Ndërlidhjet

HOLKERI: "NISMA E KUVENDIT TË KOSOVËS HUMBJE E ENERGJISË"


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Kuvendi i Kosovës nuk mund ta ndryshojë Kornizën Kushtetuese, pasi ndryshimi i saj si dhe marrja e kompetencave nga kapitulli i të drejtave të rezervuara mund të bëhet vetëm me vendim të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ka deklaruar sot në një intervistë për Evropën e Lirë, shefi i UNMIK-ut Harri Holkeri, pasi i është drejtuar Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Zoti Holkeri ka thënë se këtë gjë dëshironte t’ua bënte të qartë liderëve politikë dhe deputetëve në parlamentin e Kosovës që kanë formuar një grup punues për fillimin e ndryshimeve në kornizën kushtetuese:
"Kjo kornizë mund të ndryshohet këtu në Nju Jork, por jo atje, ndërsa unë nuk shoh ndonjë vullnet politik për ta bërë këtë dhe mua më vjen shumë keq që njerëz mjaft të aftë në jetën politike harxhojmë shumë energji në përpjekje për të bërë diçka që është e pamundur," tha zoti Holkeri, duke thënë se ndryshimi i kornizës si dhe vendimin për dhënien e kompetencave nga kapitulli i tetë mund ta bëjë vetëm Këshilli i Sigurimit i OKB-së.
Sidoqoftë, zoti Holkeri ka thënë se politika e standardeve para statusit mbetet politika kryesore në Kosovë, në rrugën drejt zgjidhjes së statusit të saj përfundimtar. Në këtë kuptim ai ka thënë se do të bisedonte me vendorët për gjetjen e rrugëve për një implementim më efikas të standardeve që kërkon bashkësia ndërkombëtare:
"Unë mendoj se kemi interesa të përbashkëta me institucionet vendore në planin e implementimit dhe unë do të bisedoj me ta shumë miqësisht për të parë rrugët se si do ta bëjmë operacionalizimin dhe arritjen ne standardeve në praktikë," tha shefi i UNMIK-ut Holkeri, sipas të cilit bisdimet janë një prej këtyre standardeve që duhen përmbushur. Mirëpo, ai tha se nuk kishte marrë ndonjë plan orientues nga Këshilli i Sigurimit për të operacionalizuar përmbushjen e standardeve, siç kishin kërkuar institucionet vendore.
Sa u përket bisedimeve, Holkeri përsëriti keqardhjen për faktin se mospjesëmarrja e qeverisë ka pamundësuar një prezantim multietnik të Kosovës në takimin e Vjenës, mirëpo tha, tani na pret puna e përgatitjes së grupeve punuese, ku do të jenë të përfshirë edhe vendorët:
"Natyrisht se do të kontaktoj liderët vendorë sapo të arrij. Shumë përgatitje teknike tashmë i kemi bërë dhe unë do t’i thërras vendorët që të jenë pjesë e këtyre grupeve teknike," tha zoti Holkeri, i cili negociatat me Beogradin i ka bërë si rrugën e vetme për të shuar strukturat paralele në Kosovë të përkrahura nga Beogradi, ndërkohë që shuarjen e këtyre strukturave e ka kërkuar edhe vetë sekretari Kofi Anan:
"Unë nuk shoh ndonjë rrugë tjetër për shuarjen e strukturave paralele përveç negociatave me Beogradin, si dhe njëkohësisht ne duhet t’i zhvillojmë strukturat tona në Kosovë, pasi nëse ka një zbrazëti, atëherë do të funksionojnë strukurat paralele," tha Holkeri, duke u angazhuar për ndërtimin e institucioneve, të cilat do t’i trajtonin në mënyrë të barabartë të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike.
Holkeri tha se përmirësimi i situatës së sigurisë në Kosovë është një prej prioriteteve të administratës së tij.





XS
SM
MD
LG