Ndërlidhjet

KRYEMINISTRI DHE KOALICIONI KTHIMI, OPTIMISTË PËR PËRMBUSHJEN E STANDARDEVE DERI NË 2005


Rrahman Paçarizi Prishtinë

Kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi, si edhe përfaqësues të koalicionit të serbëve Kthimi në Kuvendin e Kosovës, janë shprehur optimistë se Kosova do të përmbushë standardet e përcaktuara nga bashkësia ndërkombëtare, para zgjidhjes së statusit të saj përfundimtar, sipas një plani që u është prezantuar institucioneve të Kosovës dhe UNMIK-ut nga Nënsekretari amerikan i Shtetit Marc Grossman. Këto deklarata kryeministri Rexhepi dhe përfaqësues të koalicionit Kthimi, i kanë bërë pas takimeve të veçanta që kanë pasur me me shefin e UNMIK-ut, Harri Holkeri. Kryeministri Rexhepi tha se me kryeadministratorin Holkeri ka biseduar lidhur me përgatitjet për përmbushjen e standardeve dhe për bartjen e kompetencave. Ai tha se procesi i formimit të grupeve punuese për përmbushjen e afatizuar të standardeve po vazhdon dhe pritet të përfundojë gjatë disa javësh, ndërkohë që u shpreh optimist se pala ksoovare do të arrijë të përmbushë standardet deri nga mesi i vitit 2005.
"Unë jam optimist pasi këtu kemi edhe përkrahjen e fortë nga Kuinti. Tani për momentin, për tetë standarde janë pesë grupe punuese, sepse ka grupeqë do merren me dy-tre standarde dhe gati çdo shteti i Kuintit do të na ndihmojë me logjistikë që sa më shpejt të arrihet përparimi i këtyre standardeve. Edhe pse askush nuk pret përmbushje të qindpërqindtë, duhet arritur një përparim i dukshëm, në mënyrë që të mos pengohet definimi i statusit", tha zoti Rexhepi.
Kryeministri i Kosovës tha se afatizimi i përmbushjes së standardeve dhe përcaktimi i përgjegjësisë së secilës palë për të përmbushur standardet e veçanta do ta ndihmojë procesin e përmbushjes efikase të standardeve.
Edhe përfaqësues të koalicionit Kthimi që janë takuar pasdite me zotin Holkeri thanë se si politikanë duhet të jenë optimistë, por kërkuan që përmbushja e standardeve të jetë e plotë siç kërkohet dhe jogjysmake:
"Nëse do të përmbushen këto standarde deri nga mesi i vitit 2005 do të shohim, por do të ishte mirë që ato të përmbusheshin dhe të përmbusheshin siç duhet dhe jo përgjysëm", tha shefi i grupit parlamentar të këtij koalicioni, Dragisha Kërstoviç.
Mirëpo, kryeministri Bajram Rexhepi tha se bartja e kompetencave është një temë e pashmangshme kur flitet për përmbushjen e standardeve:
"Edhe sot e rikonfirmoi. Në takimin që e kisha me të pas kthimit nga Nju Jork, ai ka premtuar se me një vendim politik do të bartë kompetencat nga kapitulli i pestë deri në fund të vitit, ndërsa për të tjerat do të punojmë bashkërisht në forma të përbashkëta dhe përmes përmbushjes së standardeve të barten kompetencat edhe nga fushat e rezervuara", tha kryeministri Rexhepi, ndërkohë që përfaqësuesi i koalicionit Kthimi, Kërstoviç e quajti të panevojshme dhënien e më shumë kompetencave me qëllim të përmbushjes së standardeve:
"Mendoj se pjesa dërrmuese e situatës është në duart e liderëve shqiptarë dhe ata mund të ndikojnë për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me Kosovën, qoftë për kthimin, qoftë për sigurinë dhe lëvizjen e lirë, qoftë për jetën e përbashkët apo për demokratizimin, tha Kërstoviç, ndërkohë që për të diskutuar për këto çështje me zotin Holkeri, nesër në Prishtinë pritet të vijë edhe zëvendëskryeministri i Serbisë Nebojsha Çoviç, i cili ka kundërshtuar planin e afatizimit paraqitur nga Marc Grossman.






XS
SM
MD
LG