Ndërlidhjet

PUSHTETARËT VENDORË NUK SHPREHEN POZITIVISHT PËR PLANIN PËR DECENTRALIZIM


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Edhe pse kryetari i Kosovës është shprehur dje i kënaqur nga projekti për decentralizimin e pushtetit në Kosovë, kryetarët e komunave të Kosovës kanë mendime të ndryshme.
Kryetari i Shoqërisë së Komunave të Kosovës, zoti Lufti Haziri, thotë se projekti përfundimtar nuk i është dorëzuar shoqërisë së Komunave, mirëpo bazuar në dokumentat e mëparshme, bëhet fjalë për mbështetje në kritere etnike me rastin e decentralizimit. Ndroja ime më e madhe është se ky projekt për decentralizim do të legalizojë enklavat, ndërkohë që një trajtim i këtij projekti nëpër institucionet e Kosovës, do të mund t'i zbehte strukturat paralele dhe enklavat, si dhe do t'ua ngushtonte hapësirën e vet krijimit të strukturave paralele, thotë zoti Haziri, sipas të cilit rreziku kryesor do të ishte marrja për bazë e kriterit etnik me rastin e decentralizimit.
"Efektet negative do të jenë krijimi i një divizioni të ri byrokratik, krijimi i një konflikti në marrëdhëniet mes komunave dhe njësive komunale dhe ajo që më së fundi ja kam frikën është krijimi i një raporti konfliktuoz në kuadër të mosdefinimit të detyrave", thotë zoti Haziri.
Ndërkohë pikërisht lidhur me problemin e strukturave paralele, kryetari i komunës së Shtërpces i enklavës serbe në jug të Kosovës, Ladjan Iliç, mendon se mosbesimi ndaj institucioneve të Kosovës do të gjejë shprehjen edhe me rastin e decentralizimit.
"Problemi është se bashkësia serbe në Kosovë nuk u beson institucioneve që formohen pas luftës në Kosovë, qofshin ato lokale apo qëndrore. Domethënë problemi është se njerëzit nuk u besojnë këtyre institucioneve", thotë Iliç, sipas të cilit pavarësisht nga fakti se vetë është zgjedhur në mënyrë legjitime si kryetar i komunës në zgjedhjet të cilat janë njohur ndërkombëtarisht, ky nuk është fakt i mjaftueshëm për t'i bindur serbët që të besojnë. Ai prandaj thotë se duhet biseduar me serbët e Kosovës dhe jo vetëm me Beogradin lidhur me strukturat paralele. Ndërkaq kryetari i Komunës së Mitrovicës Faruk Spahia thotë se do të ishte më mirë që decentralizimi të kualifikohej si një reformë në administratë sesa si zbërthim i organizimit të tanishëm nëpër komuna.
" Në njësitë komunale që janë përmendur në procesin e decentralizimit, sipas vlerësimeve tona në fakt janë komuna të reja dhe kujtoj që qëndrimi i shoqërisë është i qartë në këtë drejtim: jo komuna të reja, por një funksionalizim i plotë i komunave egzistuese dhe një qeverisje lokale që do të jetë më afër qytetarit", thotë zoti Spahia, që është drejtues i komunës më problematike në Kosovë, Mitrovicës, ku funksionojnë hapur strukturat paralele serbe. Ai prandaj mendon se para decentralizimit të pushtetit duhet funksionalizimi i plotë i pushtetit legjitim në gjithë komunën.
"Pa u normalizuar jeta, pa u funksionalizuar plotësisht strukturat legjitime, pa u implementuar ligji si në çdo kënd të Kosovës, nuk mund të ketë një proces tjetër të decentralizimit, apo të një reforme në administratë, sepse sigurisht ai do të shfrytëzohej për pjesë të tjera pro etnike, siç kanë pretenduar gjithmonë ekstremistët serbë, të cilët sot po diktojnë politikën në një pjesë të shtetit të ri", thotë zoti Spahia.
Sidoqoftë shefi i komisionit që ka hartuar projektin e decentralizimit, ka thënë se më 13 nëntor do të bëjë publik këtë projekt, i cili sipas disa burimeve parasheh formimin e 180 njësive nënkomunale në të gjithë Kosovën, ku secila prej tyre do të kishte mesatarisht nga 5000 banorë.




XS
SM
MD
LG