Ndërlidhjet

KTHIMI I PACIENTËVE SHQIPTARË- OBLIGIM MORAL


Bekim Bislimi

Komunikimi në gjuhën amëtare dhe ndjenja se gjenden në rrethin e tyre dhe afër familjeve, do t’i ndihmonte shumë pacientët shqiptarë, të cilët gjenden në spitalin psikatrik në Toponicën e Epërme në Nish, prandaj, institucionet kosovare duhet të bëjnë çmos që këta pacientë të kthehen në vendlindjen e tyre, thotë Prof. Dr. Arif Birinxhiku, neuropsikiatër në Klinikën e Psikiatrisë në Prishtinë. Sipas tij, angazhimi i institucioneve qeveritare që këta pacentë të kthehen në Kosovë, nuk është vetëm përgjegjësi e thjeshtë por edhe obligim moral.
“Ky është një humanizëm i madh, t'u ndihmosh njerëzve që kanë çrregullime psiqike, çrregullime mendore, të cilët janë larg anëtarëve të familjes, larg rrethit, larg të njohurve, larg mjekëve të tyre dhe larg komunikimit në gjuhën amëtare”, tha doktor Birinxhiku. Ai thekson se përgjegjësinë për të inicuar kthimin e këtyre pacientëve e ka Ministria e Shëndetësisë e Qeverisë së Kosovës.
“Unë besoj se kjo është në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, mirëpo mendoj se të gjitha institucionet duhet të marrin një pjesë të përgjegjësisë, që këtyre njerëzve t’u mundësohet që të frymojnë dhe jetojnë në Kosovë”, tha doktor Birinxhiku.
Ndërkaq, Dr. Ismet Abdullahu, zyrtar për shëndetin mendor në Ministrinë së Shëndetësisë, thotë se kjo ministri është duke punuar në drejtim të krijimit të mundësive, që të gjithë pacientët kosovarë që gjenden në Toponicën e Epërme t’i kthejë në Kosovë. Sipas tij deri më tani ka patur shumë manipulime rreth numrit të saktë të pacientëve në spitalin e psikiatrisë në Toponicën e Epërme, ndërkaq sipas informatës së fundit jozyrtare, të cilën e disponon ministria, në Nish gjenden 47 pacientë shqiptarë nga Kosova. Zoti Abdullahu thotë se Ministria e Shëndetësisë nuk disponon të dhënat zyrtare lidhur me gjininë, moshën dhe çrregullimet shëndetësore të këtyre pacientëve.
“Kontakte me Serbinë nuk kemi pasur asnjëherë, ne si institucion (ministria). Praktikisht, duhet dikush ta bëjë hapin e parë. Se kush është ai që do ta bëjë hapin e parë, të vërë kontaktin zyrtar…? Ne deri tani, kemi vetëm informacionet që kanë qarkulluar përmes organizatave humanitare apo Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, i cili ka pasur kontakte me zyrtarët nga Serbia, që ne praktikisht nuk i kemi pasur. E dimë se cila është situata dhe cilat janë raportet me Serbinë, kështuqë, ne nuk kemi gjetur ndonjë mënyrë, ndonjë rrugë se kujt t’i drejtohemi apo në çfarë mënyre t’i drejtohemi”, tha zoti Abdullahu. Megjithatë, ai thotë se Ministria e Shëndetësisë është e gatshme që të fillojë procesin që t’i kthejë në Kosovë pacientët kosovarë që gjenden në Toponicë të Epërme.
“Ne mund t’i marrim hapat shumë shpejt, domethënë, mund të veprojmë me një dinamikë më të shpejtuar. Së pari, të kontaktojmë me organet kompetente relevante të institucioneve shëndetësore në Serbi, në Nish apo Toponicë dhe në qoftë se ka edhe ndonjë vend tjetër ku ka persona që janë duke u trajtuar, të marrim informata të sakta rreth klientëve, të cilët janë qytetarë të Kosovës. E dyta, të veprojmë në atë drejtim që të shikojmë dhe të incizojmë situatën në terren. Në ato raste ku ekzistojnë kushtet, qofshin ato edhe minimale, domethënë t’i kthejmë sa më shpejtë ata persona, t’i riintegrojmë në familje në fillim apo në ndonjë institucion psikiatrik dhe pastaj, me një dinamikë më të ngadalshme, për një kohë relativisht të shkurtër ne mund t’i kthejmë këta persona”, tha zoti Abdullahu.
Sidoqoftë, ditë më parë ekspertët për shëndetin mendor në Kosovë kanë theksuar se koncepti për kurimin e sëmundjeve mendore në shëndetësinë Kosovare, ndryshon prej konceptit në Serbi, ku sipas tyre aplikohen institucionet e tipit të mbyllur, siç është edhe spitali psikiatrik në Nish.

XS
SM
MD
LG