Ndërlidhjet

logo-print

FILIPOVIÇ: "DUHET DIFERENCIM I QARTË NGA ATA QË NË EMËR TË POPULLIT SERB KANË KRYER KRIME"


Mirosllav Filipoviç, analist nga Beogradi

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Filipoviç, si i vlerësoni reagimet e autoriteteve të Beogradit, pas aktpadive të Tribunalit të Hagës kundër 4 gjeneralëve të ushtrisë dhe policisë serbe?

MIROSLLAV FILIPOVIÇ
Reagimet e pushtetit dhe opinionit në Beograd janë të pritura, duke marrë parasysh atë që ka ndodhur prej 5 tetorit e këtej, pra reagimet që i kishin politikanët më të rëndësishëm të Serbisë. Për askënd nuk paraqet befasi kundërshtimi i rreptë. Këtu ka edhe mjaft spekulime rreth marrëveshjes, të cilën ish kryeministri Xhingjiç e arriti me Carla del Ponten, që të mos ketë aktakuza kundër këtyre njerëzve. Është diçka shumë e pakëndshme për një shtet të burgoset operativi i parë i policisë, respektivisht të ngritet aktpadi kundër tij, si dhe ndaj komandantit faktik të ushtrisë, gjeneralit Llazareviç, si ndihmës i kryeshefit për forcat tokësore, i cili në fakt ka komanduar atë ushtri.Kjo për mua nuk është befasi, por mendoj se duhen pritur hapat e ardhshëm të qeverisë dhe Komitetit Kombëtar për bashkëpunimin me Hagën. Atëherë situata do të jetë më e qartë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Filipoviç, disa analistë të Perëndimit mendojnë se Serbia duhet të kalojë nëpër të ashtuquajturin proces të denazifikimit, pas tërë asaj që ndodhi në hapësirat e ish Jugosllavisë. Cili është komenti juaj?

MIROSLLAV FILIPOVIÇ
Unë edhe para qëndrimit tim në burg jam angazhuar për një spastrim nga krimi dhe kriminelët, për një diferencim të qartë prej atyre, të cilët në emër të popullit serb kanë kryer krime. Kjo ndarje, ky apostrofim i atyre që bënë krime, si dhe dënimi i tyre, jo vetëm në vendin tonë, por edhe në gjykatën ndërkombëtare, është mjaft i rëndësishëm. Mendoj se Serbia kësaj nuk do të mundet t'i shpëtojë, dhe sa më shpejt ta bëjë, aq më mirë. Më e mira do të ishte që këtë ta bëjë shteti. Gjithë ajo që po e bëjnë mediat apo organizatat joqeveritare, më shumë i përngjan përpjekjes për të mos u fikur zjarri.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Filipoviç, ju vetë ishit viktimë e regjimit të Millosheviçit, sepse i pari folët publikisht për atë që ndodhte në Kosovë. Si e shihni tani këtë, a keni më shumë bashkëmendimtarë?

MIROSLLAV FILIPOVIÇ
Unë këtë e shoh njësoj. Edhe më tej angazhohem për atë që e thashë më parë, për një diferencim të qartë të pjesës më të keqe në shoqërinë serbe dhe të bashkëkombësve të mi, për dënimin e tyre, me qëllim që pjesa tjetër të jetojë dhe punojë normalisht. Për fat të keq, qëndrimi i qeverisë është i njohur. Në Serbi për këtë nuk flitet. Ende është temë tabu dhe mendoj se nuk e teproj nëse them se ende jam pionier i çështjes së tillë. Jam i vetmi që ka shkruar në atë mënyrë, ndoshta tani mund të ketë edhe kolegë të tjerë që shkruajnë ngjashëm, por më afër të vërtetës është se unë ende kam mbetur i vetmi që kohë pas kohe shkruaj ndonjë tekst rreth tërë asaj që ka ndodhur.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Filipoviç, bisedimet për çështjet teknike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit filluan në Vjenë. Megjithatë, në Kosovë një pjesë e opinionit dhe përfaqësuesve të pushtetit ende janë skeptikë rreth bisedimeve.Cili është qëndrimi juaj, si e shpjegoni këtë?

MIROSLLAV FILIPOVIÇ
Unë kam shkruar disa herë se ato bisedime, ashtu si janë paramenduar, janë kryesisht joproduktive dhe nuk do të sjellin rezultate, edhe pse çdo bisedim është i dobishëm. Mendoj se rezistenca e opinionit ndaj atyre bisedimeve është e njëjtë, si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi. Bisedimet nuk zhvillohen për atë që i intereson shqiptarëve të Kosovës dhe kjo është pavarësia, e as për atë që janë të interesuar pushteti dhe qytetarët në Serbi, të cilët nga bisedimet presin zgjidhjen e statusit të Kosovës, ashtu siç e dëshiron Serbia zyrtare, që ajo sërish të futet nën sovranitetin faktik të Serbisë.
Mendoj se këto bisedime janë të dobishme vetëm për bashkësinë ndërkombëtare dhe sipas informacioneve që disponoj, mendoj se bashkësia ndërkombëtare pak a shumë e ka formuluar qëndrimin e saj për Kosovën. Problemi kryesor i bashkësisë ndërkombëtare është si t'ja kumtojë Serbisë se Kosova do ta fitojë pavarësinë, por edhe si t'ua kumtojë Kosovës dhe shqiptarëve në Kosovë se për atë pavarësi do të duhet të presin disa dekada.

Intervistoi Vullnet POSHKA

XS
SM
MD
LG