Ndërlidhjet

A.GASHI:" Kosovës i nevojitet një garanci që do të jetë e pavarur"


Alush Gashi, deputet i LDK-së

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Gashi, me operacionalizimin e standardeve, bashkësia ndërkombëtare ka dhënë disa parakushte, me të cilat Kosova do të mund të hynte në procesin e definimit të statusit të saj. Sipas vlerësimit tuaj si deputet, sa janë të gatshme këto institucione të fillojnë këtë proces dhe t'i përmbushin këto standarte?

ALUSH GASHI
Çështja e operacionalizimit, e cila është aktualizuar këto ditë, është kërkesë e hershme e Lidhjes Demokratike të Kosovës, për të gjetur mënyrën e kuantifikimit të arriturave të deritanishme demokratike. Ne i kemi shtruar ato rezultate kohë më parë dhe në vazhdimësi jemi të bindur dhe mund të argumentojmë se transferimi i kompetencave mundet të bëhet edhe më herët sesa flitet këto ditë.

RADIO EVROPA E LIRË
A besoni atëherë se gjatë vitit të ardhshëm qeveria e Kosovës dhe institucionet në përgjithësi, do të kenë, kushtimisht thënë, qasje në disa fusha të rezervuara që janë në pushtetin e UNMIK-ut?

ALUSH GASHI
Ajo që është e rëndësishme është fakti që qeveria jonë të veprojë si qeveri dhe të demonstrojë një efikasitet, qoftë me kompetencat të cilat i ka, si dhe në përgatitje të argumentimit për marrje më të mëdhe të kompetencave. Mendoj se transferi gradual do të bëhet, por nuk do të bëhet si një akt i menjëhershëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat atëhere konsideroni se do të jenë efektet e një vonese të transferit të këtyre kompetencave dhe sa do ja dalin institucionet vendore që në mungesë të përgjegjësive t'i realizojnë dhe standardet e parashikuara?

ALUSH GASHI
Po çdo çështje globale burimin e ka në veprimin lokal. Debati trans-atlantik për sigurimin e stabilitetit evropian, natyrisht që ka patur dhe ka efekt në transferën e kompetencave dhe në statusin final të Kosovës. Fatmirësisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat janë mbështetëse të fuqishme të proceseve demokratike në Kosovë dhe më gjerë, si dhe forcë prijëse e sigurisë, kanë parë të arsyeshme që qasja evropiane disi të ndihmohet në ndryshim. Dhe mbështetur në rezultatet e përditshme të institucioneve në Kosovë, ka marë një iniciativë që çështja e statusit duhet të diskutohet. Mendoj se Kosova mund të bëhet e pavarur edhe më herët, mund të jetë e pavarur edhe sot. Institucioneve të Kosovës dhe qytetarëve të saj u nevojitet një garanci e tanishme, qoftë konfidenciale, qoftë dhe publike si në rastin e Timorit Lindor. Ne angazhohemi për përmbushjen e kërkesave ndërkombëtare, por me një garancë që në fund Kosova do të jetë e pavarur. Këtë ende nuk e kemi të garantuar. Kemi të garantuar një formë të shprehjes së vullnetit politik, ç'ka është mënyra e vetme e zgjidhjes së kësaj çështjeje, por ka edhe definime të vështira sa i përket çështjes së ambjentit përreth. Sikur të ishte pyetur Beogradi, as Sllovenia, as Kroacia, as Bosnja, nuk do të ishin vende të pavarura. Prandaj mendojmë se nuk duhet pyetur as për Kosovën. Ata duhet të shfrytëzojnë të drejtën e interesimit për minoritetin serb që jeton në Kosovë, por jo ta kenë fjalën lidhur me statusin final të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zyrtarë të lartë të Kuvendit të Kosovës kanë thënë disa herë se ky mandat i institucioneve do të jetë dhe përcaktues i statusit. Në këtë rast, me afatizimin e standardeve është afatizuar edhe çështja e statusit. Prandaj cilat konsideroni se kanë qenë arsyet kryesore të shtyrjes së kësaj çështjeje?

ALUSH GASHI
Mendoj se rezultatet e pasluftës në Kosovë, janë rezultate ndoshta më të mira se ato pas Luftës së Dytë Botërore, pas planit të Varshavës me Gjermaninë. Por ndërkohë shoqëria kosovare ka qenë e preokupuar me plagët e luftës, me jetën e përditshme dhe bindja që Kosova do të jetë e pavarur ka qenë një bindje shumë e thellë dhe ka qenë një bindje e drejtë, por natyrisht është nevojitur një qasje shumë më e fuqishme e Qeverisë së Kosovës me argumentim të rezultateve të arritura dhe jo në pritje të njohjes së rezultateve. Mendoj se tani e tutje, sipas deklaratave publike të përfaqësuesve të ndryshëm të qeverisë, e cila është një marrëveshje politike, nuk është një qeveri që është e votuar, por është një qeveri, e cila funksionon pa opozitë, do të jetë në gjendje që t'i përgjigjet kërkesës së ndërkombëtarëve.

Intervistoi Zijadin Gashi
XS
SM
MD
LG