Ndërlidhjet

VETËVRASJET NË KOSOVË SHËNOJNË RËNIE


Bekim Bislimi, Prishtinë

Sipas statistikave, të cilat i posedon Shërbimi Policor i Kosovës, numri i rasteve të vetëvrasjeve gjatë këtij viti në Kosovë, krahasuar me dy vitet e kaluara, ka shënuar rënie. Përderisa gjatë vitit 2001 dhe 2002 janë shënuar rreth 210 raste të vetëvrasjes, gjatë këtij viti policia ka shënuar vetëm 40 raste të tilla. Megjithatë, sipas zëdhënësit të Shërbimit Policor të Kosovës, disa nga rastet e vetëvrasjeve të cilat kanë ndodhur kohëve të fundit, kanë qenë shumë të rënda dhe kjo është mjaft shqetësuese.
“Në qoftë se flitet në bazë të përqindjes së tërësishme, vërehet se përqindja e vetëvrasjeve është në rënie. Përkundër kësaj, muajve të fundit kemi pasur disa raste të vetëvrasjeve që janë pak sa më tragjike për opinionin dhe policinë në tërësi, për shembull: kërcimet nga kati i njëmbëdhjetë, nga kati i gjashtë dhe i shtatë. Këto janë disa raste të rënda”, tha zëdhënësi Morina.
Ndërkaq, duke pasur parasysh numrin e banorëve në Kosovë, Ismet Abdullahu, zyrtar për shëndetin mendor i Ministrisë së Shëndetësisë, thotë se shifrat të tilla pavarësisht se kanë shënuar rënie, janë alarmante.
“Për mua, këto shifra janë mjaft alarmante, janë shifra mjaft të larta. Edhe pse ky numër është 40 për këtë vit dhe duket se është një zvoglim, ne prap nuk duhet ta marrim këtë numër sikur është bërë ndonjë pakësim i numrit të vetëvrasjeve. Edhe një rast nëse ndodh, përsëri është mjaft për ne”, tha zoti Abdullahu.
Në anën tjetër, motivet e vetëvrasjeve në Kosovë, sipas zyrtarëve të policisë dhe ekspertëve të shëndetit mendor janë të shumta dhe burimet e tyre janë traumat e luftës, rrethanat sociale dhe ekonomike të krijuara pas luftës, si dhe raportet brenda familjes. Afrim Blyta, neuropsikiatër në klinikën psikiatrike në Prishtinë, shpreh mendimin se numri më i madh i vetëvrasjeve në Kosovë ndodh për shkak të, siç thotë ai, shkatërrimit të strukturës së familjes shqiptare.
“Familja shqiptare ka pësuar një ndryshim të madh në strukturën e saj. Do të thotë, me transformimin e strukturës së familjes si pasojë e dyndjeve të mëdha prej fshatit në qytet, ka ardhur deri te prishja e një strukture të tillë. Definitivisht ky ndërrim i strukturës së familjes është rezultat i ndërrimeve të mëdha nëpër të cilat kalon tani shoqëria kosovare, jeta e cila nuk është e rregulluar, kriza e madhe ekzistenciale, mungesa e perspektivës, pasiguria. Të gjithë këto janë faktorë, të cilët bëjnë që njeriu të jetë shumë më aktiv në raport me mundësitë e veta, meqenëse kërkesat themelore ekzistenciale nuk janë të mbuluara sa duhet. Është normale që në një situatë kur nuk i kemi të mbuluara nevojat themelore të ekzistencës, ka mundësi të arrihet deri te thyerjet e mëdha dhe në ato raste të arrihet deri te veprimet sikurse që janë tentimi për vetëvrasje ose vetvrasja”, tha doktor Blyta.
Ndërkaq, zoti Abdullahu, thekson se Qeverisë së Kosovës i nevojitet një strategji, e cila do ta luftonte dukurinë e vetëvrasjeve dhe në këtë kuadër krijimin e mekanizmave preventive për personat e rrezikuar.
“Kemi marrë një iniciativë që në të ardhmen të formojmë një këshill apo një trup, i cili do ta monitorojë pak a shumë këtë dukuri dhe do të merremi me këtë problematikë, duke filluar prej statistikave, aspektit social, psikologjik të viktimave, që të kemi një monitorim se çfarë po ndodh. Në të ardhmen, normalisht të ndërmarrim hapa në drejtim të krijimit të një strategjie, e cila do të promovohej dhe që do të ndihmonte popullatën për parandalimin e kësaj dukurie, që, në qoftë se vazhdon kështu, vërtetë është mjaft shqetësuese”, tha zoti Abdullahu.




XS
SM
MD
LG