Ndërlidhjet

KAMMERHOFF: NUK ËSHTË SHQETËSUES REDUKTIMI I KFOR-IT


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Vazhdimi i dialogut me Serbinë e Malin e Zi besoj se do të ndihmojë për shuarjen e strukturave paralele në Kosovë, ka deklaruar sot në Prishtinë komandanti i forcës paqëruajtëse të NATO-s në Kosovë, gjenerali Holger Kammerhoff. Ai i ka bërë këto komente në konferencën e tij të parë që kur ka marrë komandën mbi 20 mijë trupat paqëruajtëse KFOR, më 3 tetor të këtij viti. Ai tha se kryeadministratori i Kosovës, Harri Holkeri po merret intensivisht me këtë çështje, në përpjekje për të gjetur zgjidhje, ndërkohë që në esencën e tij ky është një problem politik:
"Kjo është një çështje politike, prandaj unë shpresoj që dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës do të ndihmojë për zgjidhjen e e këtij problemi," tha gjenerali Kammerhof, duke porositur qytetarët e Kosovës që të mos kenë frikë nga reduktimet e paralajmëruara të numrit të pjesëtarëve të forcës paqëruajtëse në Kosovë, pasi synimi i KFOR-it është që kjo forcë të jetë më fleksibile dhe më efikase në pajtim me situatën më të mirë që mbretëron tani në Kosovë, ku nuk ka nevojë për shumë trupa paqëruajtëse:
"Ju do të shihni një forcë shumë më fleksibile vitin e ardhshëm dhe unë jam shumë optimist se do të shfrytëzojë këto forca dhë aftësitë e tyre," tha gjenerali Kammerhoff duke bërë të ditur se 20 mijë ushtarët e KFOR-it që aktualisht kryejnë misionin e tyre në Kosovë vijnë nga 34 vende të ndryshme, gjysma prej të cilëve nga vende të NATO-s.
Gjenerali Kammerhof tha se KFOR-i është i vetëdijshëm për misionin dhe mandatin që ka në bazë të rezolutës 1244 të KS të OKB-së dhe po sillet në pajtim me këtë, për të garantuar lirinë e lëvizjes në gjithë Kosovën:
"Meqenëse ushtarët e KFOR-it kanë për detyrë të sigurojnë lirinë e lëvizjes në Kosovë, ne jemi gjithmonë të gatshëm dhe të përgatitur që të respektojmë edhe pasurinë kulturore dhe historike të Kosovës dhe të qytetarëve të saj," tha gjenerali gjerman Holger Kammerhoff, sipas të cilit, KFOR-i ka ndihmuar popullatën e Kosovës në raste të ndryshme, duke ofruar shërbime shëndetësore, ndihmë për ndërtimin e rrugëve e urave, si dhe duke punësuar shumë vendorë, 200 prej të cilëve vetëm në Selinë e KFOR-it në Prishtinë.



XS
SM
MD
LG