Ndërlidhjet

POLICIA NDËRMERR OPERACION PËR KAPJEN E VRASËSVE TË FAMILJES STOLIÇ


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Autoritetet e policisë ndërkombëtare kanë bërë të ditur se sot në orën 4 të mengjesit ka filluar një opracion i madh në përpjekje për të arrestuar personat e dyshimtë për vrasjen e tre anëtarëve të familjes Stoliç nga Kastrioti, përkatësisht Obiliqi më 3 qershor të këtij viti.
Një zëdhënëse e policisë ndërkombëtare, Madeleine Lux tha se operacioni i përqendruar në Obiliq ka filluar në orën katër të mëngjesit dhe po vazhdon edhe në këto çaste:
"Operacioni është bërë në përkrahje të hetimeve për vrasjen e trefishtë të familjes Stoliç në qershor të këtij viti," tha zëdhënësja Madeleine Lux.
Tre anëtarë të familjes Stoliç nga Kastrioti, përkatësisht Obiliq qenë rrahur deri në vdekje në mëngjesin ndërmjet 3 dhe 4 qershorit në shtëpinë e tyre, të cilës më pas i ishte vënë flaka, ndërsa keqbërësit thuhet të kishin ikur me një veturë, e cila ishte gjetur në arat në një rrethinë të kësaj qyteze. Policia ndërkombëtare atëhere pati përcaktuar një shpërblim prej 50 mijë eurosh për personat që japin informacione në lidhje me autorët e mundshëm të këtij krimi, i cili qe dënuar nga kryeadministratori i atëhershëm Michael Steiner dhe kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi, të cilët vizituan vendin e ngjarjes po atë mëngjes.
Sidoqoftë, policia ndërkombëtare nuk ka dashur të thotë nëse është arrestuar deri tani ndonjë i dyshimtë dhe as të shpjegojë çfarëdoqoftë në lidhje me përkatësinë kombëtare të të arrestuarve eventualë apo të të kërkuarve të dyshimtë:
"Aktualisht operacioni po vazhdon dhe komente të tjera nuk do të bëhen deri në përfundimin e tij," tha zëdhënësja Madeleine Lux.
Ajo tha se informacione të tjera mund të priten sot në mbrëmje, kur shpresohet të përfundojë edhe operacioni i policisë ndërkombëtare, ndërkohë që zyrtarët e policisë kanë mohuar të gjitha njoftimet e deritashme në lidhje me nacionalitetin e personave të dyshuar në lidhje me vrasjen e trefishtë në familjen Stoliç.




XS
SM
MD
LG