepi, duke vlerësuar se është herët të flitet për nenet, të cilat do të ndryshohen, tha se kjo ka qenë iniciativë e qeverisë, e cila zyrtarisht është plasuar nga komisioni për legjislacion i Kuvendit të Kosovës, mirëpo, qeveria mbetet gjithnjë e përfshirë në implementimin e kësaj nisme:
"Qeveria ka në dispozicion ekspertët e vet të zyrës ligjore që ta ndihmojnë këtë proces. Është shumë herët të spekulohet se cilat nene të kornizës kushtetuese do të ndryshohen, por ky është një proces.", tha kryeministri Rexhepi.
Në të vërtetë diskutimi mbi këtë çështje qe paraparë për seancën e 6 nëntorit, por Kryesia e Kuvendit ka vendosur ta përshpejtojë këtë iniciativë, tha zëdhënësi i Kuvendit, Sherif Konjufca:
"Kjo është bërë në mënyrë që të fitohet kohë, pasi janë kërkesa serioze dhe është vlerësuar se është momenti i përshtatshëm që të fillojë ndryshimi i kornizës kushtetuese të Kosovës."
Sipas zotit Konjufca, në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit është thënë se do të ketë kontakte të vazhdueshme me kryeadministratorin Holkeri dhe me institucionet e tjera relevante ndërkombëtare lidhur me këto ndryshime.
Edhe anëtari i kryesisë së Kosovës, Hydajet Hyseni tha se ndryshimet në Kornizën Kushtetuese janë synim i hershëm i qytetarëve të Kosovës dhe i deputetëve, prandaj një veprim i këtillë, sipas tij është i domosdoshëm:
"Mendoj që është koha për t’i hyrë një ndërmarrjeje të tillë më se të nevojshme. Ndryshimi i bazës kushtetuese është një proces që ka filluar dhe po vazhdon. Ne tashmë kemi ndryshuar ndonjë dispozitë të kornizës kushtetuese, ndërsa fakti se po përgatitemi për zgjedhjet e ardhshme e bën të domosdoshëm një veprim të tillë," tha zoti Hyseni, sipas të cilit komisioni kushtetues dhe vetë Kuvendi i Kosovës do të identifikojnë nenet që duhen ndryshuar në këtë kornizë kushtetuese.
Zyrtarë të UNMIK-ut ndërkohë kanë thënë se nuk dinë se për çfarë ndryshimesh bëhet fjalë, por porosisin që të kihet kujdes për të ruajtur balancën që krijon Korniza Kushtetuese ndërmjet misionit të Kombeve të Bashkuara dhe institucioneve vendore. Një zëdhënës i UNMIK-ut, Sunil Narula ka thënë se Korniza Kushtetuese është bërë për të funksionuar deri në zgjidhjen e statusit përfundimtar, prandaj sipas tij për ndryshime eventuale të Kornizës Kushtetuese duhet të vendoset në bashkëpunim dhe këshillim me kryeadministratorin ndërkombëtar të Kosovës dhe me Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, i cili edhe ka mbikqyrur punën e hartimit të Kornizës ekzistuese Kushtetuese, sipas të cilës funksionojnë organet e pushtetit vendor.






XS
SM
MD
LG