Ndërlidhjet

KASSOFF: KOSOVA DO TË PËRMBUSHË STANDARDET DERI NË 2005


Zijadin GashiPrishtinë

Statusi i ardhshëm i Kosovës do të varet nga puna dhe suksesi i qeverisë dhe partive politike që të krijojnë në Kosovë kushte të pranueshme jetese për të gjitha bashkësitë etnike, ka thënë sot në Prishtinë, Alan Kassoff, drejtor i Projektit për Marrëdhënie Ndëretnike, nga Shtetet e Bashkuara. Këto komente, Kassoff i ka bërë pas takimeve që i ka zhvilluar me kryeministrin dhe kryetarin e Kuvendit të Kosovës. Ai tha po ashtu, se i kupton rrethanat e krijuara në Kosovë sidomos pas vitit 1999 dhe luftës së armatosur që ndodhi këtu, mirëpo ndërkohë deri në procesin e zgjidhjes së statusit final, Kassoff tha se kosovarët janë ata të cilët tani duhet të vendosin vetë se cilën rrugë do të ndjekë Kosova. Personalisht, Kassoff tha se e mbështet një shoqëri tolerante qoftë ajo multietnike, apo një shoqëri ku do të respektohen të drejtat e njeriut dhe pakicave. Gjithashtu, Kassoff u shpreh optimist se Kosova do të jetë në gjendje që t’i përmbushë standardet e parashikuara dhe t’i hapë rrugën zgjidhjes së statusit përfundimtar gjatë vitit 2005:
“Deri në vitin 2005 mendoj se nuk ka ka dyshim që të presim të arrihen disa përparime në përmbushjen e disa standardeve, përfshirë këtu dhe çështjen e kthimit të personave të zhvendosur dhe përmirësimin e gjendjes së sigurisë”, tha Kassoff.
Përndyshe, Projekti për Marrëdhënie Ndëretnike në bashkëpunim me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, nesër do të mbajnë për të pestën herë me radhë tryezën e rrumbullakët me temën “Shqiptarët dhe fqinjët e tyre”.
Diskutimet do të përqëndrohen në çështjet që kanë të bëjnë me pajtimin ndëretnik në Kosovë si dhe shqyrtimin e mundësive për krijimin e një shoqërie shumëetnike, apo një shoqërie ku do të respektohen të drejtat e të gjitha bashkësive etinke. Të ftuar në këtë tryezë që do të flasin, si edhe herët e tjera janë dhe personalitetet kryesore të jetës politike në Kosovë.

XS
SM
MD
LG