Ndërlidhjet

MBËSHTETET E DREJTA E TË ZHVENDOSURVE PËR KTHIM


Rrahman Paçarizi Prishtinë

Nuk duhet të ketë asnjë dilemë rreth të drejtës së të zhvendosurve për t’u kthyer në shtëpitë e tyre, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike, është vlerësuar sot në një konferencë organizuar nga Qendra për Migracion dhe Ndihmë Refugjatëve në Prishtinë. Fillimisht, këshilltari i kryeministrit Rexhepi për kthim dhe integrim, Bekim Çollaku, tha se qeveria e Kosovës është e vetëdijshme se edhe e ardhmja e Kosovës varet nga gatishmëria e popullit dhe e institucioneve të Kosovës për t’u angazhuar për kthimin e të zhvendosurve, por tha ai dialogu ndëretnik është i domosdoshëm për integrimin e plotë të pakicave në shoqërinë kosovare:
"Dështimi eventual i institucioneve të Kosovës dhe qytetarëve të saj për të siguruar dhe avancuar të drejtat e komuniteteve ë tjera, përveç se do të rritë rrezikun e legjitimimit të enklavave serbe, mbase do të inkurajojë copëtimin e territorit të Kosovës, për çka jemi kundër dhe e hedhim poshtë si mundësi dhe do të ketë pasoja negative edhe në planin afatgjatë që synon integrimin në BE dhe në strukturat e tjera veriatlantike," tha Çollaku, sipas të cilit nuk duhet të ketë asnjë dilemë rreth të drejtës së të zhvendosurve për t’u kthyer në shtëpitë e tyre, pasi e kundërta mund t’u shërbejë vetëm interesave të Beogradit për destabilizimin e Kosovës.
Herve Morin nga zyra e UNMIK-ut për kthim dhe komunitete, tha se viti 2002 ka shënuar kthesën, kur në Kosovë ka pasur më shumë të kthyer nga komunitetet sesa persona që janë larguar, ndërkohë që viti 2003 ka shënuar një rritje prej 30 për qind në procesin e kthimit të të zhvendosurve në krahasim me vitin e kaluar:
"Përderi sa situata e sigurisë në përgjithësi është përmirësuar, liria e lëvizjes mbetet një çështje brengosëse lidhur me kthimin," tha zoti Morin, sipas të cilit megjithatë ka ndryshuar mentaliteti lidhur me kthimin dhe janë krijuar kushte në gjithë Kosovëm për kthim. Në këtë ai ka përmendur vizitën që kryetari Rugova dhe kryetari i PDK-së Thaçi u kanë bërë pakicave në Ferizaj dhe letra publike e liderëve të Kosovës në mbështetje të Kthimit.
Vlerësime pozitive për kushte më të mira për të kthyerit ka bërë edhe përfaqësuesi i OSBE-së, Jeremy Lindston, i cili, ashtu si edhe parafolësi i tij nga UNMIK-u tha se angazhimi më i madh i strukturave të pushtetit në nivelin lokal, do ta ndihmonte edhe më shumë procesin e kthimit të të zhvendosurve.
Organizatori i kësaj konference, Dr. Rifat Blaku numëroi një varg aktivitetesh që janë organizuar në Kosovë në mbështetje të kthimit, por sipas tij, të gjitha këto aktivitete nuk kanë arritur të bëjnë mjaft për kthimin, pasi sipas deri tani janë kthyer tetë mijë deri nëntë mijë të kthyer:
"Nga një hulumtim i mëparshëm dalin katër grupe faktorësh që determinojnë kthimin: siguria dhe liria e lëvizjes, qasja në shërbimet publike e minoritarëve, çështja e strehimit dhe pronës dhe krijimi i mundësive për punësim."
Diskutuesit e kanë vlerësuar si pozitive në mbështetje të kthimit rezolutën e Kuvendit të Kosovës për të drejtën e kthimit të të zhvendosurve, si dhe vendimin e qeverisë për të dhënë 7 milionë euro nga suficiti buxhetor i vitit të kaluar, për të përkrahur khimin dhe projektet që kanë të bëjnë me kthimin.


XS
SM
MD
LG