Ndërlidhjet

W.WALKER: AJO QË NDODHI NË KOSOVË MË 1998-1999 NUK MUND TË QUHET NDRYSHE POS LUFTË


Rrahman Paçarizi Prishtinë

Ish-shefi i Misionit Vëzhgues të OSBE-së, në Kosovë, ambasadori William Walker, është shprehur i zhgënjyer nga mosefikasiteti i bashkësisë ndërkombëtare për të vepruar në Kosovë dhe për të adresuar një çështje të rëndësishme si ajo e përcaktimit të statusit të saj përfundimtar. Këto vlerësime zoti Walker i ka bërë pas takimeve që ka patur me kryeministrin Rexhepi dhe me kryeparlamentarin Nexhat Daci, në kuadër të qëndrimit të tij treditor në Kosovë:
"Unë mendoj se bashkësia ndërkombëtare ka mundur të bëjë më shumë, pasi gjithmonë mund të bëhet më shumë dhe unë e kam thënë edhe më parë se jam paksa i zhgënjyer me disa gjëra që nuk janë bërë apo janë bërë shumë ngadalë," tha ambasadori Walker, sipas të cilit çështja e statusit, për shembull, do duhej filluar të zgjidhet.
Në anën tjetër, kryeparlamentari Daci tha se Kosova po e vazhdon bashkëpunimin me ambasadorin Walker, të cilin po përpiqemi ta njoftojmë lidhur me problemet në rrugën e përmbushjes së synimeve strategjike, tha zoti Daci:
"Kemi një mirëkuptim. Po bëjmë plane për bashkëpunim dhe besoj se së bashku do t’ia dalim t’i zgjidhim të gjitha problemet në këtë ecje".
Ambasadori Walker ka ardhur në Kosovë në ditën që në Stokholm duhej të fillonte një konferencë ndërkombëtare për Kosovën e cila është shtyrë për shkak se, sipas njoftimeve, disa prej të ftuarve nga Kosova nuk kanë rrezikuar të nisen për Stokholm, nga frika e arrestimeve gjatë rrugës, për shkak të fletarresteve që Serbia ka lëshuar përmes Interpolit. Zoti Walker nuk e ka pohuar një gjë të tillë drejtpërdrejt, por tha se konferenca ishte shtyrë për shkak të disa problemeve që kishin dalë në momentin e fundit, e të cilat shpresonte se do t'i zgjidhte edhe në bashkëpunim me kryeadministratorin Holkeri:
"Me sa di unë, zoti Holkeri e ka adresuar këtë çështje edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dje, ndërsa unë shpresoj të takohem me zotin Holkeri, me të cilin do ta diskutoj këtë çështje, tha zoti Walker.
Ndryshe nga zyrtarët e pranisë ndërkombëtare civile dhe ushtarake në Kosovë, të cilët atë që ka ndodhur në Kosovë gjatë viteve 1998 dhe 1999 e kanë quajtur konflikt i armatosur, ambasadori Walker, i cili në atë kohë kryesonte misionin e OSBE-së në Kosovë, tha se ajo që kishte ndodhur këtu nuk mund të quhej ndryshe pos luftë:
"Ajo që ka ndodhur këtu, kur NATO-ja ka lëshuar aeroplanët, ka hedhur bomba, ndërkohë që luftohej në tokë, për mua do të thotë se ky është definicion për luftë," tha ambasadori Walker, i cili shpreson që javën e ardhshme të takohet edhe me shefin e UNMIK-ut Holkeri, në përpjekje për të siguruar anullimin e fletarresteve nga Serbia për drejtues të institucioneve të Kosovës dhe për liderë politikë.

XS
SM
MD
LG