Ndërlidhjet

UDHËHEQËSIT KOSOVARË SHPREHIN REZERVA PËR RAPORTIN E HOLKERIT


Zijadin Gashi, Prishtinë

Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Harri Holkeri, ka prezantuar në Këshillin e Sigurimit prioritetet e tij, por jo edhe atë, për të cilën jemi marrë vesh ne në Prishtinë, që institucionet e përkohshme vendore dhe UNMIK-u të jenë partnerë, ka thënë sot kryetari i Kuvendit të Kosovës Nexhat Daci. Zoti Daci, tha po ashtu se ai nuk ka ndonjë vërejtje të posaçme për ndonjë pjesë të raportit të Holkerit, pasi, siç tha ai, në përgjithësi e ka një vërejtje thelbësore paraqitjes së shefit të UNMIK-ut në Këshillin e Sigurimit.
“E kam një vërejtje thelbësore. Në takimet që kemi patur, edhe në katër sy edhe në takime tjera, jemi marrë vesh që të jemi partnerë të mirë, prandaj ai që e thyen fjalën i merr përsipër pasojat. Unë do të thoja që ne e kemi një përcaktim strategjik që të bashkëpunojmë në mënyrë që misioni i UNMIK-ut të përfundojë si mision i suksesshëm dhe sa më parë, por, me këtë që po ngjet ka pak shanse që vërtetë të përfundojë si i tillë”, tha Daci.
Duke e shprehur dyshimin e tij se UNMIK-u me veprimet e veta do ta përmbyllë jo me sukses misionin e vet në Kosovë, Daci i shtroi vërejtje Holkerit edhe në lidhje me deklarimin e tij, kundër ndryshimeve në Kornizën Kushtetuese të Kosovës, proces këtë që dje e miratoi dhe Kuvendi i Kosovës. Kjo kornizë, tha Daci, nuk është një libër i shenjtë që të mos ndryshohet asgjë në të.
“Korniza Kushtetuese nuk është Kuran e as Bibël. Dhe në të shkruan që gjatë kohës mund të ndryshohet dhe unë kur i kam hyrë një pune të tillë bashkë me parlamentin, nuk e kam bërë pa konsultime të duhura”.
Daci tha se gjatë vizitave dhe kontakteve me Bundestagun Gjerman, Asamblenë Nacionale të Francës dhe Parlamentin e Belgjikës, ata i kanë dhënë përkrahje dhe kanë ofruar ndihmë për fillimin e ndryshimeve kushtetuese dhe i bëri thirrje edhe zyrës ligjore të UNMIK-ut, që edhe ajo të kyçet në procesin e ndryshimimit dhe plotësimeve në këtë akt juridik.
Ndërkohë, kryeministri i kosovës Bajram Rexhepi, nuk ka komentuar asgjë sa i përket deklarimit të Holkerit në lidhje me mosndryshimin e Kornizës Kushtetuese. Ndërsa lidhur me raportin e tij në Këshillin e Sigurimit, kryeministri i Kosovës tha se Holkeri aty më tepër është përqëndruar në prioritetet e tij, sa i përket dialogut me Beogradin dhe pozitës së pakicave në Kosovë:
“Mendoj se hapësira më e madhe në raport i është kushtuar dialogut me Beogradin dhe dhunës që ka ndodhur në atë kohë. Ka pasur dhe gjëra pozitive, si çështja e arrestimeve që ka kërkuar që ato të anulohet. Ka pasur dhe gjëra tjera si çështjet ekonomike dhe shumë çështje të tjera”, tha kryeministri Rexhepi.
Ndërsa shefi i grupit të deputetëve të koalicionit “Kthimi”, Dragisha Kërstoviç, tha se është pjesërisht i kënaqur me raportin e Holkerit, ndërsa u shpreh i pakënaqur lidhur me dënimin e strukturave ekzistuese paralele serbe në Kosovë.
Kërstoviç tha se ai posaçërisht nuk është i kënaqur me dënimin e strukturave paralele serbe, pasi këto struktura sipas tij, janë ngritur si pasojë e mungesës së sigurisë për minoritetin serb që jeton në Kosovë. Ai tha se ka pritur nga Holkeri të japë dhe sqarime pse ka ngecje sa i përket kthimit të personave të zhvendosur dhe problemeve që e ngarkojnë jetën e minoritetit serb në Kosovë.




XS
SM
MD
LG