Ndërlidhjet

NË ENTIN SPECIAL TË SHTIMËS TRAJTOHEN DHE 72 PACIENTË NGA SERBIA


Bekim Bislimi

Ndonëse Enti Special në Shtimës, është ent social dhe i dedikuar vetëm për trajtimin e personave me retardime dhe ngecje të lehta të zhvillimit mendor, si rezultat i mungesës së kritereve për akomodimin adekuat të pacientëve, të cilët janë raste psikiatrike, para luftës në Entin Special të Shtimës janë vendosur edhe një numër i madh i këtyre rasteve. Në mesin e 186 klientëve, siç i quajnë zyrtarët e këtij enti, aktualisht aty janë duke u trajtuar edhe 90 klientë serbë, 72 prej të cilëve janë nga Serbia. Kujtim Xhelili, drejtor i këtij enti thekson se numri më i madh i tyre janë raste psikiatrike, por duke pasur parasysh, parimet humane, por edhe strukturën kombëtare të këtyre rasteve, ky ent ka qenë i obliguar që ata t’i mbajë nën përkujdesjen e vet. Sipas tij, trajtimi i klientëve serb në këtë institucion është i njëjtë sikurse edhe i klientëve të përkatësive tjera etnike.
“Nuk ka kurrfarë dallimi, meqenëse, ta zëmë, në një dhomë mund të qëndrojë klienti shqiptar, serb, maqedon, do të thotë, të gjithë janë së bashku. Por, është edhe një obligim i yni, i stafit, që t'i përgjigjemi klientit, varësisht në cilën gjuhë ai kërkon përgjigjen. Faktikisht, përdoret dygjuhësia brenda në institucion”, thotë zoti Xhelili. Ndërkaq, klientët serbë theksojnë se janë të kënaqur me kushtet në këtë ent dhe raportet me personelin që përkujdeset për ta. Zhivka Naskoviç nga Kamenica, kliente në këtë ent, thotë:
“Ata jane të mirë. Ka shumë me të cilët shoqërohem. Ushqimin e kemi të mirë dhe të mjaftueshëm, ndërkaq edhe cigare na japin”, thotë zonja Naskoviç. Ngjashëm thotë edhe Sllobodan Petroviç nga Surqini i Beogradit:
“Me rëndësi është se kemi cigare dhe kafe. Ushqimi është i mirë, por varet se kush dhe sa konsumon”, thotë zoti Petroviç.
Kontaktet me familjarët e tyre, këta klientë i mbajnë kryesisht përmes Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të kuq, i cili i këmben porositë e tyre dhe familjarëve. Ndërkaq, sipas, zotit Xhelili, ajo që u mungon shumicës së këtyre klientëve, janë pikërisht, vizitat familjare.
“Interesimi i familjarëve të të vendosurve në këtë institucion është shumë i vogël. Nuk janë vizitat e shpeshta, por e gjithë kjo varet nga kërkesat e familjarëve apo edhe të institucioneve, për t’i bërë këto vizita. Janë të pakta”, thotë zoti Xhelili.
Zonja Naskoviç, thotë se nuk e mbante në mend se kur kishte pasur vizitë nga familjarët e saj.
“Kam dy vëllezër. Kam edhe motrat që janë të martuara dhe mua askush nuk më viziton. Do të dëshiroja t’i shoh, por nuk mundem”, thotë zonja Naskoviç. Ndërkaq, zoti Petroviç, i cili në entin në Shtimë është prej 7 vjetësh, thotë se deri më tani ka pasur vetëm një vizitë dhe kjo ka ndodhur para luftës. Ai thotë se është përmalluar për vendlindjen e tij..
“Jam përmalluar për jetën dhe për familjen time, për njerëzit me të cilët kam jetuar dhe jam rritur. Ndërkaq, ata më kanë kanë kthyer shpinën dhe më kanë hedhur këtu 560 kilometra larg. Unë pres që të kthehem në shtëpi”, thotë zoti Petroviç, duke mos i fshehur lotët.
Kërkesat e klientëve që të takohen me familjarët, por edhe dëshirat që ata të kthehen në vendlindjet e tyre, zoti Xhelili i quan të arsyeshme, sepse, sipas tij, kjo do tu mundësonte atyre të jenë më afër familjes.
Sidoqoftë, plotësimi i këtyre kërkesave nuk varet nga enti special në Shtimë, por nga familjarët dhe nga institucionet e vendeve prej nga janë klientët.


XS
SM
MD
LG