Ndërlidhjet

logo-print

KUVENDI INICON NDRYSHIMIN E KORNIZËS KUSHTETUESE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Kuvendi i Kosovës i ka dhënë sot lejen grupit punues të ngritur nga ky Kuvend, që të fillojë hartimin e propozimeve për ndryshimin e Kornizës Kushtetuese të Kosovës. Grupi punues që përbëhet nga përfaqësues të të gjithë grupeve parlamentare, është autorizuar nga Kuvendi, që në bashkëpunim edhe me zyrën ligjore të UNMIK-ut, të fillojë ndryshimet për Kornizën Kushtetuese, që vlerësohet si fillimi i një reforme kushtetuese në Kosovë. Arsyetimin për këtë iniciativë e ka paraqitur Arsim Bajrami kryetar i grupit punues dhe njëkohësisht kryetar i komisionit për legjislacion dhe kornizë kushtetuese:
"Një reformë kushtetuese është e domosdoshme, pasi objektivi themelor i Kornizës Kushtetuese është realizuar, e ai objektiv ka qenë krijimi i bazës kushtetuese për ngritjen e institucioneve të qeverisjes së përkohshme, por nuk është realizuar ajo që ka paraparë rezoluta 1244, koncepti i vetëqeverisjes substanciale të Kosovës," tha zoti Bajrami sipas të cilit në këtë situatë është e domosdoshme reforma rrënjësore për ngritjen e kapaciteteve qeverisëse të Kosovës.
Kryetari i Kuvendit, Nexhat Daci tha se i gjithë projekti bëhet në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare dhe me zyrën ligjore të UNMIK-ut:
"Në këtë proces kemi kërkuar të bashkangjitet edhe zyra ligjore e UNMIK-ut dhe ka pajtueshmëri për këtë," tha zoti Daci.
Grupet parlamentare shqiptare e kanë përkrahur iniciativën për ndryshimet kushtetuese, ndërsa grupi parlamentar i koalicionit Kthimi e ka quajtur kornizën aktuale kushtetuese të mjaftueshme:
"Ne aktualisht nuk jemi për ndryshimin e Kornizës Kushtetuese, pasi deri tani ka qene funksionale," tha Dragisha Kërstoviç, kryetar i grupit parlamentar të koalicionit Kthimit.
Më pas, kryetari i Kuvendit Daci ka hedhur propozimin në votim dhe ai është miratuar me shumicë votash, duke i dhënë leje grupit punues të fillojë përgatitjen e propozimeve për ndryshime dhe duke marrë parasysh kërkesat për zgjerimin e grupit punues edhe me dy anëtarë. Aktualisht, kryetar i grupit është Dr. Arsim Bajrami, ndërsa Kolë Berisha, Fatmir Sejdiu, Bajram Kosumi dhe Dragisha Kërstoviç marrin pjesë në këtë grup punues.
Po në seancën e sotme, Kuvendi ka miratuar në parim edhe ligjin kundër diskriminimit, të propozuar nga kryeministri i Kosovës, i cili paraqiti arsyetimin për këtë ligj:
"Ligji ka si pikësynim pengimin e çfarëdo forme të diskriminimit për të gjithë kosovarët dhe ai është në pajtim me standardet e këtyre ligjeve në nivel evropian dhe ndërkombëtar," tha kryeministri i Kosovës.
Mirëpo, diskutimet pro këtij ligji nga deputetët shqiptarë u kundërshtuan nga Dragisha Kërstoviç, i cili tha se arsyetimet për këtë ligj kanë konotacione politike:
"Me një ligj të tillë as ndërtohet shteti, as fitohet pavarësia, por nevoja për nxjerrjen e këtij ligji është e pakontestueshme," tha Kërstoviç, duke kontestuar pastaj shumë pjesë të ligjit, ndërkohë që deputeti tjetër i këtij koalicioni, Oliver Ivanoviç kërkoi që qeveria të hartojë një tekst krejt të ri të këtij ligji. Më pas e mori fjalën deputeti Sabri Hamiti, i cili kërkoi që ligji të mos lejojë kurrfarë diskriminimi:
"Ne në parim e përkrahim nxjerrjen e këtij ligji, pasi më pëlqen titulli i tij, ligj kundër diskriminimit dhe përfundimisht le të dihet se nëse nxirret një ligj i tillë, atëherë nuk do të lejohen as në mënyrë ligjore, as në të folur tipet e diskriminimit pozitiv ose negativ,"
Një polemikë me tone të ashpra është zhvilluar ndërmjet deputetëve serbë Dragisha Kërstoviç e Liliana Keniç në njërën anë dhe Xhavit Halitit nga PDK në anën tjetër, por më pas ligji është miratuar në parim me shumicë votash.



XS
SM
MD
LG