Ndërlidhjet

logo-print

DOBBINS: PAVARËSIA- ZGJIDHJA PËRFUNDIMTARE E PROBLEMIT TË KOSOVËS


James Dobbins, ish i dërguar i Shteteve të Bashkuara në Kosovë

RADIO EVROPA E LIRË
Ambasadori Dobbins, si ish i dërguar i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, 4 vjet pas përfundimit të luftës, sipas jush cilat janë arritjet kryesore dhe dështimet?

JAMES DOBBINS
Nuk e di nëse ka dështime të mëdha në Kosovë. Ndër arritjet më të mëdha do të thosha së pari faktin se Kosova është në paqe, është shënuar përparim në fushën ekonomike dhe atë politike dhe rajoni në tërësi, kam parasysh Ballkanin perëndimor, po bashkohet dalëngadalë dhe po kalon nga tranzicioni drejt një pjesëmarrjeje të plotë në strukturat bazë perëndimore, në NATO dhe BE.
Çështja e statusit përfundimtar të Kosovës nuk është zgjidhur ende, por bisedimet mes serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës kanë filluar. Besoj se kjo do të marrë kohë relativisht të gjatë, por mendoj se suksesi kryesor është që rajoni në tërësi është në paqe.

RADIO EVROPA E LIRË
Gjatë punës suaj në Ballkan ju keni komunikuar me udhëheqësit kosovarë. Klasa politike e Kosovës edhe sot ka thuajse të njëjtat figura kyçe politike si dhe para katër vitesh. Si e vlerësoni evoluimin e tyre?

JAMES DOBBINS
Ashtu siç e thatë dhe ju, klasa drejtuese e Kosovës ka mbetur thuajse konstante, e pandryshuar. Mendoj se në përpjekjet për të stabilizuar vendin dhe për të bërë rindërtimin politik dhe ekonomik të Kosovës, ka bërë që të shënohet përparim dhe se një numër drejtuesish kosovarë kanë marrë pjesë në këtë proces. Mendoj që në një shkallë, tensionet dhe dallimet në mes tyre kanë qenë pengesë, por këtë mund ta kisha quajtur dhe një fenomen normal për jetën politike dhe nuk besoj se dikush do t'i shihte me keqardhje të madhe këto dukuri.

RADIO EVROPA E LIRË
Duket se të gjithë faktorët kryesorë të bashkësisë ndërkombëtare duken të interesuar të shtyjnë për momentin diskutimin mbi statusin e Kosovës. Cili është mendimi juaj?

JAMES DOBBINS
Mendoj se koha për të hapur bisedimet e vërteta për statusin e Kosovës do të jetë koha kur qasjet, si në Kosovë ashtu dhe në Serbi, do të kenë evoluar deri në pikën që dikush e sheh se rezultati i bisedimeve do të ishte i pranueshëm për të dyja palët.
Për sa kohë që qasjet e publikut janë kaq të kundërta që duket se asnjë përfundim i pranueshëm nuk do të jetë i lehtë të pranohet nga palët, atëherë do të ishte e parakohshme të fillohen negociatat. Por diskutimet mes dy palëve kanë filluar dhe ky është së paku fillimi i procesit.

RADIO EVROPA E LIRË
Ish Sekretarja amerikane e Shtetit Madlene Ollbrajt, në librin e saj "Zonja Sekretare e Shtetit Kujtime," thotë se për Shtetet e Bashkuara pavarësia e Kosovës nuk paraqet problem. A kanë Shtetet e Bashkuara të njëtin pozicion dhe sot dhe cila është politika aktuale amerikane lidhur me statusin e Kosovës?

JAMES DOBBINS
Nuk mendoj se në këtë drejtim ka pasur ndryshim të politikës amerikane. Mendoj se qasjet ndaj pavarësisë së Kosovës kanë qenë gjithmonë të lidhura dhe të ndërvarura me faktin se sa i kontribuohet stabilitetit rajonal.
Duke pasur parasysh dëshirën e shumicës absolute të popullit të Kosovës për pavarësi, sipas të gjitha gjasave zgjidhja përfundimtare e problemit do të jetë një lloj i pavarësisë. Çfarë lloji saktësisht i pavarësisë do të jetë, cila do të jetë shkalla e lidhjeve të Kosovës me fqinjët dhe statusi i serbëve në Kosovë, do nevojiten të diskutohen dhe padyshim që kjo do të jetë e vështirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka pasur propozime për ripërcaktimin e kufijve në Ballkan. Si i vlerësoni ju propozime të tilla?

JAMES DOBBINS
Mendoj se është thuajse e pamundur të mendosh një proces të riparjes së kufijve që nuk del jashtë kontrollit. Mendoj se gjithshka mund të bëjmë në nivelin abstrakt të të menduarit të një procesi të tillë, është se një gjë e tillë do të kishte kuptim, sa i përket vendosjes së baraspeshave etnike apo faktorëve të tjerë. Por në momentin ku fillon ky proces, ai çon automatikisht në rritje të kërkesave nga palët dhe ky mund të jetë shumë ndarës si proces në shtete të tilla si Maqedonia.

Intervistoi Iliriana A. Bajo

XS
SM
MD
LG