Ndërlidhjet

SHBA-TË PO RISHOHIN SITUATËN E SIGURISË DHE STRATEGJINË NË IRAK


Charles Recknagel, Radio Evropa e Lirë

Në valën e sulmeve të fundjavës ku u vranë 19 ushtarë amerikanë, zyrtarët e Shteteve të Bashkuara janë shumë të interesuar të shohin ecjen përpara të rindërtimit të Irakut, megjithëse ata theksojnë se bëhet fjalë edhe për të fituar një luftë që po vazhdon.
Lidhur me humbjen e një numri të madh ushtarësh gjatë të djelës së kaluar shefi i Pentagonit, Donald Ramsfeld tha:
"Ishte një ditë e tmerrshme. Në luftë do të ketë dhe ditë të tilla, por ne do të ecim në rrugën tonë dhe do t'ja dalim mbanë", tha Ramsfeld.
Fakti se Ramsfeld flet për gjendjen aktuale në Irak duke e cilësuar si "luftë" tregon dhe njëherë se administrata amerikane po e risheh mënyrën e vlerësimit të gjendjes së sigurisë në Irak.
Menjëherë pas rrëzimit të Sadam Huseinit, zyrtarët amerikanë dhe mediat i cilësonin sulmet kundër forcave të koalicionit si incidente të veçuara, që kishin për autorë besnikë të regjimit të rrëzuar, simpatizantë të Al-kaidës apo kriminelë të rëndomtë.
Por derisa numri i këtyre incidenteve shënon një mesatre prej 35 sulmesh në ditë, gjuha që po përshkruan gjendjen aktuale në Irak ka ndryshuar dhe tani asaj i referohen si "luftë guerrile në një shkallë të ulët."
E përditshmja amerikane Nju Jork Tajms lidhur me këto sulme shkruan se "amerikanët prej muajsh po vdesin në Irak, të goditur nga një armik i një natyre ende të paqartë. Por sulmi i fundjavës kundër helikopterit ushtarak amerikan, ku për pasojë gjetën vdekjen 16 ushtarë amerikanë e ka çuar këtë rezistencë në një shkallë të re dhe ka rritur efekasitetin e saj.
Edhe e përditshmja britanike "Tajms" shkruante rreth incidentit në fjalë se ai e bëri të qartë edhe njëherë faktin e rëndë se amerikanët janë ende në luftë në Irak. Veriu, i populluar kryesisht nga kurdë dhe jugu me popullsi myslimane shiite, po shënojnë përparim, ndonëse atij nuk i kushtohet vëmendje nga mediat. Por trekëndëshi qëndror i populluar nga sunitë po reziston duke e shndërruar frikën dhe dhunën në normë.
Nga ana tjetër grupet që realizojnë sulmet kundër forcave amerikane kanë nisur dhe një lloj lufte psikologjike. Kështu në Bagdad flitej se e shtuna e shkuar do të ishte dita e rezistencës. Kjo bëri që shumë nga prindërit mos t'i çonin fëmijët në shkollë dhe shumë dyqane kanë mbetur të mbyllura.
Shefi i administratës civile në Irak, diplomati Paul Bremer, tha se deri në shtatorin e ardhshëm do të jenë mbi 200 mijë irakianë të përfshirë në mbrojtjen e vendit.
"Ne ende po studiojmë mundësinë e kthimit të pushtetit tek irakianët. Përveç faktit se irakianët sjellin shumë njohuri të reja që lidhen me gjuhën dhe kulturën vendase në luftën kundër terrorizmit, është e rëndësishme që ata të marrin një rol qëndror edhe në mbrojtjen e vendit të vet." tha Bremer.
Megjithatë ende në Shtetet e Bashkuara po vazhdon debat i nxehtë mbi faktin nëse Uashingtoni duhet t'i përballojë i vetëm detyrat e sigurisë në Irak, duke dërguar trupa shtesë, apo të shohë një rol më të gjerë për Kombet e Bashkuara.

XS
SM
MD
LG