Ndërlidhjet

GROSSMAN: MAQEDONIA TË JETËSOJË MARRËVESHJEN E OHRIT


Sefer Tahiri, Shkup

Nënsekretari për çeshtje politike i Departamentit amerikan të Shtetit Marc Grossman, pas takimeve me kryetarin e Maqedonisë, Boris Trajkovski, kryeministrin Branko Crvenkovski dhe me kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë nga Maqedonia që të fokusohet në reformat në vend, në jetësimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe t'i mbështesë angazhimet për vendosjen e standardeve në Kosovë.
Grossman tha se Ballkani ka rëndësi të madhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës:
"Pas dhjetë vitesh të angazhimit politik, diplomatik, ushtarak dhe ekonomik në Ballkan, është arritur përparim," tha Grossman duke shtuar se "dëshirojmë ta inkuadrojmë Ballkanin në Evropë, me qëllim që njerëzit të jetojnë në demokraci multietnike dhe stabilitet."
Zyrtari amerikan tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Maqedonia ka marrëdhënie të mira dypalëshe:
"Për këtë flet fakti se dy vendet tona kanë partneritet të afërt në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Evropën Juglindore, në luftën kundër terrorizmit, në kuadër të së cilës ushtarët maqedonas janë të angazhuar së bashku me ushtarët amerikanë në Irak dhe Afganistan", tha Grossman.
Nënsekretari për çeshtje politike i Departamentit amerikan të Shtetit u ndal edhe në çështjen e Kosovës, e cila është një ndër temat e bisedimeve gjatë vizitës së tij katërditore në shtetet e Ballkanit.
"Në takimet qe kam pasur, më vjen mirë që mbështetet ideja për përkrahjen e standardeve të qarta, të cilat duhet të realizohen në Kosovë para se të fillojë dialogu për statusin e saj", tha Grossman.
Ndërkohë kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, tha pas takimit me zotin Grossman se ka rikonfirmuar qëndrimin se jetësimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit dhe zgjidhja e statusit të Kosovës do tu jepnin fund problemeve të shqiptarëve në Ballkan:
"Jetësimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit, si dhe zgjidhja e statusit final të Kosovës, si dy probleme definitivisht të zgjidhura, do të thotë paqe, stabilitet dhe siguri për Maqedoninë. Rruga për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian dhe e NATO-s, kalon nëpër Ohër dhe pa jetësimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit sigurisht që ne nuk mund të arrijmë të bëhemi pjesë e këtyre strukturave."
Zoti Ahmeti tha se në shtet ka një qëndrim të përbashkët se Kosova duhet të jetë demokratike:
"Ne jemi të interesuar për institucione funksionale, me ç'ka nuk na pengon dhe pavarësia e Kosovës", tha kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, duke shtuar se përmbushja e standardeve do të kontribuonte që Kosova të arrijë pavarësinë e saj.


XS
SM
MD
LG