Ndërlidhjet

GJERMANIA DHE FRANCA AKUZOHEN PËR SHKELJE TË RREGULLOREVE TË BE-SË


Financial Times

Në një takim të ministrave të Bashkimit Evropian, Gjermania dhe Franca, të hënën janë akuzuar se janë duke tentuar që të përmbysin rregullat fiskale evropiane, shkruan e përditshmja londineze Financial Times.
Përfaqësuesit e këtyre dy vendeve thonë se janë duke e shfrytëzuar një vakuum ligjor i cili u mundëson shmangien nga kërcënimi i vendosjes së sanksioneve në kuadër të Paktit të Stabilitetit të Bashkimit Evropian. Mirëpo, manovrimet e tyre kanë shqetësuar Komisionin Evropian dhe disa vende më të vogla, të cilat thonë se një qasje e tillë do të shkatërronte kredibilitetin edhe ashtu të brishtë të Paktit.
Gazeta citon Ministrin austriak të Financave, Karl Heinz Grasser, të ketë thënë se Franca dhe Gjermania, duhet të përballen me pasojat e thyerjes së rregullave defiçitare të Paktit, duke shtuar se rrugëdalja nuk mund gjendet duke vrarë Paktin e Stabilitetit dhe duke rrezikuar njërën shtyllë të unionit monetar.
Të 12 anëtarët e Bashkimit Evropian që kanë futur në qarkullim valutën e përbashkët duhet të vendosin këtë muaj nëse do ta forcojnë paktin e tyre, i krijuar për të forcuar edhe disiplinën fiskale në eurozonë.
Miratimi i një vendimi të tillë do të nënkuptonte edhe vendosmërinë për të zbatuar rekomandimet e Komisionit Evropian për të filluar procedurat kundër Francës për thyerjen e saj të tretë me rradhë të paktit në vitin 2004.
Nëse një vendim i tillë miratohet, Brukseli do të marrë përsipër të udhëzojë Parisin për të përmirësuar defiçitin dhe do të kërkojë nga Franca që të raportojë për përparimet eventuale. Në rast të një mosrespektimi nga ana e Parisit, Franca, sikurse edhe Gjermania që gjendet në situatë të njëjtë, mund të përballen me gjobë.
Por, siç shkruan Financial Times, të dyja vendet nuk janë të gatshme të pranojnë nënçmimin për të marrë udhëzime nga Brukseli, prandaj janë të interesuara që me përkrahjen e Italisë, Luksemburgut dhe Portugalisë, të pezullojnë procedurat e Komisionit Evropian për forcimin e paktit dhe t’i zëvendësojnë ato me qasje vullnetare. Mirëpo, Komisioni Evropian insiston se një hap i tillë do të ishte i kundërligjshëm në bazë të marrëveshjes së Bashkimit Evropian dhe se nuk do të pajtohet me këtë hap.


XS
SM
MD
LG