Ndërlidhjet

KANDIDIMI I EDI RAMËS PËR POSTIN E KRYETARIT TË PS- FORMULË PËR ZGJIDHJEN E KRIZËS


Alma Çupi, Tiranë

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama shpalli sotpërmes shtypit kandidaturën për kryetar të Partisë Socialiste. Dy javë pas anëtarësimit në këtë parti dhe një javë pas shpalljes së kandidaturës së ish presidentit Mejdani për postin e kryetarit të PS, Edi Rama ka deklaruar se kandidon për të shpëtuar Partinë Socialiste nga kriza.
Kandidatura e tij nga analistët shihet si një zhvillim interesant brenda Partisë Socialiste. Kryeredaktori i gazetës së përditshme Korrieri Alfred Peza, thotë për Evropën e Lirë se kandidatura e Ramës
është interesante, sepse është pozicionuar kundër Fatos Nanos dhe plotëson kandidaturën e ish presidentit Mejdani.
" Ky është një zhvillim interesant edhe për faktin se ai është pozicionuar në deklaratat e fundit publike kundër Nanos dhe ka ngritur shumë lart figurën e kandidatit tjetër zotit Mejdani. Në këtë kontekst unë mendoj se dy këto figura janë komplementare me njëra tjetrën, pasi zoti Mejdani përfaqëson një figurë që në pamje të parë për socialistët është një politikan që mund t'i bashkojë të gjitha grupet. Ndërkohë që Edi Rama përfaqëson karizmatikun, atë që nuk e ka Mejdani dhe mund ta përballojë me debatin publik që pritet deri në ditën e kongresit zotin Nano", thotë Alfred Peza.
Por më tej analisti Peza thekson se shanset për të fituar dy kandidaturat nuk janë të mëdha për vetë mënyrën e funksionimit të strukturës së Partisë Socialiste.
"Por ka një problem. Partia Socialiste është një parti që nuk mund të pranojë shumë kollaj eksperimentet, njerëzit e pavotuar prej tyre në vite që mund t'i drejtojnë. Prandaj kjo është e vështirë për Edi Ramën, kurse sa i përket zotit Mejdani, bashkimi i votave të Edi Ramës nga pikëpamja populiste dhe bashkimi i votave të tij nga pikpamja e strukturave mund të përbëjnë një garë shumë interesante mes këtyre të dyve dhe zotit Nano", përfundon analisti Peza.
Ndërsa analistja Briseida Mema, e shikon kandidaturën e Edi Ramës për kryetar të Partisë Socialiste me tone më optimiste dhe se do të ketë ndikim në politikën konfliktuale shqiptare.
"Futja e faktorëve të tjerë politikë, të ardhur nga shoqëria civile, sigurist nuk mu nd ta ashpërsojë më tej politikën shqiptare, por do të ndikojë në futjen e sensibiliteteve të reja, në futjen e një kulture të re të të menduarit, të të punuarit, duke zgjeruar më tej, qoftë bazën e partisë, qoftë bazën vendimmarrëse të kësaj partie. Prandaj edhe njëherë e theksoj se nuk është absolutisht as ndonjë çudi, as ndonjë zhvillim i papritur futja e një politikani të ri, qoftë në një parti aop në një parti tjetër. Këto janë zhvillime normale të një jete demokratike dhe të një demokracie politike shqiptare, që për mua gjithnjë e më shumë po shkon drejt një normaliteti", tha Briseida Mema.
Të dyja kandidaturat kanë theksuar momentin e krizës që po kalon Partia Socialiste dhe e kanë paraqitur veten si një alternativë anti-krizë.

XS
SM
MD
LG