Ndërlidhjet

logo-print

KAMMERHOFF TAKON BUÇKOVSKIN


Isuf Kadriu, Shkup

Gjendja aktuale politike dhe e sigurisë në rajon si dhe bashkëpunimi ndërmjet armatës së Maqedonisë dhe forcave të KFOR-it në sigurimin e kufijve, janë diskutuar në takimin e sotëm në Shkup mes Ministrit të Mbrojtjes Vllado Buçkovski dhe komandantit të KFOR-it gjenerali Holger Kammerhoff.
" Kemi biseduar për të gjitha çështjet që ishin në tavolinë. Siç e dini unë jam përgjegjës për stabilitetin dhe sigurinë e njerëzve që janë në Kosovë, ndërsa Buçkovski është i brengosur në veçanti sa i përket veprimeve të ekstremistëve dhe grupeve ekstremiste në të dyja anët e kufirit", tha gjenerali Kammerhoff, duke shtuar se kjo na preokupon të gjithëve, prandaj duhet të punojmë së bashku në këtë drejtim. Duke komentuar çështjet që kanë të bëjnë me sigurimin e vijës kufitare Kosovë Maqedoni, komandanti i KFOR-it u shpreh:
" Ju duhet ta kuptoni se brenda këtyre 30 ditëve unë nuk kam pasqyrë të plotë. I njoh problemet, sikurse dhe incidentet", tha gjenerali Kammerhoff, duke rikujtuar raportet dhe koordiminin që egziston mes forcave ndërkombëtare në Kosovë dhe Maqedoni, por edhe me trupin këshillues që vepron pranë Ministrisë së Mbrojtjes.
Bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të Maqedonisë dhe misioneve ndërkombëtare në Kosovë, KFOR-it dhe UNMIK-ut është në nivel të lartë, por qeveria maqedonase duhet patjetër të krijojë marrëdhënie edhe me institucionet kosovare, deklaroi Ministri i Mbrojtjes Vllado Buçkovski, para takimit me komandantin e KFOR-it. Ai njoftoi se me qëllim të lehtësimit të qarkullimit të njerëzve dhe mallrave në të dy anët e kufirit po shqyrtohet mundësia e hapjes së zyrës për lidhje në Prishtinë.
" Kemi kontakte intensive si me KFOR-in ashtu dhe me UNMIK-un, ndërsa vlerësoj se çështja e lejeve të përkohshme kufitare dhe problemet që egzistojnë në dogana, imponojnë nevojën të mendojmë seriozisht për ndonjë lloj të përfaqësive, të cilat do të ishin në funksion të zgjidhjes së problemeve me të cilat çdo ditë po përballen qytetarët", tha Ministri i Mbrojtjes Vllado Buçkovski, duke njoftuar se gjatë vizitës që do të realizojë në Kosovë muajin e ardhshëm do të takohet edhe me kryeministrin Bajram Rexhepi.
" Mendoj se shenjat pozitive dhe deklaratat që po vijnë që andej, vetëm na inkurajojnë të bëjmë hapa që nuk duhet të lenë përshtypje të keqe, pasi ne duhet t'i mbajmë marrëdhëniet e mira me Beogradin, por edhe të ndërtojmë raporte të mira me Prishtinën, sepse është evidente që nga protektorati i tanishëm nuk është e mundur që Kosova të kthehet në ndonjë lloj të autonomisë në kuadër të ndonjë federate të re", tha Ministri i Mbrojtjes Vllado Buçkovski, para takimit me komandantin e KFOR-it Holger Kammerhoff.



XS
SM
MD
LG