Ndërlidhjet

SHQIPTARËT KËRKOJNË-SERBËT KUNDËRSHTOJNË NDRYSHIMET E KORNIZËS KUSHTETUESE


Rrahman Paçarizi Prishtinë

Në një kohë që grupi punues për hartimin e propozimeve për ndryshime në Kornizën Kushtetuese të Kosovës tashmë ka filluar punën e përgatitjes së këtyre propozimeve, përfaqësues të serbëve të Kosovës vazhdojnë ta kundërshtojnë këtë nismë, ndërsa UNMK-u porosit që liderët e Kosovës të jenë të kujdesshëm për ruajtjen e drejtpeshimit që vë kjo kornizë në raportet ndërmjet UNMIK-ut dhe institucioneve vendore, si dy nivele që sigurojnë qeverisjen e Kosovës, deri në zgjidhjen e statusit të saj përfundimtar.
Shefi i grupit parlamentar Kthimi në Kuvendin e Kosovës, Dragisha Kërstoviç, që njëherësh është emëruar edhe anëtar i grupit punues, aktualisht i kundërshton këto ndryshime të propozuara:
"Koalicioni Kthimi nuk pajtohet me këtë nismë dhe këtë mospajtim e kemi shprehur edhe në parlament, pasi thjesht në këtë moment nuk ekziston nevoja për ndryshime në Kornizën Kushtetuese dhe në këtë moment kemi disa prioritete të tjera," tha Kërstoviç, sipas të cilit korniza aktuale është e mjaftueshme për një qeverisje mjaft efikase të Kosovës dhe të funksionimit të institucioneve të Kosovës.
Mirëpo, këshilltari i kryeparlamentarit Daci, Ramush Tahiri mendon se ndryshimet janë të domosdoshme:
"Ndryshimet janë të domosdoshme për arsye se koha kur është aprovuar kjo Kornizë ka ndryshuar në krahasim me të arriturat sot dhe për vetë faktin se ne jemi në një bashkëqeverisje me strukturat e UNMIK-ut dhe në këtë bashkëqeverisje duam ta avancojmë procesin e marrjes së kompetencave që është edhe qëllim i këtij administrimi dhe bartjen e tyre te institucionet e zgjedhura legale dhe legjitime.
Zoti Tahiri mendon se këto ndryshime do ta bënin edhe më të qartë të ardhmen e statusit të Kosovë dhe ky proces duhet të jetë në pajtim me standardet e bashkësisë ndërkombëtare, si dhe me vullnetin e shprehur lirshëm të qytetarëve të Kosovës.
Ndërkohë, zyrtarë të UNMIK-ut vlerësojnë se kjo është një çështje tepër e ndjeshme:
"Kjo është një çështje shumë e ndjeshme, pasi korniza aktuale paraqet një drejtpeshim të kujdesshhëm ndërmjet funksioneve dhe interesave që vënë bazat ligjore të qeverisjes së Kosovës deri në përcaktimin e satatusit të saj përfundimtar," tha zoti Narula, ndërkohë që tani është aktualizuar edhe plani i afatizuar i përmbushjes së standardeve para statusit. Zoti Tahiri thotë se ndryshimet e kornizës dhe përmbushja e standardeve duhet të jenë procese të bashkërenduara dhe sipas tij, drejtuesit e Kuvendit kanë marrë pëlqimin e UNMIK-ut për disa ndryshime:
"Qëndrimi është se ndryshime do të ketë dhe jemi pajtuar, e kjo mund të shihet nga transkripti i bisedës. Në anën tjetër ne nuk jemi të interesuar të befasojmë njëri-tjetrin dhe që të veprojmë kundër njëri-tjetrit, pasi ne kemi pranuar bashkëqeverisjen dhe kemi respekt të plotë për misionin e tij", tha zoti Tahiri.
Mirëpo, zoti Narula thotë se ndieshmëria e kësaj çështjeje kërkon veprim të kujdesshëm dhe konultime të vazhdueshme:
"Ndryshimi i Kornizës Kushtetuese në secilën nga fushat e kërkuara kërkon ruajtjen e kujdesshme të barazpeshës së vënë dhe miratimin e bashkësisë ndërkombëtare dhe këshillimin me Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara," tha zëdhënësi Narula, ndërkohë që ditët e fundit qe zhvilluar një debat medial ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe UNMIK-ut, nëse këta të fundit kanë miratuar apo jo nismën për ndryshime, të cilat sipas këshilltarit Tahiri nuk janë ndryshime rrënjësore, por më shumë amandamentime të kornizës dhe e gjitha bëhet edhe në bashkëpunim me zyrën ligjore të UNMIK-ut.








XS
SM
MD
LG